23Gusht2017

30.000 Euro për "ndërtimin" e dy ambulantave në Strugë, tash më të ndërtuara! - Dr. Artan Dika


10.01.2013 - Miratimi i buxhetit zakonisht është një ngjarje që vihet në qendër të zhvillimeve në një vend. Megjithatë, kësaj rradhe përmbajtja e buxhetit mbeti nën hijen e mënyrës se si u miratua ai. Zënkat dhe sherret politike në shumë vende me mungesë stabiliteti kanë prodhuar kronika rrahjesh në parlament, por ato kanë qenë gjithmonë zënka mes vet deputetëve.

Ajo që nuk mbahet mend të ketë ndodhur deri sot është futja e organeve të sigurimit në parlament dhe largimi me dhunë i deputetëve të opozitës dhe gazetarëve nga parlamenti. Sado që ndokush mundohet ta kalojë të gjithë këtë duke e injoruar si zënkë e sherr mes maqedonëve, thjeshtëzimi i tillë i zhvillimeve përbën pseudopatriotizëm dhe miopi politike.

 

Mënyra e tillë e veprimit e VMRO-së do duhej të përbënte shqetësim për partinë shqiptare në pushtet dhe për shqiptarët në përgjithësi sepse në të njëjtën mënyrë jodemokratike dhe antiligjore mund të miratohen edhe ligje të tjera. Kuptohet se këtu bëhet fjalë për ligje për të cilat VMRO e ka seriozisht, e jo për ligje si ai për “branitellat” që po i shërben VMRO-së dhe BDI-së vetëm sa për të deklaruar patriotizëm fals, për të mashtruar elektoratin, pasi si u miratua ky ligj, si nuk u miratua ai, “branitellat” do vazhdojnë të gëzojnë 1000 privilegje, ndërsa ish-luftëtarët e UÇK-së sërish nuk do fitojnë asgjë.

Në këtë katrahurë të buxhetit, të tërheq vëmendjen lajmi se Qeveria Gruevski ka pranuar edhe disa amandamente të pakta në shuma të vogla, nga disa qindra të propozuara nga opozita shqiptare, kryesisht nga RDK-ja. Në Gazetën KOHA bëhet e ditur se është pranuar edhe amandamenti i PDSH-së për ndarjen e 1.800.000 denarëve, për ndërtimin e ambulantave në fshatrat Frëngovë dhe Misllodezhdë të Strugës. Duke lexuar një lajm të tillë të krijohet përshtypja se diçka këtu nuk është në rregull, sepse këto dy ambulanta tashmë janë ndërtuar disa vite më parë dhe nuk ka fare logjikë as të propozohet dhe as të miratohet amandament për ndarjen e sërishme të parave për ndërtimin e të njëjtave ambulanta.

Megjithatë, mosdemantimi i lajmit për dhjetë ditë nënkupton se ai duhet të jetë i vërtetë. Sado që projekti për ambulantat në fjalë ka dështuar prej vitesh, sepse asnjë mjek nuk ka shfaqur dëshirë për të punuar në to, aktualisht ato janë në gjendje të mirë fizike. Propozimi i një amandamenti të tillë ndoshta është rezultat i të bërit opozitë në parlament vetëm përmes zhurmave dhe bërtimave dhe jo përmes ofrimit të alternativave konkrete. Pranimi i këtij amandamenti nga ana e Qeverisë ka një prapavijë tjetër, pasi nuk ka asnjë mundësi që Qeveria të miratojë çfarëdo amandamenti pa qenë në dijeni për gjendjen faktike, të cilës i referohet amandamenti i propozuar. Nga kjo krijohet bindja se Ministri Stavrevski, kur ka vendosur ta pranojë amandamentin e PDSH-së, e ka kuptuar se po jepte miratimin për një financim që në letër figuron se po bëhet për vendbanime shqiptare, por që në fakt do të shërbejë për devijimin e parave krejt diku tjetër, meqë ambulantave të ndërtuara nuk ka se çfarë t’ju ndërtohet më dhe as inventari apo pajisjet e brendshme të ambulantave rurale nuk mund ta arsyetojnë as përafërsisht shumën e propozuar prej rreth 30.000 eurosh.

