15Dhjetor2017

Kongresi i parë i Rilindjes Demokratike Kombëtare, rizgjodhi Rufi Osmanin për kryetar


Pas një viti e gjysmë veprimi në skenën politike në Maqedoni dhe pas strukturimit të mirëfilltë të të gjitha degëve dhe nëndegëve në të gjitha territorin e banuar me shqiptarë Rilindja Demokratike Kombëtare nën moton ‘’Për rilindje të vërtetë demokratike”, mbajti në  Tetovë Kongresin e saj të parë. Në këtë kongres morën pjesë 600 delegatë dhe përfaqësues të partive politike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të komuniteteve fetare, mediumeve dhe shoqatave qytetare.

Para të pranishmëve me një fjalim përmbajtësor, delegatëve dhe mysafirëve të pranishëm në Kongres iu drejtua lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare z.Rufi Osmani.

 “Orientimet programore të Rilindjes Demokratike Kombëtare bazohen në parimet dhe synimet e veprimit të Rilindësve shqiptarë për liri, barazi dhe drejtësi të plotë për të gjithë qytetarët dhe kombet që jetojnë në Maqedoni. RDK nëpërmjet kongresit të saj të parë synon të çojë përpara amanetin e Rilindësve, duke synuar të realizojë këto objektiva në mënyrë demokratike në një kohë të sfidave të mëdha në një vend të konfliktualitetit permanent dhe të paradokseve të mëdha. Rilindja Demokratike Kombëtare me paraqitjen e saj në skenën politike, synon të hapë një faqe të re të angazhimit politik, duke ofruar një moral të ri politik të bazuar në dije, përvojë, nder dhe konsistencë për çështjet me interes kombëtar krahas promovimit të demokracisë funksionale dhe konkurruese në radhët e veta dhe në skenën politike në vend”.

Duke folur për çështjen e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni  kryetari Osmani mes tjerash theksoi: ‘’Në periudhën 1991-2001, të gjitha kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni ekuilibroheshin në disa objektiva bazike: pozitë e barabartë kushtetuese me maqedonasit, përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet institucionale , përdorim të lirë të flamurit kombëtar, arsimim universitar në gjuhën shqipe, decentralizim të pushtetit dhe pjesëmarrje e barabartë e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Pushteti maqedonas i proveniencave të ndryshme politike, në vazhdimësi, kërkesave të drejta politike dhe demokratike të shqiptarëve, iu kundërpërgjigj me refuzim institucional politik dhe me dhunë jashtë institucionale si në rastin e Ladorishtës, Bitpazarit në Shkup, të ashtuquajturës aferë të armëve, ngjarjeve lidhur me themelimin e UT-së dhe ngjarjeve tragjike të flamurit kombëtar në Gostivar.”

Osmani tha se episode tragjike të shkeljes flagrante të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, vazhduan edhe pas viti 2001, raste më eklatante ishin ai i Sopotit, Brodecit, Haraqinës dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në mënyrë permanente në kontaktet e shqiptarëve me institucionet e shtetit në të gjitha nivelet.

“Nga këndvështrimi historik-politik i shqiptarëve, si pasojë e këtij refuzimi politik dhe represionit permanent, u efektua kryengritja e armatosur shqiptare e vitit 2001, kryengritje e cila duhej të arrinte objektivat për barazi që nuk i arriti dot politika me mjete demokratike”, nënvizoi Osmani.

Delegatët e Kongresit të parë të RDK-së i përshëndetën sekretari i përgjithshëm  i Lidhjes Socialiste për Integrim (LSI) – Luan Rama, Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sekretari i BDI-së Abdylhaqim Ademi, Qenan Hasip kryetar i Partisë Demokratike të Turqve dhe Fatmir Etemi përfaqësues i Demokracisë së Re.
Në emër të Shoqatës të të përndjekurve politikë, Kongresin e përshëndeti kryetari Shpëtim Pollozhani, ndërsa në emër  Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, kryetari Idriz Sinani.

Punimet e rregullta të Kongresit të parë të RDK-së, i kryesoi deputeti i kësaj partie Izet Zeqiri. Pas formimit të komisioneve të punës, delegatët e kongresit në mënyrë unanime miratuan Statutin e partisë dhe Programin partiak të RDK-së.

Pas miratimit të dokumenteve themelore të partisë në koordinim me të gjitha degët dhe nëndegët e partisë dhe me propozim të komisionit kandidues i cili përbëhej nga të gjithë kryetarët e degëve të RDK-së. Kongresi propozoi themeluesin dhe ideatorin kryesor të RDK-së z.Rufi Osmanin si të vetmin kandidat të mundshëm për kryetar të partisë. Në mënyrë unanime dhe me aklamacion delegatët zgjodhën Rufi Osmanin për kryetar të Rilindjes Demokratike Kombëtare.
 
“Ju falënderoj për besimin e dhënë për të udhëhequr me subjektin në 4 vitet e ardhshme dhe ju premtoj se me përkushtimin e përbashkët të të gjithëve dhe me forca të reja, do të arrijmë qëllimet tona fisnike për një të ardhme më të ndritshme tonën dhe të gjithë atyre që do pasojnë pas nesh”, tha mes tjerash Osmani pas zgjedhjes.
 
Kongresi zgjodhi edhe kuvendin qendror të partisë i cili do të numëroj gjithsej 79 kuvendar nga të cilët në kongres u zgjodhën 72 kuvendar ndërsa numri tjetër pritet që të plotësohet me kuvendarë të rinj që do të dalin nga degët e reja që janë në formimin e sipërm.

Pas dy javësh pritet që kuvendi qendror i RDK-së të mbajë mbledhjen e parë nga e cila mbledhje do të dalë edhe kryesia qendrore e partisë.    

Shërbimi për informim