15Dhjetor2017

Në pushtet me besimin e popullit, tani me pasurinë e vet


04.01.2013 - Në rrethana jo të qëndrueshme ekonomike në Maqedoni, kohëve të fundit në rrumbullakësimin e procesit të privatizimit dhe rindërtimin e ndërmarrjeve ndodhin devijime. Partitë politike, si bartës të politikës ekonomike, duke u orvatur të promovojnë demokracinë ekonomike, në emër të kësaj demokracie krijojnë  prona partiake, me qëllim që këto prona të paraqiten si gurthemel për dominim ekonomik dhe shoqëror në të ardhmen.

Pavendosmëria e Qeverisë për marrjen e hapave të vendosura kundër korrupsionit dhe elementeve të tjera korruptive, ka mundësuar që sot të kemi  firma të korruptuara, të cilat parapëlqejnë ryshfetin, me qëllim që të sigurojnë hyrje në transaksione të caktuara të leverdishme si në vend, ashtu edhe jashtë tij. Format më flagrante  të korrupsionit në aktivitetet ekonomike i stimulojnë firmat  drejt lidhjeve me njerëz të pushtetit dhe me segmente të veçanta të veshura me pushtetet të cilët veprojnë duke e nëpërkëmbur autoritetin e ligjit.

 

Tranzicioni i sistemit ekonomik në Maqedoni karakterizohet me ndryshimet thelbësore, posaçërisht  me lirimin e tregut dhe formimin e organizmit të ri të tregut, privatizimin e pronësisë dhe rindërtimin e ekonomisë, si dhe të ndërmarrjeve.  Këto në fakt paraqesin një tërësi të ndërrimeve në procesin e tranzicionit në Republikën e Maqedonisë.

Kah mesi i vitit 1993 u nxor ligji për transformimin e ndërmarrjeve me kapital shoqëror, si një nga ligjet themelore për ndërtimin e sistemit të ri ekonomik, në bazë të të cilit u bë privatizimi i kapitalit shoqëror në Maqedoni. Ky proces ishte  i shoqëruar me shumë dobësi të mëdha, si në aspektin social-politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik, posaçërisht në përcaktimin joreal të vlerës së ndërmarrjeve, pagesat joreale, fiktive të aksioneve dhe të ngjashme. Ky proces vazhdon edhe sot e kësaj dite, sipas kësaj baze ligjore  vazhdon  procesi i filluar i transformimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe kalimi i tyre në ndërmarrje të mëdha dhe të vogla private,  publike , shtetërore dhe të përziera.

Detyrë themelore e këtij ligji është që të kryhet transformimi i atillë i ndërmarrjeve shoqërore, me çka do të shndërrohen në ndërmarrje ku do të përcaktohej pronari. Qëllimi i fundit i këtij transformimi, në realitet është që të realizohet shfrytëzimi sa më racional dhe sa më efikas i mjeteve të prodhimit dhe në përgjithësi ekonomia të vendoset mbi parimet e reja të tregut të veprimtarive ekonomike. Privatizimi nuk duhet të kuptohet si qëllim spontan, por si formë e domosdoshme e pronësisë, në këtë shkallë të zhvillimit, ku mund të realizohet shfrytëzimi më i arsyeshëm dhe më efikas i mjeteve të prodhimit.

A do të ndërpriten intervenimet politike (partiake) në ndërmarrje dhe ekonomi?

Struktura e re e krijuar e ekonomisë, e cila është formuar me privatizimi, paraqet aspektin makroekonomik të procesit të ristrukturimit në periudhën e tashme të privatizimit. Qëllimin themelor i privatizimit, arritja e efikasitetit të lartë në shfrytëzimin e mjeteve (kapitalit), nuk arrihet vetëm me procesin e ndryshimit të pronësisë, por me aksione dhe masa të lidhura me qeverisjen dhe organizimin e punës në çdo ndërmarrje. Këto ndryshime, në fakt, paraqesin procesin e rindërtimit të ndërmarrjeve. Procesi i rindërtimit të ndërmarrjeve definohet si sigurim i ndërmarrjeve të qëndrueshme dhe të suksesshme me mjete financiare të mjaftueshme dhe me aftësi qeverisëse të mbijetojnë dhe të zhvillohen në kushtet e një ambienti të hapur konkurrues. Rindërtimi i ndërmarrjeve duhet të jetë i orientuar kah drejtimet kualitative të ekonomizimit, siç janë:

produktiviteti, ekonomizimi, rentabiliteti, përfitimi, akumulimi, aftësia për vetëfinancim, likuiditeti, rritja e aftësisë konkurruese etj.