E keqja e këtij projekti tashmë të dështuar është se prioritetet e investimeve edhe në vendbanimet shqiptare i caktojnë partitë maqedone, në rastin konkret VMRO-ja, ndërsa partitë shqiptare nuk vendosin për asgjë. Nëse vëren me kujdes programet e partive qeveritare rezulton se projekti për ndërtimin e ambulantave në fshatrat shqiptare të Strugës, Frëngovë dhe Misllodezhdë, është paraparë me programin e VMRO-së 2008-2011, ‘Prerodba vo 100 čekori’ (në faqet 171-172 të këtij programi) dhe nuk ekziston askund në programin e BDI-së në vitet 2008-2011, kur u ndërtuan ambulantat në fjalë. Në fakt e gjithë veprimtaria në shëndetësi në këto vite bëhej në bazë të projekteve të parapara për shëndetësinë në programin e VMRO-së ‘Prerodba vo 100 čekori’, në faqet 162 deri 172, sado që Ministri i shëndetësisë ishte kuadër i BDI-së dhe kufizohej vetëm në deklarimin publik të projekteve, duke bërë më shumë punën e zëdhënësit të ministrisë, për të cilën nuk kishte person tjetër të angazhuar. Çuditërisht, në programin pasues (pra atë aktual) të BDI-së (2011)  në faqen 97, BDI-ja mburret për ndërtimin e këtyre ambulantave rurale, kryesisht malore, deri tani të pavëna në përdorim ndonjëherë, si arritje e saj, megjithëse ato ishin projekte të VMRO-së.

Një aspekt tjetër i çuditshësh i këtij investimi është aspekti financiar i tij. Në faqen 128 të programit aktual të BDI-së (2011) thuhet se për secilën nga këto ambulanta janë investuar nga 100.000 euro individualisht! Por, vetëm nëse u hedh nga një sy ambulantave (shih këtu foton e ambulantës në Frëngovë) e kupton lehtë se bëhet fjalë për ndërtime të vogla njëkatëshe, të cilat në asnjë rast nuk e arsyetojnë shumë e përmendur në programin e BDI-së, prej 100.000 eurosh për ambulantë, gjë që ngre dyshime për keqpërdorime financiare. I njëjti dyshim mbetet kur krahason shumën “e ndarë” së fundmi në buxhetin aktual, prej 30.000 eurosh për të dy ambulantat – pra, 15.000 dhe jo 100.000 për secilën ambulantë.

Fatkeqësisht realiteti flet se maqedonët i caktojnë prioritet e investimeve edhe në vendbanimet shqiptare, ndërsa partia shqiptare në pushtet pastaj mburret me këto projekte të dështuara, duke i identifikuar si suksese të saj, në shuma financiare që janë jashtë logjikës normale. Për të mos mbaruar me kaq, partia tjetër shqiptare që është në opozitë propozon që për ndërtimin e sërishëm të këtyre ambulantave (tashmë të ndërtuara) të ndahen edhe 30.000 euro të tjera dhe Ministri i Financave Stavrevski jep pëlqimin për miratimin e këtij amandamenti për këto vendbanime shqiptare, duke qenë i vetdijshëm se mjetet e ndara do përfundojnë diku tjetër dhe shqiptarët nuk do të fitojnë asgjë.

Kur jemi tek shëndetësia në Strugë, po e mbyllim këtë kronikë duke përmendur faktin se ndërtimi i spitalit të ri të Strugës vazhdon të mbetet premtim elektoral i shkruar edhe në programin e BDI-së, në faqet 99 dhe 100, pa pasur asnjë shenjë për ndonjë plan për ndërtimin e tij, ndërkohë që në realitet është në përfundim e sipër ndërtimi i spitalit të Ohrit. Fatkeqësisht, përkundër premtimeve të shumta spitali i Strugës vazhdon të mbetet një grumbull barakash të vjetëruara.

Ambulanta në Frëngovë

Dr. Artan Dika
Nënkryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare