15Dhjetor2017

RINIA SHQIPTARE NË MAQEDONI


14.08.2012 - Të ndodhur në Muajin e Shenjtë të Ramazanit ku aktivitetet fetare dhe shpirtërore janë në rritje, edhe skena politike shqiptare në këtë periudhë gjithashtu është më aktive se kurdoherë më parë, falë zgjedhjeve lokale që i kemi shumë afër. Si duket, vera e këtij viti karakterizohet me një dinamizëm të theksuar të aktiviteteve në shumë sfera dhe nga shumë kategori shoqërore. Shumëkush kësaj vere ka pasur dhe ka bërë diçka konkrete në të mirë të vetvetes dhe rrethit ku jetojnë. Në gjithë këtë fushë të madhe veprimi, vetëm zëri i rinisë shqiptare në këtë shtet të quajtur Maqedoni, si duket nuk po dëgjohet askund. Me të parë këtë situatë, fiton bindjen se në këtë shtet rinia është kategoria më e privilegjuar dhe të gjitha sendet i paska në “terezi” siç thotë populli. Por kur zbresim në realitetin që na rrethon në këtë vend, atëherë kemi një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që mendojmë se në të vërtet jetojmë.

Ka një kohë të gjatë që më brengos kjo situatë e pasivitetit të rinisë shqiptare në Maqedoni në skenën e ndryshimeve shoqëroro-politike. Nga 22 vite pluralizëm politik në Maqedoni, rinia shqiptare është rinia që asnjëherë nuk ngriti zërin për zhvillim dhe rrjedhën e ndonjë procesi të rëndësishëm shoqëror. Gjatë gjithë kohës së këtij pluralizmi të cunguar politik në Maqedoni, kanë ndodhur shumë ngjarje që në shumicën e rasteve kanë cenuar rëndë interesat e rinisë shqiptare dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, ngjarje që kane lënë pasoja të rënda për të ardhmen e kësaj rinie dhe të këtij populli të lashtë. Dhe në të gjitha këto ngjarje rinia shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë një rini më pasive në Evropë të cilën nuk e brengos shumë fati i saj dhe i popullit që i takon.

Ajo që më së shumti më nxiti në këtë temë të shkruaj dhe të apeloj deri tek të gjithë shokët e mi pjesëtar të rinisë së këtij populli, ishte leximi i librave të ndryshëm politikë në ngritjet dhe ndryshimet e regjimeve politike në botë. Si një nga ngjarjet më të famshme që ka bërë bujë në historinë botërore, kemi Revolucionin Borgjez Francez ku pjesëmarrës dominantë kanë qenë studentët e Parisit, të rinjtë francez të cilët arritën me forcën e tyre rinore që e posedon çdo rini e shëndoshë dhe e organizuar mirë, ta rrëzojnë dhe ta shkatërrojnë një sistem të egër te Luigjit XVI i cili aso kohe ishte i njohur si njëri ndër regjimet më të egra të Evropës.

Pse të gjitha rinitë e Evropës dhe botës luftojnë dhe mbrojnë çdo pëllëmbë të interesit dhe dinjitetit të tyre? Pse rinia shqiptare në këtë vend nuk po organizohet që të marrë fatin e vet në duart e veta, pse ne të rinjtë e këtij vendi duhet të jemi ende “servilë” dhe “hyzmeqarë” të ndonjë interesi të vogël që na e cakton dikush tjetër, e i cili interes nuk ka aspak vlerë të madhe aq sa është kapaciteti dhe vlera e dinjitetit tonë rinor?

-Para disa muajsh kishim një vrasje në Gostivar, na u vranë dy shokët tanë, u mundua rinia shqiptare të organizohet dhe organizoi një protestë bukur të mirë për të ngritur zërin kundër këtij akti kriminel barbar që vrau të rinjtë shqiptarë në pragun e shtëpisë së tyre. Protesta kaloi për mrekulli, organizimi ishte për mrekulli, por ÇKA NDODHI pas asaj proteste ? Gjithçka u shua, gjithëçka u harrua. Të rinjtë nga i gjithë rajoni treguan se dinë të organizohen kur e do nevoja, mirëpo nuk dimë që këto lloj organizimesh t’i materializojmë. Protesta mbaroi shkuam të gjithë nëpër shtëpitë tona dhe nga ajo ditë zëri jonë si të rinj nuk u dëgjua, edhe sot kur po e shkruaj këtë shkrim kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe ne ende nuk e dimë se çfarë u bë me vrasësin e shokëve tanë, ku gjendet ai dhe çfarë është duke bërë, ne të rinjtë e këtij vendi ende nuk e dimë se a do të dënohet ai për krimin që bëri ? Me këtë ne i japim një mesazh të qartë vetes sonë se në këtë vend mund të të vrasë kush të dojë dhe aspak mos japë llogari para askujt për atë që ka bërë.

Element tjetër diskriminues që tangon rininë shqiptare në këtë shtet, është edhe çështja e arsimit në të gjitha nivelet. Të rinjtë shqiptarë në çështjen e arsimit dhe ngritjes së tyre arsimore, janë ndër të rinjtë më të diskriminuar dhe të nëpërkëmbur si nga shteti në të cilin jetojnë, ashtu edhe nga strukturat partiake shqiptare që i përfaqësojnë në institucionet më të larta shtetërore.

Një problematikë e kësaj natyre ka një kohë të gjatë që më ka preokupuar por ja që tani erdhi momenti që ta them. Kam qenë student në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi të Shkupit dhe kam analizuar procedurat administrative në këtë universitet. Si student i fakultetit juridik - shkencat politike në kuotën shtetërore, procedura administrative e paraqitjes së një provimi ishte 70 denarë (50 denarë taksa administrative dhe 20 denarë fletëparaqitja), ndërsa në bisedat që kisha me shokët e mi që studionin në USHT më tregonin se një paraqitje provimi në këtë institucion është 150 denarë. Dhe menjëherë lind pyetja këtu, ku është dallimi mes USHT si Universitet shtetëror shqiptar dhe Universitetit Shën Kirili dhe Metodi me shumicë maqedonase? Që të dy universitetet janë shtetërorë, në të dy universitetet mësojnë studentë dhe të rinj që janë shtetas të këtij vendi. I vetmi dallim që ekziston, është se në njërin universitet mësojnë të rinj shqiptarë dhe në tjetrin shumica maqedonase. Nga i gjitë ky diskriminim që është bërë në gjithë këto vite të ekzistimit, të rinjtë shqiptarë asnjëherë nuk e ngritën zërin e tyre që të pyesin se pse ky diskriminim dhe kjo vjedhje u bëhet vetëm shqiptarëve, pse paratë e prindërve tanë shkojnë në xhepat e disa funksionarëve politikë të strukturave aktuale politike? Pse asnjëherë, që nga zyrtarizimi i USHT-së nuk jemi ulur ne si të rinj që të bëjmë një llogari se ku shkojnë paratë tona dhe kush pasurohet me ato para. Do ta bëjmë një matematikë të thjeshtë për të dalë tek disa shifra marramendëse të të hollave që dikush i vjedh nga studentët shqiptarë të USHT-së dhe i fut në xhepin e tij pa fijen e turpit. Në USHT sot studiojnë diku rreth 15.000 studentë. Një paraqitje e provimit në Shën Kirili dhe Metodi të Shkupit thamë që kushton 70 denarë, ndërsa në USHT 150 denarë për të njëjtin shërbim. Dallimi për një provim që paguajnë studentët shqiptarë të USHT-së është 80 denarë. Nëse llogarisim këtë dallim nga 15.000 studentë të paguajnë 80 denarë më shumë se kolegët e tyre në Shën Kirili dhe Metodi të Shkupit, del se studentët shqiptarë të USHT-së paguajnë 1.200.000 denarë më shumë se kolegët e tyre maqedonas. Mos të harrojmë se bëhet fjalë vetëm për një provim, e nëse e marrim një mesatare të çdo studenti nga 10 provime gjatë një viti studimor, atëherë na del një shifër marramendëse prej 12.000.000 denarë, që nëse e përkthejmë në euro del diku rreth 200.000 euro më shumë studentët shqiptarë të USHT-së paguajnë për studimet e tyre për një vit akademik. Për këtë rast duhet të ngrihet zëri i arsyes, zëri i rinisë, zëri i studentëve shqiptarë për të mbrojtur interesat e tyre. Nuk duhet ne të rinjtë shqiptarë të rrimë duarkryq dhe të shohim me sytë tanë që dikush pasurohet në kurrizin tonë. Duhet të ngremë zërin dhe të pyesim strukturat udhëheqëse partiake në USHT dhe në të gjitha nivelet ku dikush i përfaqëson shqiptarët se këto 200.000 euro në vit që dikush i vjedh nga studentët shqiptarë të USHT-së, në xhepin e cilit funksionar përfundojnë, kush pasurohet me paratë e studentëve shqiptarë???

Ndoshta kemi edhe shumë diskriminime që po i bëhen popullit tonë të shumëvuajtur në këtë vend dhe rinisë sonë të mirë, por me këtë rast do e lëmë me kaq për të vazhduar në ndonjë rast tjetër. Këto që cekëm këtu le të ngelin vetëm një shtytje për një fillim të një “pranvere rinore” në Maqedoni e cila do të çojë drejtë një zgjimi dhe organizimit të mirfilltë të rinisë shqiptare në këtë vend.

Në fund do të desha tu sqarohem shokëve të mi, rinisë shqiptare në Maqedoni, nëse i gjithë teksti duket si një kritikë ndaj rinisë mos e keqkuptojmë atë si një tekst kundër rinisë. Përkundrazi, këto fjalë që u cekën këtu, të gjitha janë kritika pozitive të cilat duhet të na motivojnë për një të ardhme më të mirë. Këto që po na ndodhin, të ndikojnë në ne për të na i hapur sytë që mos qëndrojmë duarkryq, por të njohim dhe vlerësojmë kapacitetin tonë rinor dhe të jemi të bindur në forcën tonë të ndryshimeve. Ne mundemi, ne kemi forcën për të ndryshuar të ardhmen tonë dhe të ardhmen e brezave të rinj që do vijnë pas nesh. Çka na duhet neve? Na duhet organizim, na duhet që të zgjohemi nga gjumi i nënçmimit dhe i shkatërrimit tonë. Rinia është periudha më e ndritshme e jetës njerëzore. Nëse ne sot në këtë kohë ndryshojmë të ardhmen tonë, atëherë kemi ndryshuar botën tonë. Prandaj të nderuar shokë të mi, të gjithë ju të rinjtë e këtij vendi, TË MARRIM FATIN TONË NË DUART TONA, mos të lejojmë që askush të nëpërkëmbë krenarinë tonë rinore. NUK KA GJËSENDI ME VLERË NË BOTË QË MUND TA BLEJË DHE NËPËRKËMBË DINJITETIN E RINISË SHQIPTARE.

Autori është magjistrant i marrëdhënieve ndërkombëtare, njëherit dhe kryetar i Degës së RDK-së në Komunën e Vapçishtit