14Dhjetor2017

Marrëveshja e paqes në Maqedoni, perspektivat e implementimit të saj nga një këndvështrim alternativ

RUFI OSMANI

Libri publicistik : Mendimi alternativ politik dhe ekonomik

Tema : Marrëveshja e paqes në Maqedoni, perspektivat e implementimit të saj nga një këndvështrim alternativ

(Gusht 2001)

Kompromisi aq shumë i pritur si zgjidhje e konfliktit të armatosur në IRJM tashmë u arrit, palët në konflikt ranë dakord për një marrëveshje paqeje

Çka i parapriu nënshkrimit final të marrëveshjes së paqes?

E veçanta e periudhës së "vakumit politik" nga koha e parafimit deri në nënshkrimin final të saj, u karakterizua edhe me një histeri ushtarake e politike të lidershipit aktual sllavomaqedonas. Pse pala sllavofolëse zyrtare prishi njëanshëm edhe njëherë armëpushimin me pëlqimin e heshtur dhe të monitoruar nga përfaqësuesit e NATO-s, është dilema e shtruar por e papërgjigjur nga monitoruesit alias garantuesit e armëpushimit.

 

Skenaristët dhe ekzekutorët e një menaxhmenti metafiziko-paranoik, tërësisht të dështuar luftarak me në krye treshin VMROist Trajkovskin, Georgievskin dhe Boshkovskin, projektuan dhe dështuan kësaj rradhe për së fundi herë në arritjen e objektivit të tyre të realizimit të fitores ushtarake mbi kryengritësit shqiptarë.

 

Edhe njëherë "fitorja e projektuar ushtarake maqedonase në letër" u ripërsërit në variantën e humbjes së turpshme në frontin e luftës dhe u manifestua në opinionin publik medial në formën e "gjëmës dhe zisë kombëtare maqedonase".

Përderisa sjellja e elementit sllavë nuk befasoi, tolerimi i një sjelljeje të papërgjegjshme të kësaj natyre nga ana e faktorit ndërkombëtar është pasojë e një logjike politike tepër përkdhelëse të faktorit ndërkombëtar ndaj zyrtarëve sllavë si nus-produkt i vlerësimit fillestar të gabuar se gjoja pala zyrtare maqedonase ka kapacitet funksional ushtarak të realizon fitore ushtarake.

Vetë disfata në fushëbetejën luftarake nuk është e një rëndësie primare në aspekt të çështjes që analizon autori, por pikërisht mesazhi i humbësit ushtarak që u vërtetua edhe me ndodhitë e fundit, dhe që tashme është rrënjosur në masë të konsiderueshme tek popullsia maqedonase reflekton simptome të fuqishme të refuzimit të koekzistencës paqësore të sllavëve dhe shqiptarëve si perspektivë e realizimit praktik të marrëveshjes në fjalë.

Analiza e marrëveshjes në fjalë si një projekt i cili tashmë është në fazën e miratimit dhe pret implementimin praktik të sajë nëpërmjet një qasjeje racionale do të nxjerrë në sipërfaqe trende dhe perspektiva problemore për shumë arsye.

Marrëveshja dhe parlamenti aktual

Përkundër retorikës tepër negative dhe albanofobis prezente tek pjesa dërmuese e parlamentarëve aktual sllavë me në krye kryeparlamentarin, refuzimi i miratimit të marrëveshjes në fjalë nëpëmjet ndryshimit të kushtetutës dhe aprovimit të ligjeve të bazuara në kushtetutën e reformuar është gati se minimal.

Alternativa e mosmiratimit të marrëveshjes në fjalë nga struktura ekzistuese parlamentare maqedonase realisht do të thotë konfrontim i drejtpërdrejtë i strukturave në fjalë me institucionet kryesore të politikës perëndimore, integrimi në të cilat struktura ishte dhe mbeti objektivi kryesor formal dhe real edhe i kësaj klase politike maqedonase. Mendja e shëndosh thotë se, edhe këtë aventurë vetëshkatrrimtare tashmë nuk mund t’ia lejojnë vetes këto struktura politike maqedonase.

Opinioni publik dhe reforma kushtetutare

Segmenti në fjalë i proviniencës maqedonase ka pësuar më së shumti gjatë konfliktit në fjalë si pasojë e një propagande manipulatore gebelsiane të paparë të tërë proviniencësë politike sllavofolëse.

