15Dhjetor2017

Regjistrimi, për të besuar saktë duhet filluar nga dyshimi

15.08.2011

Prof.dr. Izet Zeqiri

Numri i popullsisë është kategori dinamike, çka do të thotë se në mënyrë të vazhdueshme duhet të bëhet përcjellja e popullsisë, pasi që ajo paraqet nevojë ekonomike dhe shoqërore për çdo vend të botës. Por, në Maqedoni edhe nevojë politike, pasi që me kushtetutë dhe me ligje, të drejtat e shqiptarëve janë të lidhur me lëvizjet e numrave. Sot të gjitha shtetet duke u bazuar në studimet demografike i mbledhin, i analizojnë trendët dhe të dhënat statistikore për popullsinë e tyre, duke kryer regjistrime (sondazhe sistematike të planifikuara) për të njohur dinamikën e ndryshimit të popullsisë. Shumica e studimeve demografike prirjen e kanë të jenë statistikor duke regjistruar dhe analizuar të dhënat e popullsisë. Në këtë drejtim edhe studimet demografike në Maqedoni janë të orientuara kah analiza e popullsisë, regjistrimi i popullsisë, i cili do të sigurojë një tablo të saktë të shtimit të popullsisë në Maqedoni.

 

Në shumicën e vendeve në çdo dhjetë vjet bëhet regjistrimi i popullsisë, ndërsa studime pilot bëhen edhe më shpesh. Shikuar historikisht, regjistrimet e realizuara deri tash në Maqedoni janë bërë në vitin: 1953, 1961,1971, 1981, 1991 (dhe 1994 mos pranimi i rezultateve) dhe regjistrimi i fundit i realizuar në vitin 2002 pas tri prolongimeve, prolongimi i parë ishte prej 1 Prillit të vitit 2001, i dyti prolongim ishte në vjeshtën e 2001 dhe i treti u caktua prej 1 Prilli të vitit 2002. Të gjitha këto prolongime janë bërë për arsye më të njohura për të gjithë për shkak të situatës pas luftës që ka mbretëruar në Maqedoni dhe mos besimit të shqiptarëve lidhur me definimin real të strukturës nacionale të popullsisë. Edhe ky regjistrim i vitit 2011 e ka fatin e regjistrimit të vitit 2002, duke u bazuar në problemet me të cilat hasen në këtë proces dhe prolongimet që iu bën.

Statistikat demografike nuk kanë qenë tërësisht të përpikta

Shqiptarët nuk u kanë besuar të gjitha regjistrimeve të popullsisë. Ato nuk u kanë besuar statistikave shtetërore lidhur me numrin e popullsisë shqiptare si në ish-Jugosllavi poashtu edhe në Maqedoni. Arsyet për këtë mosbesim qëndrojnë në mostransparencën dhe në mossigurimin e kushteve minimale teknike-organizative, juridike dhe politike për regjistrim nga ana shtetit. Shqiptarët nuk kanë pranuar të dalin në regjistrim ose pjesërisht e kanë refuzuar regjistrimin, sepse janë frikësuar nga manipulimet e ndryshme lidhur me numrin e popullsisë. Ata kanë pasur dyshime në përdorimin e koncepteve statistikore bazë nga demografët në ndjekjen e ecurisë së popullsisë, siç janë koeficienti i përgjithshëm i lindshmërisë, pjellorisë, koeficienti i përgjithshëm i vdekshmërisë etj, të cilat e determinojnë rezultatin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni. Në vazhdën e këtyre dyshimeve bën pjesë regjistrimi i vitit 1991, i cili u bojkotua nga shqiptarët, pastaj regjistrimi i vitit 1994 si një proces human dhe i rëndësishëm, i cili u realizua me qëllim që të korrigjojë regjistrimin e vitit 1991, në mbikëqyrje të Këshillit të Evropës nuk dha një pasqyrë të plotë të popullsisë në Maqedoni. Në bazë të të dhënave statistikore të vitit 1994 Maqedonia ka pasur 1 945 932 banorë, mirëpo vlerësimet e Entit Shtetëror të Statistikës më 31.12.2000 kanë qenë se në atë kohë në Maqedonia ka pasur 2 031 112 banor. Këto devijime në numrin e popullsisë janë si rezultat i asaj se regjistrimi i popullsisë në vitin 1994 nuk ka qenë i tërësishëm, ai ka qenë i vlerësuar edhe si jo i plotë për arsye të bojkotit të një pjese të madhe të popullsisë shqiptare. Regjistrimi i vitit 2002 ka qen më i pranuar, ku numri i popullsisë në Maqedoni ka qenë 2.022.547, analizuar në strukturë nacionale: maqedonas 1.297.981 gjegjësisht 64,18%; shqiptarë 509.083 në përqindje 25,17%; turq 77.959 ose 3,85%; rom 53.879 ose 2,66%, vlleh 9.695 ose 0,48%, serb 35.939 ose 1,78%, boshnjak 17.018 ose 0,84% dhe të tjerë 1.04%.

