22Korrik2017

Mosbesimi është armiku më i madh i zhvillimit të kombit

14.08.2015 - Të keshë besim - vendosja e konfidencës në dikend ose diçka - është një nga përvojat themelore të qenies njerëzore. Kjo përvojë ka një rëndësi të veçantë për funksionimin e shoqërisë dhe arritjen e lumturisë shoqërore në përgjithësi. Shoqëria ka nevojë për besim sepse shpesh herë e gjen veten në skaj duke vepruar nëmes konfidencës që është arritur nga përvoja, dhe mundësive të reja që ofrohen. Nëse qeniet njerëzore nuk do të kishin besim ndaj mundësive të reja që ofrohen, atëherë kjo do të shkaktonte një paralizë totale të veprimit tonë në përgjithësi. Me një fjalë, besimi mund të shihet si një bast ndaj mundësive të së ardhmes, asaj që mund të sjellë dobi, dhe pas vendosjes së këtij basti personi në fjalë suspendon mosbesimin e vet dhe dorëzohet tërrësisht në këtë bast të besimit.

Besimi ka vlerë të madhe, jo vetëm në aspektin psikologjik të relacioneve personale, por në funksionimin e organizimeve të ndryshme shoqërore në përgjithësi. Besimi intimisht është i lidhur me ndjenjën e dobësisë dhe rizikut. Të investohet te besimi i dikujt, sidomos kur i jepet ndonjë fuqi të çfarëdo lloji, është të marrim rizikun mbi vete se ata nuk do ta keqpërdorin për interesat e veta, por do të jetë për të mirën e të gjithëve, ose sëpaku nuk do të dëmtoj interesin tonë. Njerëzit paguajn taksat, respektojn ligjet, dhe presin që të qeverisen mirë duke u bazuar në faktin se këta njerëz kanë vendos besim që investimi i tyre do të përdoret për të ndërtuar të mirën publike.

Të kemi një dozë të dyshimit te politikanët është diçka normale dhe bile mençuri. Kjo dozë e dyshimit dyfishohet apo edhe trefishohet kur flasim për mashtrime masive nga ana e politikanëve të ndryshëm. Për këtë arsye, politika dhe politikanët gjenden para një mosbesimi masiv nga ana e elektoratit në përgjithësi me pasoja të rënda për gjeneratat që pasojnë. Nëse bota perëndimore nuk është imune ndaj këtij mosbesimi atëherë mund të paramendoni për dyshimin ndaj politikës dhe politikanëve në vendin tonë. Me qëllim apo pa qëllim, në këto 25 vite të pluralizmit në vend, politikanët tanë kanë shkaktuar një mosbesim masiv te elektorati saqë çdo politikan i ri do të duhet të bëjë mrekulli të kalibrit të lartë për t’u ballafaquar me këtë mosbesim të krijuar ndaj politikës dhe politikanëve në përgjithësi. Njerëzit dëshirojnë ti shohin politikanët të jenë të gatshëm të fusin veten e tyre në rezik. Njerëzit dëshirojnë të shohin sakrificë më të madhe nga ana e politikanëve të ri dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të rikthejn besimin te politika dhe politikanët. Kjo është esenca e rindërtimit të besimit.

Ky mashtrim masiv nga ana e politikanëve tanë ndaj elektoratit nuk është pa pasoja. Ky mashtrim ka shkaktuar një dekurajim të madh te  shumë njerëz kompetentë me shpirtë publik që të futen në politikë. Ata që futen në politikë me ideale dhe energji të madhe shumë shpejtë dorëzohen. Ata që qëndrojnë më gjatë, shpesh bëhen shumë të institucionalizuar që gradualisht fillojnë të mendojnë se kjo është rrugë normale e të bërit politikë. Ata që fitojnë ndonjë post më të madh në qeveri, shpesh në mënyrë depresive i përdorin protokolet ekzistuese që të mbajnë fuqinë e fituar sa më gjatë që të kenë mundësi. Nëse kësaj ja shtojmë edhe mungesën kronike të papërgjegjësisë në jetën publike, atëherë kemi një miks mjaft të mirë toksik. Nënkuptohet, kjo nuk do të thotë se në politikë nuk ka njerëz kompetent dhe të mirë. Në politikë ka shumë njerëz të mirë, por me dëshirë apo pa dëshirë, ata gjenden para një kurthi të madh të këtij sistemi.

Rezultati i gjith këtij mosbesimi në politikë ka shkaktuar një fenomen që në psikologji njihet si ‘pafuqi e mësuar’. Kjo gjendje ndodh kur njerëzit kushtëzohen të besojnë se nuk mund të ndryshojnë asgjë edhe sikur t’u jepej mundësia. Kjo është një ndjenjë se elektorati asgjë nuk mund të bëjë të ndryshojë këtë politikë të pakënaqshme. Në kontekstin politik, kjo gjendje e ‘pafuqisë së mësuar’ është një gjendje shumë e rezikshme sepse shkakton dëshpërim dhe qëndrim të zemëruar ndaj politikës, që si rezultat sjell një populizëm të pamatur ekstrem.

Mirëpo, përkundër pakënaqsisë, zhgënjimit, dhe dëshpërimit ndaj politikës, ne duhet patjetër të luftojmë këtë natyrë korruptive të përpjekjeve politike. Gjenerata e re nuk mund të lejoj që ndjenja jonë e ‘pafuqisë së mësuar’ politike të na coptoj nga kuptimi i qytetërimit dhe veçanërisht nga kuptimi i faktit që jemi të mirë dhe nuk dëshirojmë të involvohemi në rregullimin dhe organizimin shoqëror në përgjithësi. Nënkuptohet, më joshëse do të ishte të qëndrojmë sigurt në botën tonë private, duke u mbështetur në optimizmin tonë që të vazhdojmë të ecim më tutje. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk duhet të fillojm të privatizojmë optimizmin dhe energjinë tonë, duke mbrojtur veten tonë nga pakënaqësi të mëtutjeshme politike me fshehjen e  energjive tona kombëtare dhe civile me pasoja të rënda për organizimin shoqëror në përgjithësi.

Ajo që tani neve na duhet është një mekanizëm që do ti bashkoj virtytet individuale në një forcë efektive organizuese për zhvillimin e kombit dhe mirëqenien e përgjithshme shoqërore. Ne urgjentisht duhet të gjejmë rrugë të kujdestarisë së organizimit shoqërorë ku do të institucionalizonim virtytet tona në një marrëveshje qytetëruese me qëllim që të udhëheq sjelljen tonë si qytetarë në nivelin individual dhe institucional. Politikanët e ri shoqërinë duhet të shohin si një kontratë nëmes gjeneratave, ku çdo gjeneratë ka trashëguar qeverisjen në formë të një ‘pasurie’ që u është dhënë për shfrytzim jetësorë, me kusht që ti jepet gjeneratës pas nesh, pa mos e dëmtuar dhe me shpresë për ta përmirësuar dukshëm për gjeneratën e ardhëshme. Në këtë botë ne jemi qiraxhinj, dhe nuk duhet të sillemi sikur jemi pronar të përhershëm. Liria dhe zhvillimi i kombit ka çmim, dhe ky çmim kërkon vigjilencë të përjetshme.

Vesel Memedi
 Kryetar i RDK-së