22Shtator2017

Xhahilat e arsimit shqip

 

Vërtet këto ditë na kanë mbërthyer ethet e shumta të kombëtares, do të shkojmë me plis në Paris, apo jo! Por ajo që mbetet si shqetësim është e ardhmja e jonë politike dhe ndryshimet që duhet të ndodhin e që lidhen drejtpërdrejt me fatin e fëmijëve tanë. Një ndër ato kërkesa për ndryshime ishte edhe propozim/ligji për largimin e testimit ekstern.Pas një debati tre ditorë, shumica parlamentare e ka refuzuar propozim/ligjin që kishte të bëjë me shfuqizimin e testimit ekstern nga shkollat fillore dhe të mesme.


Edhe pse ky propozim/ligj do duhej të propozohej nga deputetët shqiptarë, sepse ky testim më shumë i prek shqiptarët për shkak të pyetjeve fyese dhe nënçmuese ashtu si edhe tekstet e shumta shkollore të mbushura plot me gabime trashanike. Por, për “çudinë” tonë deputetët shqiptarë edhe kësaj rradhe mbetën indiferent dhe të painteresuar për testimin ekstern. As deputetët e BDI-së, as të PDSH-së nuk thanë asnjë fjalë të vetme për propozim/ligjin e shfuqizimit të testimit ekstern e që lidhet me arsimin.
Arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit shoqëror dhe e ardhmja e kombit, e ju për çdo ditë po e shkatërroni atë duke mos u siguruar nxënësve shqiptar libra falas gjatë gjithë ciklit të shkollimit të detyrueshëm, duke mos i korrigjuar tekstet shkollore që kanë përmbajtje fyese për shqiptarët dhe e nxisin jotelerancën, urrejtjen dhe diskriminimin, kanë gabime thelbësore në përmbajtje dhe nuk përshtaten me moshën e tyre.
Duke mos krijuar kushte të barabarta ashtu si edhe për nxënësit maqedonas po na çoni drejt humnerës së pafund nga e cila kthim prapa nuk ka.
Largimi i testimit ekstern është i domosdoshëm, sepse rezultatet e tekstimit ekstern ndikojnë negatvisht te nxënësit (ngarkesë psiko-fizike) gjegjësisht në suksesin e tyre, për arsye se nota e testimit ekstern hynë në mesatare. Rëndon buxhetin familjar duke kopjuar testet për tu përgatitur. Me testimin ekstern nuk mund të matet suksesi i mësimdhënësve, por ai ka qëllime politike për t’i shantazhuar, kontrolluar dhe heshtur mësimdhënësit që nuk i takojnë taborit të njëjtë politik dhe për t’i stimuluar ato të taborit të njëjtë politik. Të gjithë ata që duan të rrisin cilësinë e arsimit mund ta bëjnë atë në forma tjera p.sh sipas stazhit të bëhet testimi i mësimdhënësve ku do të testohen aftësitë pedagogjiko-metodike dhe profesionale, aftësitë e TIK-ut etj. Me testimin ekstern devalvohet profesioni i mësimdhënësit.
Një problem tjetër mbetet edhe përdorimi i ditarit elektronik. Duhet të shqyrtohet mundësia e përdorimit të njërit ditar ose atij klasik, ose atij elektronik. Edhe ditari elektronik ashtu si edhe në shumë sfera tjera ka për qëllim centralizimin dhe sitemin e kontrollit nga qendra. Me shtimin e formaliteteve administrative largohet vëmendja nga nxënësit. Prandaj, ne duhet të bëjmë çmos ta kthejmë nxënësinë në qendër të vëmendjes dhe ti largojmë formalitetet administrative.
Plotësimi i librave amë nëpër shkolla mbetet problem i pazgjidhur ndër vite, ose të bëhet vetëm në gjuhën shqipe për shqiptarët, ashtu siç është në gjuhën maqedone për maqedonasit, në të kundërt dygjuhësia të jetë obligative për të dyja palët (përfshi këtu edhe pakicat tjera).
Gjenetika e njeriut nuk është e keqe, pashkollimi i juaj dhe tranzicioni afatgjatë e ka shkatërruar integritetin tuaj dhe tani doni ta shkatërroni edhe atë të gjeneratave të reja. Por duhet ta dini se pa integritet nuk ka personalitet, nuk ka kurajo dhe përgjegjësi qytetare, nuk ka demokraci. Dhe si të tillë do t’u mundësoni brezave të ri të jenë servil dhe inferior ndaj të tjerëve. Prandaj, me veprimet e juaja bëheni shembulli më i keq i mundshëm që historia tu mbaj mend si injoranta.
Merrni shembull o injoranta të pashkollë, që më shumë respekt keni për mjekërcjepërit sllavomaqedonas, që po e shkatërrojnë në mënyrë të qëllimshme indin shqiptar, sesa për fëmijët tanë. Me veprimet e juaja ju tregoni se sa e keni rritur xhahillëkun dhe injorancën e juaj politike kundrejt arsimit dhe gjithçkaje shqiptare.
Duke pasur parasysh se arsimi është shtylla kryesore e formimit të fëmijëve që janë e ardhmja e kombit, është e pafalshme që të rijmë duarkryq kundrejt këtij kaosi të vërtetë, prandaj e kemi obligim moral dhe profesional që të reagojmë në kohë për evitimin e pengesave artificiale dhe teknike që i ka plasuar politika ditore.

Binas Pajaziti - Kryetar i degës së RDK-së në Tetovë