Dinamika e shtimit të shqiptarëve, bazë për prognozë

Po të analizohen të dhënat lidhur me lindjen, vdekjen dhe shtimin natyror të popullsisë, gjegjësisht të analizojmë natalitetin si një komponentë dinamike, mortalitetin si komponentë negative e lëvizjes së popullsisë dhe shtimin natyror të popullsisë, që paraqet dallimin midis numrit të të lindurve dhe të të vdekurve në një mijë banorë në një periudhë të caktuar kohore, do të mundë të paraqitet ecuria e lëvizjes së popullsisë dhe norma e shtimit natyral të popullsisë në Maqedoni. Duke analizuar natalitetin dhe mortalitetin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë sipas përkatësisë etnike, do të shohim tendencat e lëvizjes së popullsisë nga e cila rrjedhë rritja apo zvogëlimi i numrit të popullsisë. Në analizë si ekzemplarë janë marrë të dhënat e shtimit të popullsisë sipas përbërjes etnike të vitit 2008, 2009 dhe 2010. Të dhënat statistikore flasin qartë që në periudhën 2008-2010 konform vjetorëve statistikorë për vitet 2008, 2009, 2010 numri i maqedonasve është zvogëluar për - 5368, numri i vllehve për -104, numri i serbëve për -771 përderisa numri i shqiptarëve është rritur për 13385, i turqve 1812, numri i romëve është rritur 3751, boshnjakët për 271. Në qoftë se bëhet një analizë e thjeshtë duke marrë par bazë rezultatet nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2002 si dhe të dhënat për lëvizjen natyrore të popullsisë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2008, 2009 dhe 2010, vërehet qartë një zvogëlim i pjesëmarrjes së popullsisë maqedonase në numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend dhe krahas kësaj një rritje e pjesëmarrjes së popullsisë shqiptare në të. Pra, në bazë të projeksionit të kryer, vetëm për periudhën 2008, 2009, 2010 pa analizën e pesë viteve tjera nga 2002- 2007, pjesëmarrja e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë duhet të jetë më së paku 25.66%, pra shënon një rritje prej 0.49 pikë përqindëshe. Kjo përqindje nuk është e plotë sepse përfshinë të dhënat e vitit 2008-2010. Një simulim tjetër më i përafërt ku për periudhën 2008, 2009 dhe 2010 janë shfrytëzuar të dhënat e Entit statistikorë, ndërsa për periudhën pesëvjeçare nga viti 2002, 2003, 2004, 2005, 2006 në mungesë të të dhënave janë shfrytëzuar të dhënat e vitit 2010 që kanë tendenca pothuajse të ngjashme me devijime të vogla, do të nxjerrë në sipërfaqe prognozën e strukturës vijuese etnike të popullsisë në Republikën e Maqedonisë. (Tabela 1).

Prognozat analitike të bazuara në të dhënat shtetërore të statistikës, aq sa janë të besueshme, tregojnë se shqiptarët sipas regjistrimit të 2011 duhet të jenë mbi 26.38% e popullsisë së Republikës së Maqedonisë. Këtë e dëshmon nataliteti dhe shtimi i popullsisë i shprehur në komunat ku popullsia shqiptare është shumicë, ku dallimi midis lindjeve dhe vdekjeve është pozitiv, përkundër dallimit negativ ose të ulët në shumicën e komunave ku popullsia maqedonase është shumicë. Të dhënat e sipërme konfirmohen pasi gati se te të gjitha komunat me popullsi shumicë shqiptare kemi trend pozitiv të lëvizjes së shtimit të popullsisë, ndërsa te komunat me popullsi shumicë maqedonase vërehet një trend negativ i rritjes së popullsisë. Në Komunën e Tetovës shtimi është 73, kurse në komunën e Manastirit është -71 , në Gostivar 38, në Prilep -19 , Ohër është -2, kurse në Strugë 39, Studeniçan 79 kurse në Gjorçe Petrov 11, etj.

Dyshimet për manipulim

Shqiptarët, duke e ditur rëndësinë e strukturës nacionale të popullsisë në Maqedoni për zhvillimin ekonomik-shoqëror dhe politik, në mënyrë të vazhdueshme duhet kërkuar një transparencë më të madhe në regjistrimin e popullsisë që të fitohet numri real i shqiptarëve në Maqedoni. Çështja e regjistrimit të popullsisë nuk guxon të sakrifikohet dhe të justifikohet pas formulës së "drejtësisë ndërkombëtare", se ai do të vëzhgohet nga Këshilli i Evropës dhe Eurostat-i, por ai duhet të ndiqet institucionalisht nga ekspertë shqiptarë të vendit, me qëllim që të mos ngadhënjejë sërish ai fat i "verbër" dhe i "padrejtë" historik lidhur me numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Sepse me gjithë metodat rigoroze të mbledhjes së të dhënave, përvojat tregojnë se statistikat demografike nuk janë tërësisht të përpikta, pasi shumë njerëz nuk janë të regjistruar në statistika zyrtare të popullsisë, shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni nuk kanë as të dhëna për veten e tyre. Në bazë të ligjit të ri nuk do të kenë mundësi të regjistrohen punëtorët që punojnë në botën e jashtme e që janë me qëndrim më shumë se një vit jashtë, e kështu me radhë. Ndryshimet e ligjit mbi regjistrimin e popullsisë dhe problemet rreth procedurave statistikore ekzistuese jotransparente deri në fund për regjistrimin e popullsisë, paraqesin një dyshim për regjistrimin që do të realizohet. Jo rastësisht te shqiptarët mbizotëron mendimi se për të besuar saktë në statistikat demografike, duhet t'ia fillojmë nga dyshimi se mund të bëhen manipulime. Për këtë arsye duhet të dëgjohen sugjerimet e ekspertëve shqiptarë, qoftë demografë e qoftë ekspertë të tjerë, të cilët i njohin mirë çështjet statistikore dhe konceptet bazë të demografisë si në Komisionin shtetëror të regjistrimit të popullsisë ashtu edhe jashtë tij.

(Autori është deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare)