23Gusht2017

Boll ma!


Shpend Kaprolli

E tepruat dhe ia nxorët fundin!  Kjo klithmë më së miri do ta shprehte disponimin dhe qasjen time momentale ndaj shumë fenomeneve që na ndodhin si shoqëri. I shohim të gjithë,

i komentojmë nëpër kulluare por për fat të keq i ikim deklarimeve transparente aty ku duhet, “në sheshin e burrave” (kërkoj falje nga gjinia femërore për idiomën maskuline, por kështu e kemi ne shqiptarët). Situata të këtilla sjellin deri  në deformime shoqërore që janë katastrofale. Dukuria në fjalë nuk është dhe zbulimi ynë, janë dhe shoqëritë tjera që nuk mund të lëvdohen me të arritura,  por parashtrohet pyetja pse të matemi me të dështuarit?  Globalizmi me gjithë të këqijat që i ka si dukuri shoqërore, e ka edhe një të mirë. I eliminon kufijtë dhe njeriu ka qasje ndaj informatave, mjafton vetëm që të dijë se ku t’i kërkon. Njëri nga globalistët më me zë në botë Thomas Friedman do të thoshte The ëorld is flat (bota është e rrafshët). Mu për këtë arsye e kemi shumë të lehtë ta shohim veten tonë se ku ndodhemi në rangimet e ndryshme.
 Francis Fukuyama në “The end of history and the last man” popujt i ndan në ata që kanë guxim dhe janë sundimtarë dhe të tjerët që nuk kanë guxim dhe ngelin robër. Ajo që është shkaktare e kësaj qasjeje inferiore është konformizmi. Të jem më i qartë: bëhet fjalë për qasje inferiore dhe përjashtuese  dhe sipas kësaj  me fenomenet që kanë të bëjnë me zgjidhjet re problemeve politike duhet të merren vetëm një kategori e caktuar njerëzish (mendohet në politikanët). Kjo ide  është shumë e gabuar dhe për fat të keq katastrofale për popullin. Erich Fromm në “Arratisja nga liria” fenomenin e totalitarizmit respektivisht nazizmit në një shtet me tradita aq të gjata demokratike dhe civilizuese ia përshkruan konformizmit. Të jem më i qartë. Në momentet kur lëvizja naziste i likuidon një pjesë të elitës intelektuale që guxon të fletë haptas për fenomenet destruktive pjesa tjetër e popullatës nga frika e reperkusioneve, kalon në konformizëm dhe pret që problemin e tyre do ta zgjedhë dikush tjetër. Qëndron e kundërta dhe askush nuk e ndryshon gjendjen e një populli nëse të njëjtën nuk e bëjnë ata vetë. 

Ali Podrimja i ndjerë (apo Ali Taliani siç preferonin ta quanin miqtë e tij të afërm) në mesin  e poezive tjera që i arritën nivelet më të larta në poezinë botërore e ka edhe poezinë “Deri kur o Ali Podrimja?” një poezi kushtrim për ngritje e zërit kundër padrejtësive që i ndodhnin popullit kosovar/shqiptar gjatë komunizmit në ish Jugosllavi. Pyetja të cilën e parashtron ai është mjaft aktuale edhe sot tek ne këtu.  Nga t’ia nisim. Shkupi 2014, “zyrtarizimi” i gjuhës shqipe, simbolet kombëtare, ligje të ndryshme diskriminuese,  diskriminimi në investime kapitale kur janë në pyetje shqiptarët, dhe së fundi, sihariqi i radhës dhe kapaku i gjithë kësaj katrahure “sllobo i vogël” i kanoset kryekomandantit. Kryekomandanti me dinjitet hesht?! Më vjen pak keq për kryekomandantin (sepse një pjesë të fajit e ka vetë) por më vjen më shumë keq për popullin tim. Ndërlidhur me atë që thash më lartë, në kohën e deformimeve në fjalë, njëra pjesë e popullatës (kryesisht maqedonasit) angazhohet me punë të ndryshme ku realizohen projektet qindra milionëshe, të cilat përveç elementeve korruptive, japin mundësi që dikush të angazhohet me punë dhe të sigurojë ekzistencë. Projektet investive shkojnë kudo tjetër përveç Maqedonisë perëndimore. Në një takim me udhëheqësinë komunale të Strumicës na njoftuan se aty së paku pesë fabrika turke punojnë me sukses duke angazhuar një numër të konsideruar të punëtorëve. Llogariteni edhe turqit investojnë atje?! (sepse dikush i udhëzon ku të investojnë e ne nga ana tjetër vëzhgojmë heshturazi, “me dinjitet”). Pjesa më e madhe e mjeteve për arsimin e niveleve të ndryshme shkon gjithashtu atje ku shkonin edhe investimet tjera. Çka ndodh në kampusin tjetër, tek shqiptarët? Skena të shkollave ku mësojnë shqiptarët pa kushte elementare, raste ku nuk është vendosur as një gozhdë plot 80 vite me radhë, substandarde në shkollim, paperspektivë dhe zhgënjim. Rrugëdalje? Ikje nga vendlindja në vende të ndryshme të botës, sa më larg nga mëmëdheu. Nuk është i vogël i njerëzve të zhgënjyer që punojnë me të madhe në vatrat e krizës ku objektivisht rrezikohet ekzistenca e tyre. Boshatisen fshatrat, boshatisen qytetet. Këto janë padyshim refleksi i zhgënjimit nga gjendja aktuale dhe ata që një herë dalin jashtë vendlindjes është vështirë (pamundur) të kthehen këtu. Gjatë sezonit veror në Gostivar, Tetovë, Dibër e Strugë dëgjon çdo gjuhë përveç shqipes nga ana e “auslanderëve” tanë në Zvicër, Gjermani, Itali, Danimarkë e Amerikë. Deri kur….

Ajo që do të mund të thuhet se e karakterizon skenën politike shqiptare në përgjithësi dhe atë në Maqedoni në veçanti është mosbesimi. Askush nuk i beson askujt. Llogaritni, shekuj me radhë lëvdoheshim me virtytin tonë dallues që nuk e kishte asnjë popull në botë-besën. Çka ndodhi me këtë virtyt nacional?  Nuk ka njeri racional i cili do të ishte kundër bashkimit të faktorit shqiptar me qëllim të rritjes së relevancës së votës tonë. E dimë por përçahemi. Kujt i konvenon  kjo përçarje? (Personalisht nuk jam për njëmendësi po e kam fjalën për bashkëpunim kur bëhet fjalë për interesa kombëtare).  Për kë punon faktori politik shqiptar nëse vepron në kundërshtim me këtë interes? Nga kjo distancë kohore analizoj vullnetin e madh të një grupi të entuziastëve që e nisën lëvizjen për formimin e strukturës së parë partiake pas pluralizmit partiak në Maqedoni si dhe populli që aq me entuziazëm u angazhua që ta mbështesë këtë nismë.  Kam përshtypje lëvizjet pozitive në favor të faktorit shqiptar janë aq të vogla sa që sjellin një zhgënjim të skajshëm ter çdo person racional. Patriotizëm deklarativ me qëllim profiti (sidomos gjatë kampanjave zgjedhore), kuazi vlera në vendet kyçe qofshin ato politike, udhëheqëse apo akademike (respekt përjashtimeve), politizim i skajshëm i çdo poreje të jetës, partiakizim   banal edhe për punë që është turp të partiakizohen. Lista mund të zgjatet deri në pakufi.  

Dëshiroj që të mos të ngel vetëm në nivelin e konstatimit, sepse të njëjtën gjë me dallime në nuanca e bëjnë shumica e njerëzve. Secili është bërë “politikan” dhe i komenton fenomenet shoqërorë dhe politike sepse të njëjtat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ardhmërinë e tyre. Të mendojmë globalisht por të veprojmë lokalisht. Shansi zakonisht na jepet një herë brenda disa vitesh (në varshmëri nga zgjedhjet e parakohshme). Ta shfrytëzojmë armën tonë të vetme por shumë të fuqishme. Votën e lirë që është gjëja më e shtrenjtë. Të mendojmë para se ta rrethojmë ndonjërën strukturë partiake apo individ. Ta ndalojmë procesin e diskriminimit permanent që na ndodh dhe boll ma na kanosen “sllobot e vegjël”.