Një retorikë e kësaj natyre dukshëm ka radikalizuar raportet dhe ka rritur armiqësinë sllavo-shqiptare, në veçanti në institucionet e sistemit aty ku edhe duhet të realizohet implementimi praktik i reformave ndëretnike.

Riemancipimi i opinionit publik sllavë nëpërmjet një informimi objektiv dhe të drejtë në lidhje me konfliktin që tashmë e lëmë pas dhe në veçanti në lidhje me përmbajtjen, përkrahjen dhe zbatimin e reformave ndëretnike duhet të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të masmediumeve maqedonase të gjithë spektrit dhe veçanti atyre të finacuara nga paratë shtetërore.

Përkundër "disponimit emocional" të palës maqedonase se gjoja reformat e parapara ato i bëjnë "humbës të shtetësisë maqedonase ", disponim ky që nuk përkon me të vërtetën, tek pala shqiptare ekziston "entuziazmi inflator" se shqiptarët janë "fituesit e mëdhenjë" me reformat kushtetutare dhe se zbatimit praktik do t’i barazon ato në të gjitha nivelet dhe aspektet e sistemit.

Një pritje e kësaj natyre është në masë të konsiderueshme e fryrë dhe joreale. Politikanët shqiptarë të të dy krahëve duhet drejtë dhe në kohë të informojnë popullin shqiptarë për përmbajtjen dhe dinamikën e zbatimit të reformave ndëretnike, në mision të eliminimit të dëshprimit dhe pakënaqësis reale që mund të pasojë si rezultat i hendekut të madhë që ekziston ndërmjet pritjeve subjektive tepër të mëdha dhe të ariturave reale sistemore.

Implementimi praktik i reformave në fjalë shumë më tepër do t’i gjason praktikës së pas luftës të zbatuar në luginën e Preshevës dhe shumë pakë do të ketë ngjajshmëri me reformat politike të pasluftës të zbatuara në Kosovë.

Edhe më tutje të gjitha institucionet dhe nishanet e tyre do të jenë të proviniencës maqedonase duke filluar nga kryetari i shtetit, qeveria, banka kombëtare, ushtria, policia, diplomacia, dogana, autoritetet qendrore finaciare dhe fiskale dhe pjesërisht adminsitrata qendrore, dhe parlamenti dhe segmente të tjera sistemit shtetror. 

Edhe më tutje flamuri shtetëror, himni shtetror, emblema policore, emblema ushtarake emblema doganore, paratë kombëtare, dhe shumica e shenjave publike që u dedikohen organeve qendrore shtetërore do të jenë të proviniencës dhe gjuhës maqedonase.      

Pesimizmi i autorit në këtë drejtim në rrafsh me opinionin publik shqiptarë është i motivuar edhe nga fakti se resurset materiale-financiare të nevojshme për zbatimin praktik të reformave në fjalë janë dukshëm më të kufizuara tash në përfundim të konfliktit në krahasim me fillimin e tij, përkundër alternativës së pamjaftueshme të kompenzimit financiar të ofruar nëpëmjet konferencës donatore për IRJM. 

Reformat ndëretnike dhe zbatimi praktik i tyre nën dioptrin e strukturave ekzistuese institucionale qeveritare, çdo projekt ose reformë e të gjitha llojeve në instancë të fundit e lidh fatin e implementimit praktik me menaxhmentin kuadrovik i cili bënë realizimin praktikë të sajë. 

Pasi në rastin konkret bëhet fjalë për reforma politike që duhet të zbatohen pas konfliktit të armatosur, e një rëndësie parësore është që përfaqësuesit politik zyrtarë të cilët bën luftën të mos implementojnë paqen. 

Në këtë aspekt, situata del shumë e komplikuar duke pasur parasysh faktin se subjektet kryesore politike të dy komuniteteve ishin bashkepjesëmarës të luftës nëpërmjet bashkëqeverisjes në kuadër të qeverisë të koalicionit të gjërë pavarësisht nga ndarja e tyre në moderator dhe radikal lufte.

Duke pasur parasysh se edhe pas zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare me IRJM do të bashkëqeverisë njëra nga dy partitë kryesore maqedonase, me gjasa reale ajo të jetë LSDM-ja, perspektivat e implementimit praktik të reformave ndëretnike ngelin problemore sepse nuk dihet partneri politik shqiptar si pjesa e dytë e kësaj bashkëqeverisje.

Tek kampi politik shqiptarë ekzistojnë dy alternativa në qarkullim:

1. Koalicioni zgjedhor i përbashkët i PPD-së, PDSH-së dhe subjektit politik të krahut të luftës ,ose

2. Konkurimi garues politik i tre subjekteve në fjalë dhe arritja e një marrëveshje politike postelektorale për pjesëmarrje proporcionale në disa segmente të pushtetit konform peshës elektorale në mision të ndarjes proporcionale të përgjegjësis për implementimin e marrëveshjes në fjalë.

Alternativa e parë në esencë do të thotë përsëritje e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1998, dhe vënjen e elektoratit shqiptarë para aktit të kryer të votimit të personaliteteve publike politike tashmë kryesisht të konsumura me përjashtim të ndonjë figure të re politike të kandiduar nga krahu politik i luftës.

Autori preferon alternativën e dytë, ate të konkurencës si parim kryesor për zhvillimin e demokracisë ndërshqiptare me në epiqendër zgjedhjen e kuadrove më cilësore si garancë kryesore për implementimin praktik të reformave politike në pjesën që do të jenë në përgjegjësinë dhe kompetencën e faktorit shqiptar.

Çka na mëson praktika e deritashme e funksionimit të qeverive të koalicionit të partive maqedonase dhe shqiptare

Resorët kryesor qeveritar të mbrojtjes, sigurimit shtetëror, kundërzbulimit, diplomacisë, arsimit, policisë, bankës kombëtare, financave, doganave dhe autoriteteve fiskale, i kanë menaxhaur kryesisht kuadro dhe stafe menaxheriale të partive politike maqedonase të përkrahura nga administrata kryekëput maqedonase e pareformuar.

Perspektiva e implementimit praktik të reformave lokale, gjuhësore, arsimore dhe të punësimit të drejtë në këto institucione do të jetë mjaftë problemore nëse vazhdon praktika e vjetër e menaxhmentit me kuadro maqedonase të institucioneve dhe organeve në fjalë.

Me përjashtim të faktit që qeveria amerikane ka marrur obligim të afatizuar të trajnon dhe financon aftësimin e dy kontigjenteve prej nga 500 policë shqiptarë për vitin 2002 dhe 2003, nuk ekzistojnë garancione dhe afatizime konkrete të tjera për realizmin e reformave në sferat tjera.

Shqetësimi i autorit buron nga fakti se pikërisht bartësit e funksioneve udhëheqëse në kuadër të resoreve të përmendura janë projektuesit, realizuesit dhe mbikqyrësit e politikave ekzekutive në rrafshin vertikal dhe horizonatal institucional.

Një paralele në këtë drejtim me administratën ndërkombëtare karshi shqiptarëve të Kosovës, do të mund të krahasohej edhe me rastin e shqiptarëve të IRJM-së, me të vetmin dallim që rolin e ndërkombëtarëve në Maqedoni e kanë sllavomaqedonasit, ndërsa pozita dhe roli i shqiptarëve në të dy anët e kufirit shqiptarë do të jetë i ekuilibruar në aspekt të ndikimit në organet dhe institucionet e pushtetit. 

Analog me konstatimin e mësipërm nuk ekziston e drejta e normuar me marrëveshjen në fjalë, se funksionet udhëheqëse në kuadër të organeve dhe institucioneve të qeverisë të të gjitha niveleve do të ndahen në mënyrë të drejtë (pjesërisht përpjestimore) nga subjektet politike të provinencës maqedonase dhe asaj shqiptare konfom peshës elektorale dhe kombëtare.

Një difekt i kësaj natyre, duke pasur parasysh faktin se edhe më tutje do të kemi pushtetin e qendërsuar, gati se në mënyrë absolute në kuadër të resoreve kryesor qeveritar së bashku me administratën kryesisht maqedonase dhe të pareformuar, do të përbën njërën nga pengesat kryesore të zbatimit praktik dhe në kohën e pritur (projektuar) të reformave lokale, gjuhësore, arsimore dhe kuadrovike.

Është pikërisht administrata publike ajo strukturë e pareformuar e cila në bazë të rekomandimeve obligative të FMN-së dhe Bankës Botërore duhet të zvogëlohet për afro 20 mijë të punësuar gati se kryesisht maqedonas. Në bazë të disa deklaratave të paverifikuara të disa politikanëve aktual shqiptarë duhet në periudhën e ardhëshme 4 vjeçare të punësohen afro 20 mijë shqiptarë.