Procesi i rindërtimit të ndërmarrjeve në Maqedoni në një ambient të ri të tregut, kërkon masa që duhet ndërmerren si nga  firmat, ashtu edhe nga qeveria. Në kushtet tona shumë ndërmarrje që janë privatizuar, kanë filluar programet me masa: në ndryshimin e qeverisjes, ndryshimin e skemës organizative me qëllim që t’i përshtatet qeverisjes së re, modernizimin e programeve prodhuese, lirimin e punëtorëve të tepërt në ndërmarrje, zhvillimin e hulumtimeve në sferën e marketingut, përpjekje për t’u kyçur në tregun financiar etj.

Qeveria në kushtet e tranzicionit në Maqedoni duhet të respektojë rregullat kryesore, të cilat i kërkon ekonomia e tregut, siç janë:

ndërprerja e intervenimeve politike (partiake) në ndërmarrjet, ndërprerja e subvencioneve buxhetore shtetërore për disa ndërmarrje, të vendosë likuidimin si një procedurë të mirëfilltë juridike, si në ligjvënie ashtu edhe në praktikë,  të veprojë me programe shtetërore për ndërmarrjet të cilat punojnë një kohë të gjatë me humbje, sigurimin e burimeve të jashtme investive, sigurimin e ndihmës teknike nga organizatat e huaja, riprogramimin e borxheve të vjetra për disa ndërmarrje, ristrukturimin e  bankave që të paraqitën si afaristë të vërtetë në marrëdhëniet me firmat dhe të sigurojë mbrojtje sociale për punëtorët e ndërmarrjeve në falimentim.

Masat dhe aktivitetet e brendshme që i ndërmarrin firmat posaçërisht menaxherët e ndryshëm, nuk mund të jenë edhe aq efikase sikur të mos e kenë edhe përkrahjen e qeverisë me masat e saj, posaçërisht në programet qeveritare për firmat e mëdha gjysmë të privatizuara. Në këtë kontekst firmat, thonë se ka dallime në ndërhyrjen e qeverisë në biznes, disa menaxherë të disa firmave farkëtojnë marrëdhënie të frytshme me qeverinë, e cila u krijon epërsi konkurruese dhe produktive, e disa të tjerë shpjegojnë kurthet e ndërhyrjes së qeverisë në biznes.

 Problemet më të theksuara në masat e qeverisë në këtë periudhë ende të pa përfunduar të privatizimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve dhe ekonomisë, janë në mosrespektimin e rregullave kryesore, posaçërisht në mosndërprerjen e intervenimeve politike partiake në ndërmarrjet dhe në ekonomi. Intervenimi i partive politike në pushtet në biznes bëhet në dy dimensione: përmes rregullimit të normativës juridike institucionale për funksionimin e ekonomisë së tregut dhe përmes politikës makroekonomike. Këto dy mekanizma ndodhen në një lidhshmëri reciproke dhe ndikojnë në njëra-tjetrën. Në rrethana jo të qëndrueshme ekonomike në Maqedoni, kohëve të fundit, në procesin e privatizimit dhe ristrukturimit, ndodhin devijime. Partitë politike si bartës të politikës ekonomike në pushtet, duke u orvatur të promovojnë demokracinë ekonomike, në emër të kësaj demokracie, krijojnë  prona partiake, me qëllim që këto prona të paraqiten si gurthemel për dominim ekonomik dhe shoqëror në të ardhmen. Këto prona partiake krijohen nëpërmes agjencive qeveritare në segmentet e ndryshme afariste, agjencitë në të shumtën e rasteve nuk veprojnë për korrigjimin e defekteve të ndryshme në rindërtimin e ndërmarrjeve, por në imponimin e rregullave qeveritare që krijojnë pronësi partiake.

Këto ndërhyrje të ndonjë partie në biznes nuk zgjojnë një reagim të kënaqshëm në opinionin afarist, por ato i definojnë si aktivitete të quajtura "Kalim drejt politizimit". Ky përkufizim zë vend, shikuar për nga dallueshmëria e dy sistemeve të drejtimit, atij  politik dhe sistemit të drejtimit teknik, pasi që bota e politikës shpeshherë bëhet pengesë ndaj botës relativisht të rregulluar të organizatave teknokrate. Ky afrim i këtillë i qendrave të pushtet me qendrat e profitit dëshmon qartë se në politikë nuk udhëheqin votat, por fitimi.

Kjo punë nuk është ndonjë provokim i ëmbël për qytetarët, pasi ata siç kanë thënë deri më tani ashtu do të vazhdojnë të thonë për partitë politike në Maqedoni: "KUR ERDHËN NË PUSHTET KISHIN BESIMIN E POPULLIT, KURSE TANI KANË PASURINË VETJAKE"

Pse firmat paguajnë ryshfet (mitë), për hyrje në transaksione  atraktive?

 Në situatën e sotme të tranzicionit në Maqedoni, biznesmenët të shtyrë nga etja e madhe për fitime, duke e shfrytëzuar situatën, shpesh nuk hezitojnë të thyejnë normat e etikës dhe të anashkalojnë autoritetin ligjor në zhvillimin e biznesit të tyre. Anomalitë dhe dukuritë negative, të cilat kanë filluar të paraqiten në ambientin e tregut të lirë me emrin ekonomi e zezë, ekonomi ilegale, korrupsion, sot lulëzojnë në Maqedoni dhe paraqesin një pasqyrë të papëlqyer për etikën e biznesit.

Në vendin tonë indeksi i përcaktimit të ryshfetit që e japin firmat për t’u futur në transaksione është  shumë i lartë. Në këtë indeks me të madhe marrin pjesë edhe biznesmenët shqiptarë, të cilët janë të obliguara të parapëlqejnë ndonjë ortakëri të fjetur me ndonjë zyrtar të lartë publik me qëllim që të sigurojnë ndonjë përparësi konkurruese në treg. Lakmuesit për transaksione të mëdha shfrytëzojnë kanalet e ndryshme dhe nëpërmjet të mitës u kundërpërgjigjen konkurrentëve. Në thelbin e formulimit të strategjisë së firmave, që ka të bëj me konkurrencën, sot ryshfeti është forca konkurruese që  mposhtë çdo konkurrent. Ajo u siguron firmave manovrime të shfrenuara për të siguruar pozita parësore dhe të leverdishme në transaksionet ekonomike.

Firmat kanë përgjegjësi shoqërore, e kjo përgjegjësi duhet t’i motivojë ata që të bëjnë kufizime të vullnetshme në këtë  klimë të krijuar se vetëm  me ndonjë me ryshfet ose ortakëri mund të hyjnë në aranzhmane që sjellin fitime maksimale. Firmat janë institucione të fuqishme, që kanë një përgjegjësi të nënkuptuar shoqërore, e cila përgjegjësi duhet të mishërohet me strategjinë e vetë firmës, menaxherët duhet të ndërmarrin veprime për të korrigjuar paragjykimet lidhur me arritjen e rezultateve afatshkurtëra dhe të komunikojnë qartë përgjigjen strategjike ndaj nevojave shoqërore. Në një studim të tij ekonomisti konservator Milton Fridman thotë "Një dhe vetëm një është përgjegjësia shoqërore e biznesit - të përdorë burimet e tij dhe të ingranohet në veprimtari që synojnë të rrisin  fitimet e tij, për aq kohë sa edhe ai i përkushtohet në konkurrencë të hapur dhe të lirë, pa mashtrim ose gënjeshtra". Përgjegjësia e firmave duhet të jetë më e madhe gjatë pjesëmarrjes në çështjet publike, pasi që mosrregullsia në ankande po fiton terren. Kontrolli qeveritar është më se i domosdoshëm dhe thelbësor në rastet e konkurrencës jo të plotë në garën e konkurrencës.