Kryetari i RDK-së Rufi Osmani takoi Kryetarin e asociacionit qytetar MOST
Përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor bie mbi pushtetin
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit, Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani vazhdon me takimet intensive me faktorë relevant për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në selinë e RDK-së në Shkup, Osmani priti drejtorin ekzekutiv të Asociacionit qytetar MOST, Darko Aleksov. Kryetari i RDK-së njoftoi Aleksovin se këto zgjedhje janë vendimtare për vendin dhe se të gjitha institucionet relevante, duke përfshirë edhe Asociacionin qytetar MOST, duhet të bëjnë të pamundurën për mbarëvajtje sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve. “RDK-ja do të japë kontribut të madh që zgjedhjet të jenë të lira, korrekte dhe demokratike, por kontributi duhet të jetë akoma më i madh nga ana e pushtetit sepse ata kanë fuqinë e keqpërdorimit, apo pengimit të keqpërdorimit procesit zgjedhor”, nënvizoi Osmani.
Aleksov foli për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe njoftoi kryetarin Osmani se Asociacioni qytetar MOST do të ketë vëzhgues në të gjitha vendvotimet e vendit. “Vëzhgues do të kemi sidomos në ato vendvotime që njihen si “pika të nxehta” dhe ju siguroj se të gjitha parregullsitë eventuale që do të vërehen nga ana e vëzhguesve tanë, do të denoncohen në KSHZ dhe ne të gjitha institucionet relevante në vend dhe jashtë”, theksoi drejtori ekzekutiv i MOST, Darko Aleksov.
Shërbimi për informim – Rilindja Demokratike Kombëtare