Nëse një vlerësim i kësaj natyre del i saktë, atëherë duhet të nxirren nga puna afro 40 mijë maqedonas të punësuar në sektorin publik shtetëror me qëllim të zbatimit të reformave ndëretnike dhe të reformave në kuadër të procesit të tranzicionit.

Dilema e papërgjigjur për autorin është, a thua vallë cili është ai subjekt politikë maqedonas që realisht do të realizon një reformë të kësaj natyre?

Pjesëmarrjes së ardhëshme në qeverinë e koalicionit politik maqedono-shqiptarë duhet t’i paraprijë platforma e bazuar në marrëveshjen e arritur për reformat ndëretnike me bartes, mjete financiare dhe afate strikt të definuara për implementimin e marrëveshjes dhe qeverisjes me shtetin nën monitoringun efektiv ndërkombëtar si garantues të implementimit të reformave ndëretnike.

Reformat gjuhësore janë te varuara nga hapsira kushtetutare e ngusht e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe të paraparë me marrëveshjen në fjalë, do të jenë një nga sfidat e para në drejtim të reformimit gjuhësor të sistemit që do të duhet të implementohet praktikisht nga parlamenti dhe qeveria e re. Duhet thënë me kompetencë se me Marrveshjen e Ohërit gjuha shqipe nuk është gjuhë e dytë zyrtare , shqipja është gjuhe zyrtare vetëm në nivel lokal në ato komuna ku shqiptaret janë mbi 20%.

Konfrontimi verbal politik në mes të z. Trajkovskit dhe të z. Xhaferri gjatë ceremonialit të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe, dëshmoi edhe një herë se përkundër faktit që dokumenti është nënshkruar interpretimi lokal i të njejtit dallon varësisht se cila palë bënë interpretimin praktik të tijë.

Fakti që marrëveshja e paqës e shkruar në anglishte është versioni i vetëm valid, jep shpresë së ndërkombëtarët nuk do të lejojnë interpretimin dualist të normes së njejtë juridike.

Mirëpo, ngel shqetësimi real se z. Trajkovski nga pozita e kryetarit të shtetit ka mundësi reale të bllokon dhe të zvarrit miratimin dhe implementimin praktik të reformave në fjalë.   

Reformat në arsimin sipëror në gjuhën shqipe të parapara me marrëveshjen në fjalë, ofrojnë alternativën e ngjajshme me Kolexhin e Shtulit plus para shtetërore për institucione të ngjajshme gjatë funksionimit vijues dhe pas përfundimit të financimit ndërkombëtar. 

Universitetit të Tetovës i ngel alternativa e riregjistrimit të tijë konformë legjislacionit ekzistues arsimor me mundësi finacimi nga buxheti i shtetit ose alternativa e bashkimit me UEJL-në në kuadër të një institucioni të përbashkët.

Koincidencë rasti apo jo, por me marrëveshjen në fjalë do të pushojnë së funksionuari dy projektet e vetme kombëtare që në dekadën e shkuar sfiduan praktikisht pushtetin sllav në sferën e arsimit sipëror shqiptar Universiteti i Tetovës dhe në sferën ushtarake Ushtria Çlirimtare Kombëtare.           

Në cilin segment të implementimit të marrëveshjes do të participojnë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, kjo strukturë që prodhoi marrëveshjen në fjalë. Në pjesën politike të marrëveshjes Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk përmendet në asnjë segment të sajë si subjekt aktiv në implementimin e marrëveshjes. Një qëndrim i kësaj natyre përjashton mundësin e transformimit të UÇK-së. Ushtria Çlrimitare Kombëtare trashigon fatin e pafat të UÇPMB-së si strukturë ushtarake, dmth ajo zhbëhet.

Amnistia e përgjithshme e ofruar nënkupton mundësin e integrimit dhe risocializmit individual të pjestarëve të UÇK-së nën kushte të barabarta me qytetarët e tjerë në institucionet publike të të gjitha spektreve.

Në marrëveshjen në fjalë nuk është paraparë që amnestioni në fjalë të përfshirë edhe shqiptarët e shumtë të cilët gjatë luftës në vijim padrejtësisht janë burgosur, gjykuar dhe dënuar dhe që aktualisht gjinden në burgjet maqedonase ose mbahen pengje pa nam e nishan për familjarët e tyre nga strukturat paramilitare dhe zyrtare maqedonase.

Duhet të konstatohet se marrëveshja në fjalë dhe në veçanti politikat e implementimit në sferën policore dhe të tjera që tashmë kanë filluar në masë të konsiderueshme, do të realizojnë synimin e palës maqedonase që strukturat më meritore të UÇK-së të mos kenë mundësi integrimi në strukturat e sigurisë të IRJM-së, fakt ky që është një lëshim tepër i madhë i palës negociatore shqiptare.    

Dokumenti në fjalë nuk barazon statusin e luftëtarëve dhe dëshmorëve shqiptarë me ato të proviniencës sllavofolëse dhe si pasojë e një qëndrimi të këtill bëhet problematike, për të mos thënë ndalohet, përkujtimi, respektimi dhe kompensimi meritor institucional i tyre.

Një mosnormim i kësaj natyre do të pamundëson ngritjen e lapidarëve dhe përmendoreve publike, emërtimin e institucioneve publike me emrat e dëshmorëve të lirisë dhe së fundi do të pamundëson inkorporimin e epopes së lavidshme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëatre në historinë kombëtare më të re të shqiptarëve të IRJM-së.  

Alternativa e transformimit politik të strukturave të UÇK-së në subjekt legal politik përkrah arsyeve tjera duhet të jetë edhe në mision të mbrojtjes të inetersave të pjestarëve të sajë, dëshmorëve të lirisë dhe përkujdesjes për të hendikepuarit dhe për familjet e dëshmorëve.

Pavarësisht se cila nga alternativat e analizuara do të jetësohet, kombi shqiptarë në IRJM e ka detyrim moral dhe kombëtar parësor të përkujton me epitetet më të larta kombëtare dëshmorët e lirisë nga të gjitha trojet etnike dhe të përkujdeset për familjet e tyre dhe për të hendikepuarit e luftës.     

        

A mundet rebelimi i disa strukturave të UÇK-së dhe formimi i AKSH-së të rrezikon zbatimin e marrëveshjes nëpërmjet riciklimit të konfliktit të armatosur?

Të gjthë luftëtarët e lirisë të cilët luftuan nën flamurin dhe emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duhet ta pranojnë faktin se tashmë kryengritja e armatosur shqiptare në IRJM përfundoi me aktin e nënshkrimit të marrëveshjes në Shkup.   Vazhdimi i mëtejm i luftës guerile nën firmën e AKSH-së, ose të ndonjë firme tjetër militare, detyrimisht do të konfronton këto struktura me strukturat ushtarake të paktit NATO, konfrontim ky që duhet me çdo kusht të evitohet sepse si i tillë ai është vetëshkatërrues dhe i paperspektivë.

Pavarësisht që ekzistojnë arsye për pakënaqësi me përmbajtjen e marrëveshjes në fjalë, e njejta duhet të respektohet si zgjidhje kompromisi që në instancë të fundit iu imponua palëve në konflikt nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.

Të ripërsëris: Kryengritja e armatosur shqiptare përfundoi.

Këtë vendim të shtabit të përgjithshëm dhe të udhëheqësis politike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëatre duhet ta respektojnë të gjithë luftëtarët shqiptarë pa përjashtim, pse? Sepse alternativa tjetër aktualisht nuk ekziston.

Roli i faktorit ndërkombëtar në procesin e zbatimit të marrëveshjes

Konflikti i armatosur sllavo-shqiptar që tashmë i lëshon vendin paqes, përveç viktimave njerëzore dhe materiale krijoi armiqësi të shumta të ndërsjella. Sipas dokumentit të analizuar, faktorit ndërkombëtar i është përcaktuar roli i lehtësuesit, mbikëqyrësit dhe asistuesit në implementimin e marrëveshjes në fjalë.

Roli në fjalë është përcaktuar në suaza të detyrimeve që IRJM i ka pranuar me aktin e nënshkrimit të marrëeveshjes për asociim dhe stabilizim.Pikërisht një rol i cunguar i kësaj natyre do të paraqitet ndër pengesat kryesore për zbatim të sukseshëm të marrëveshjes në fjalë në kuadër të kornizës kohore të normuar me dokumentin në fjalë.

Mandati i përkohshëm i përcaktuar për trupat e NATO-s, është mangësia kryesore e implementimit të suksesshëm të marrëveshjes në fjalë në aspekt të sigurisë së qytetarëve shqiptarë në zonat e luftës dhe në territoret ku ato janë pakicë. Mandati i NATO-s, synon zhbërjen e vetëm njërën palë të konfliktit por nga vetë fakti që është në kohë dhe me mandat të kufizuar, nuk ofron garancione të mjaftueshme se pala tjetër ajo militare dhe paramilitare maqedonase nuk do të keqpërdor situatën e re në dëm të popullsisë vendore shqiptare.

Thënë më qartë, pavarsisht nga mandati i cunguar i faktorit ndërkombëtar, pa pjesëmarrjen dhe mbikqyrjen e drejtpërdrejt të tijë, marrëveshja në fjalë do të jetë vetëm një letër e pavlefshme dhe do të shërbejë si monedhë për qërim hesapesh politike në arenën politike të Maqedonisë.

 

Për fund:

Rikthimi i të gjithë të zhvendusurve pa përjashtim, dhe ndërtimi i të gjitha objekteve banesore dhe ekonomike të rënuara gjatë luftës që e lëmë pas, është përparësia e të gjithë përparësive dhe parakusht i fillimit të mrëbesimit reciprok.

Vullneti i mirë dhe fondet finaciare dhe materiale të faktorit ndërkombëtar duhet të jenë vetëm një burim alternativ krahas mjeteve buxhetore shtetërore si alternativë kryesore e rindërtimit të pasluftës.

Zymtësia tepër transparente e lidershipit sllavomaqedonas gjatë aktit të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes dhe injorimi i plotë i aktit të tillë nga mediumet maqedonase paralajmërojnë tensionime të reja në territore të ndryshme të Maqedonisë, përderisa trupat e NATO-s nuk vendosen në to, prandaj kujdes maksimal për të gjithë papërjashtim.

Pala maqedonase tashmë është e sigurtë se do të kushtëzoj implementimin e pjesëve të konsiderueshme të marrëveshjes në fjalë, me koncesione dhe grante financiare në mision të relativizimit dhe parandalimit të kryengritjes sociale maqedonase që tashme mezi pret të zëvendëson kryengritje e armatosur shqiptare.

Pasojat ekonomike dhe sociale të luftës që tashmë e lëmë pas, dukshem kanë rritur varfërinë e qytetarëve, kanë zvogëluar në masë të konsiderueshme aftësinë konkuruese dhe zhvillimore të ekonomisë vendore, dhe kanë rritur deficitin në buxhetin shtetëror në nivelin më të lart të periudhës transitore dhe për pasojë kanë radikalizuar deri në ekstremet më të larta kontradiktat shoqërore të të gjithë spektrit në IRJM.

Në një ambient të këtillë politik, ekonomik, social dhe ndëretnik implementimi i reformave ndëretnike do të shoqërohet nga një presion permanent i të gjitha radikalizmave dhe ekstermizmave të të gjitha llojeve, me objektiv dhe në mision të dështimit të implementimit praktik të marrëveshjes dhe të destabilizimit të sërishëm të IRJM-së.

Klasa e re politike e dalur nga zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, dhe në veçanti qeveria e re dhe në atë kuadër pjesa shqiptare e sajë, do të bart përgjgjësinë historike të implementimit praktik të suksesshëm ose të dështimit të marrëveshjes në fjalë.

Suksesi eventual do të dëshmonte se shqiptarët përveç se dinë të bëjnë luftën, ato dinë të ndërtojnë edhe paqe me perspektivë konformë trendeve bashkë-kohore integrative dhe stabilizuese. Alternativa e dështimit të projektit multietnik në fjalë do të destabilizon përfundimisht këtë shtet dhe do të riaktualizon seriozisht alternativën e ridefinimit territorial të Ballkanit në baza monoetnike.

Alternativa e ripajtimit të palës maqedonase dhe asaj shqiptare dhe ndërtimit të një ardhmërie me perspektivë zhvillimore, do të varet nga përgjegjësia dhe vizioni i elitave të tyre politike dhe të spektrit më të gjërë kombëtar në bashkëveprim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar.    

Dilema hamletiane për ripajtimin dhe koekzistencën paqësore paralele njëri për skaj tjetrit të komunitetit sllavë dhe shqiptarë në kuadër të marrëveshjes kornizë në IRJM, merr përgjigjen pozitive nga autori i analizës në fjalë pasiqë kjo është alternativa e vetme zhvillimore që ofrohet aktualisht. 

Publikuar në : ZËRI, LOBI, LIRIA KOMBËTARE, FAKTI, gusht 2001

Sqarim:Teksti i botuar në gusht të vitit 2001 ka pasqyruar  në  mënyrë shumë objektive  realitetin politik që e kemi edhe pas dhjetë vitesh të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit .