22Korrik2017

Aplikimi i teorisë së kaosit në situatën e krijuar politike në vend

06.05.2015 - Teoria e kaosit është fushë e studimit në matematikë me aplikim në shumë disciplina duke përfshi meteorologjinë, informatikën, fizikën, inxhinerinë, sociologjinë, ekonominë, biologjinë, filozofinë dhe shumë fusha tjerra shoqërore. Teoria e kaosit studion sjelljet jostabile, joperiodike, në sisteme aktive deterministike jolineare. Kjo teori studion sjelljen e sistemeve dinamike që janë mjaft senzitive ndaj kushtëzimeve fillestare, një princip që njihet si efekti i fluturës. Sipas këtij principi kryesor, lëvizja e krahëve të fluturës në një vend mund të shkaktoj ndryshime të mëdha në pjesën tjetër të vendit. Kjo nënkupton se incidentet e vogla kanë impakt të madh në një shkallë të lartë në anën tjetër. Këto elemente të vogla mund të kenë një impakt disproporcional ndaj tërrë sistemit në përgjithësi. Premisat e kësaj teorie mbështeten në idenë se rastet që në pikëpamje të parë mund të duken si të parëndësishëm, kan pasoja të mëdha dhe të paparashikueshme. Ndryshime të vogla në kushtëzimet fillestare, sjell rezultate me dallime të mëdha për këto sisteme dinamike, që e bën të pamundshëm parashikimin afatgjat në përgjithësi. Sipas kësaj teorie, kjo ndodh edhe në raste kur këto sisteme janë deterministike, që nënkupton se sjellja e tyre në të ardhmen plotësisht determinohet nga kushtëzimet fillestare, ku nuk kemi të përfshirë elemente të rastësishme. Në raste të tilla, parashikimi bëhet i pamundshëm dhe tentimet për të parashikuar të ardhmen bëhen probabilistike në rastin më të mirë, dhe udhëheqje e gabuar në rastin më te keq.

Bota reale, sidomos ajo politike, i ngjan shumë botës fizike dhe ne mund lirisht të aplikojm modelin matematikor me qëllim që të detektojm trende të ngjajshme në të dyja botërat. Me këtë aksiomë si bazë, ne mund të kuptojm se situata aktuale në vend është para një kaosi të vërtetë në të gjitha drejtimet. Kaosi është aq i madh saqë askushi nuk mund të parashikoj se çka mund të ndodh në të ardhmen. Në një kaos kaq kompleks të këtij lloji, të menduarit tradicional shkak-pasojë të politikës në përgjithësi tanimë është inekzistente. Të menduarit politik për situatën në fjalë kërkon një analizë jolineare të një sistemi dinamik kompleks që është shkaktuar nga kaosi në përgjithësi.  Ky mendim jolinear i situatës politike në vend do të nxjerri në sipërfaqe një situatë të re që rrallë kush mund ta parashikoj. Kaosi i situatës politike në vend mund të sjell kombinime shumë më ndryshe nga ato kombinime që i kemi patur deri më tani.

Sipas teorisë në fjalë, atëherë, situata aktuale në vend është pjesë e një sistemi më të komplikuar dinamik të botës në përgjithësi ku ky lloj kaosi është pothuajse prezent në çdo cep të globit. Kaosi është prezent prej Maroko deri në Jemen, dhe prej Afganistani deri në Turqi, dhe prej Ukraine deri në Ballkanin perëndimor. Nëse marrim për bazë principin kryesorë të kësaj teorie, atëherë mund të kuptojm se lëvizja e krahëve të fluturës në një pjesë të kësaj trajektore shkakton rrëmujë në këtë pjesë të regjionit, me gjasë reale se valët e kësaj lëvizje të madhe do të mund shumë shpejt të ndjehen edhe në shumë shtete tjerra të rajonit.

Mirëpo duke patur parasysh se teoria e kaosit e sheh politikën si një sistem dinamik kompleks, atëherë nuk duhet habitur, sepse politika ka nevojë të eci drejt një kaosi pasiqë në sipërfaqe dalin sisteme dhe karakterizime shumë më solide. Nëse situata aktuale në vend  shihet nga këndvështrimi i teorisë së kaosit atëherë kjo mund të kuptohet si diçka natyrale që është e nevojshme për të arrit një ekuilibër të ri ku konsumohet më pak energji. Ardhmëria e Maqedonisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi është ende e papërcaktuar, dhe ajo që po ndodh sot nëpër botë është thjesht tendencë e ‘natyrës’ të vëndoj rend në këtë moment të tranzicionit. Pas çdo cikli të duhur ne kemi nevoj për çregullim për të riorganizuar letrat para se ato natyrisht të bien në vendin e tyre të duhur. Është madhështia e kaosit që shtyn botën fizike dhe politike në një gjendje të ekuilibrit. Gravitacioni i kaosit është aq i fuqishëm saqë krijon një forcë tërheqëse që thith mbrenda gjithçka që sheh përpara, dhe fuqia e kësaj force tërheqëse do të stabilizoj dhe do të sjell gjendjen në një ekuilibër dhe do të qetësohet në atë pozicion përshkak të gravitacionit të fuqishëm të forcës tërheqëse, deri në një moment kur do të paraqitet ndonjë forcë tërheqëse tjetër me një gravitacion më të fuqishëm sesa forca tërheqëse momentale.

Mirëpo, problemi qëndron në faktin se për dallim nga bota natyrore, në botën politike ne gjithashtu kemi forca të jashtme që shtyjn dhe udhëheqin rezultatin e këtyre ndryshimeve kaotike. Prandaj, në vend të përfundimit me solucione optimale, me konsumim më të vogël energjetik, ne përfundojm me kombinime mesatare dhe fragjile që janë më pak se optimale dhe që kërkojn më shumë energji për t’u përmbajtur. Këto forca të jashtme jo vetëm që rezultojn në solucione artificiale, por gjithashtu detyrojn shtetet në përgjithësi tu kushtojn shumë më shumë para dhe energji për të mirrëmbajtë ekuilibrin.

Ajo që duhet patur kujdes në gjith këtë kaos të vërtetë, janë pikërisht këto forca të jashtme që mund të ndikojn mjaft për të penguar arritjen e ekuilibrit pas një kaosi të kësaj natyre. Këtu bëhet fjalë për forca të jashtme negative që kanë mundësi dhe kapacitet të prishin dinamikën e sistemit të kaosit që mos të qetësohet në një ekuilibër të dëshirueshëm për zhvillimin e vendit në përgjithësi. Komuniteti ndërkombëtarë, sidomos ai amerikan, duhet të bëj maksimumin që forca tërheqëse e kaosit të shkoj drejt ekuilibrit të duhur dhe të qetësohet aty për një periudhë të gjatë kohore. Në të kundërtën, gravitacioni i forcës tërheqëse negative mund të shkaktoj pasoja të rënda jo vetëm për vendin, por për rajonin në përgjithësi.

Në përfundim, pranimi se bota jonë ka një natyrë kaotike mund të na ofroj një mendim dhe urtësi të re për botën në përgjithësi. Duke kuptuar se ekosistemi, sistemi-shoqëror, dhe ai ekonomik, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, ne mund të shpresojm t’u largohemi veprimeve që mund të jenë përcaktuese për mirrëqenien tonë të mirë. Paqeja është më e qëndrueshme në vendet me entropi më të madhe. Sa më shumë entropi, rastësi, dhe paparashikueshmëri të ketë, aq më e qëndrueshme do të jetë paqeja, sesa që mund të ndodh në vendet me rregullim të tepruar dhe shumë të parashikueshëm.

Vesel Memedi
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare,