15Dhjetor2017

Konferencë për shtyp e kryetarit Rufi Osmani


18.12.2012 - Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani i shoqëruar nga deputetët Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri Kreci, në press qendrën e RDK-së në Shkup, mbajti konferencë për shtyp. Tema të konferencës ishin: promovimi i datës së Kongresit të Parë të Rilindjes Demokratike Kombëtare, qëndrimi i RDK-së mbi projekt-buxhetin e vitit 2013, bllokimi i proceseve Euro-integruese të Maqedonisë, si dhe problemet aktuale në resorin e shëndetësisë.

Më poshtë ju përcjellim fjalimin integral të kryetarit Osmani:

“Pas një viti e gjysmë veprim tanimë në skenën politike në Maqedoni dhe pas një strukturimi të mirëfilltë të të gjitha degëve dhe nëndegëve në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni Rilindja Demokratike Kombëtare është e përgatitur dhe mirë e organizuar që të organizojë kongresin e parë partiak. Ky kongres është caktuar që të mbahet më datë 22 dhjetor 2012 në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Nga ky kongres pritet që të dalin edhe organet e para të partisë të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Janë propozuar mbi 400 amendamente me të vetmin qëllim që ajo që premtohet nga partneri i koalicionit  të VMRO-DPMNE-së, BDI, se me këtë buxhet 20-25 % të mjeteve do të shkojnë në regjionet me shumicë shqiptare, ne përmes deputetit Izet Zeqiri kemi propozuar 400 amendamente që pikërisht ky 20 për qindësh nga 370 milion euro investime kapitale të jetë diku 80-90 milion euro, të realizohet në rajonet shqiptare.

RDK mban qëndrim që buxheti duhet të miratohet me konsensus politik dhe ndëretnik. RDK është thellë e shqetësuar për këtë bllokim të buxhetit që në mënyrë indirekte po e bën pushteti dhe partitë pjesëmarrëse në pushtet VMRO dhe BDI.

Duke pasur parasysh që propozim buxheti i vitit 2013 vazhdon me konsumin buxhetor diskriminues ky buxhet vazhdon edhe me politikat e konsumit joproduktiv dhe shkon edhe më tej me huazime të reja  borxhit prej 200 deri ne 300 milion euro.

RDK çmon se borxhi i ri është i panevojshëm dhe se në projektet buxhetore ka hapësire serioze për shkurtim të paktën 250 milion euro të shpenzimeve joproduktive dhe që kanë destinim zgjedhjet e ardhshme lokale.

RDK duke qenë e vetëdijshme se tensionet politike dhe ndëretnike tashmë janë duke eskaluar edhe në dhune direkte në institucionin më të lartë politik të vendit, në Parlament, rekomandon  që si metodë më racionale për të dalë nga ky qorrsokak buxhetor dhe politike  të organizohet një takim i liderëve të partive parlamentare i thirrur nga kryetari i shtetit ose nga kryetari i parlamentit.

Politikat asimetrike që qeveria VMRO-BDI realizon në rastin e ligjit për branitellat ku për motive konjukturale politike lejohen debate deri në pafundësi , ndërsa në rastin e buxhetit manifestohet arrogancë e paparë dhe mosrespektim i rregullores së Parlamentit duhen të ndërpriten.

RDK mban qëndrimin se mos-gatishmëria e Maqedonisë për të zgjedhur kontestin e emrit e sjell Maqedoninë në pozicion që të jetë e bllokuar në mënyrë permanente nga Greqisë si anëtare e BE-së sepse konform rregullave vendimi duhet të jetë i miratuar me konsensus. Mos pranimi i paragrafit të pestë i cili është i mbështetur edhe nga Bullgaria pasqyron qartë nivelin e ngrirë të marrëdhënieve me Bullgarin si një nga fqinjët e rëndësishëm të vendit dhe  vend anëtar i BE-së me të cilin vend Maqedonia vazhdon të ketë konteste  thelbësore historike dhe kulturore.

Kur këtyre raporteve të tensionuara me fqinjët do tu shtohen edhe raportet e brishta ndëretnike dhe gjendja e mjerueshme ekonomike-sociale në vend do të rrumbullakohen argumentet se pse Komisioni evropian nuk e përcakton datën e negociatave për Maqedoninë. Rilindja Demokratike Kombëtare përsërit qëndrimin e saj konsistent se qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO-BDI  nuk ka kapacitet  dhe vullnet politik të zgjidhë çështjen e emrit dhe për pasojë vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse, qeveri kjo që do të tejkalonte sfidën e emrit dhe do të organizonte zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale në mars 2013.

Rilindja Demokratike Kombëtare kërkon të tërheq vëmendjen për gjendjen e vështirë në shëndetësinë sekondare dhe terciare në Maqedoni, si pasojë e vazhdimit të politikave të dështuara qeveritare.

Pagat e ulëta të mjekëve specialistë dhe subspecialistë në shëndetësinë publike, me 10 dhe 12 vjet shkollim, nuk janë as sa gjysma e rrogave të gjykatësve me shkollim të lartë katërvjeçar. Mosrealizimi i premtimeve të vazhdueshme për rritjen e rrogave të mjekëve, ka ardhur edhe si pasojë e përqendrimit  të parave publike në ‘varrin fiskal’ të buxhetit, përmendoret e projektit ‘Shkupi 2014’.

RDK konsideron se gjendja në shëndetësi nuk mund të përmirësohet me nxitjen e opinionit publik dhe të pacientëve kundër mjekëve e as me imponimin e projekteve të kundërshtuara nga rreth 95% e mjekëve - projekte këto që i trajtojnë pacientët vetëm si numra që duhen realizuar nga mjekët e jo si pacientë që kërkojnë shërbime cilësore.

Ne dekadën e fundit është bërë një koncentrim i madh i kapitalit në spitalet e mëdha private, të cilat për fat të keq janë me personel pothuajse tërësisht monoetnik. Për fat të keq me politikat e saj Qeveria po synon orientimin e pacientëve nga shëndetësia publike për në atë private, duke mbuluar financiarisht përmes Fondit të shëndetësisë, shumë shërbime të ofruara nga spitalet private.

Perspektiva është edhe më e zymtë kur kujton se në nenin 156 të Ligjit të ri për mbrojtje shëndetësore, të miratuar edhe nga deputetët e BDI-së, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është dubluar dhe vënë pas kritereve të profesionalizimit dhe kompetencës – si mbulesë për pranimin e kandidatëve të VMRO-së e jo të kandidatëve shqiptarë, duke pasur kështu si alibi ligjore ‘profesionalizmin e dëshmuar’ tek të parët dhe ‘të munguar’ tek të dytët.

Ky model tashmë është zbatuar në mos punësimin e asnjë shqiptari nga rreth 20 mjekët e punësuar në konkursin e fundit në Shkup.

RDK kërkon korrigjimin e politikave të Qeverisë që kanë të bëjnë me shëndetësinë, reflektimin e saj përballë gjendjes aktuale të mjekëve dhe realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në shëndetësi.”

Kryetari i RDK-së, Rufi Omsani u përgjigj edhe në pyetjet e shumta të gazetarëve të pranishëm.

Shërbimi për informim - RDK