22Nëntor2017

"MO-ja me defekte, qeveri teknike, të ndryshohet Kushtetuta..."

03.01.2013 - Të nderuar lexues, në vazhdim ua paraqesim intervistën ekskluzive të kryetarit të RDK-së
Rufi Osmani dhënë për Agjensin e lajmeve Zhurnal

“Problemi bazë pra nuk qëndron në formulën e zbatimit por në vetë përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit ndërsa dinamika e zbatimit të saj e ka zbehur edhe më shumë atë përmbajtje. Në esencë ligjet kryesore sipas kësaj marrëveshje tashmë janë miratuar, kjo marrëveshje ka kornizat e veta të cilat janë kufizuese dhe nuk mundësojnë që pozita kushtetuese juridike dhe procesi vendimmarrës në politikë bërjen në vend të jetë konsensual  pa majorizim dhe pa diskriminim”, thotë në bisedën për “Zhurnal plus”, lideri i RDK-së Rufi Osmani

 

Sipas kreut të Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani, viti 2012 ishte edhe një vit më shumë gjatë të cilit shqiptarët në Maqedoni u diskriminuan nga qeveria e udhëhequr nga konservativët e VMRO-DPMNE të Kryeministrit Nikolla Gruevski në shumë fronte. Osmani thotë se sistemi zgjedhor sipas metodës së Dontit, e ka dëmtuar RDK-në në marrjen e më shumë vendeve në parlament dhe e ka tkurrur mundësinë e kësaj partie për të kontribuar edhe më shumë në avancimin e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në vend. Përkundër kësaj, ai thotë se RDK-ja nuk ka heshtur dhe ka qenë aktive në demaskimin aktiv të politikës përjashtuese të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve, ndërkohë që partia ka forcuar pozitën e saj në komunën e Gostivarit dhe ka arritur të udhëheq me suksese këtë komunë  e cila, siç thotë Osmani gjendje para kolapsit.

I pari i RDK-së thotë se Marrëveshja e Ohrit ka defekte të shumta në përmbajtjen e saj të cilat i kufizojnë të drejtat e shqiptarëve, ndërkohë që edhe si e tillë zbatimi në praktikë i përmbajtjes së pas më shumë se 11 viteve ende është duke u zvarritur, duke shkaktuar kështu dëme të dyfishta pozitës së shqiptarëve. Për këto arsye Rufi Osmani thotë se është e nevojshme ndryshimi i kushtetutës së vendit, me qëllim që të krijohen garanci të forta për barazimin e pozitës dhe të të drejtave të shqiptarëve me maqedonasit. Ai mendon se këto ndryshime kushtetues çelës duhet ta kenë metodën e konsensusit për marrjen e vendimeve. Osmani është kritik edhe ndaj kohë-mbajtjes së zgjedhjeve të kaluara, të cilat sipas tij ishin një dhuratë e BDI-së për VMRO-DPMNE meqë mos-prezenca e diasporës shqiptare në Maqedoni gjatë votimit i mundësoi partisë së Gruevskit që të fitojë 3 deputetë më shumë përmes diaspora maqedonase më e organizuar jashtë vendit sesa ajo shqiptare.

Osmani thotë se 3 vendet e marra nga diaspora maqedonase janë kontestuese dhe si të tilla ato shkuan në favor të VMRO-DPMNE-së.  Faktorë tjetër që shqiptarët humbën vende deputetësh në parlamentin e vendit,  sipas Osmanit, është edhe lista kontestuese zgjedhore me numër fiktiv votuesish, pastaj numri i tepërt i partive shqiptare dhe në të njëjtën kohë edhe mungesa e koalicioneve para-zgjedhore midis të njëjtave. Osmani është kritik ndaj BDI-së, e cila siç thotë ai, nuk po e shfrytëzon faktin se VMRO-DPMNE nuk e ka shumicën e votave në parlament - me partitë e saja maqedonase satelite -  dhe nuk po e kushtëzon atë në miratimin e ligjeve për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai ndërkohë thotë se Maqedonia në këto momente ka nevojë për një qeveri teknike gjithëpërfshirëse për të arritur kompromis nga të gjitha palët brenda Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit dhe zhbllokuar rrugën drejt BE-së e NATO-s, e ndërkohë edhe për organizimin e zgjedhjeve të hershme parlamentare në Mars, në të njëjtën kohë me zgjedhjet komunale.

Osmani është kundër paralelizmit në Maqedoni me planin e Serbisë për Kosovën, por thërret për ndryshime kushtetuese në të cilat gjuha shqipe do të ishte gjuhë zyrtare po aq sa edhe ajo maqedonase dhe marrjen e vendimeve në të gjithë sektorët me parimin e konsensusit midis përfaqësuesve politik të maqedonasve dhe shqiptarëve, dhe me një organizim territorial dhe decentralizim komunal sipas kushtetutës së vjetër të 1974-ës. Në fund të intervistës, Rufi Osmani shfaq drojën e mbylljes së derës së zgjerimit të BE-  së pas anëtarësimit të Kroacisë në Korrik, në të cilin skenar sipas tij vendi mund të zhytej në bashkëqeverisje nga mafia dhe politika, njëjtë sikur në jug të Italisë (Sicili dhe Kalabri).

 

“Zhurnal plus”: Sipas jush cili është bilanci i këtij viti për gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni? A kanë ngecur ato, apo kanë përparuar?

Rufi Osmani: Një kronist i paanshëm objektiv do të konstatojë se qeveria dhe struktura ministrore dhe vendimmarrja ishte identike me vitin paraprak, ishte vit i vazhdimit të diskriminimit të shqiptarëve në më tepër drejtime. Ky diskriminim  është shumë evident në investimet kapitale publike dhe investimet private të përkrahura nga qeveria. Asnjë fabrikë ose investim serioz kapital nuk u realizua në vendbanimet shqiptare. U bllokua krejtësisht procesi i decentralizimit fiskal. U miratua një ligj për përdorim ironik të flamurit shqiptar. U vazhdua me punësime në administratën publike sipas kritereve ekskluzive partiake duke u dhënë paga administratorëve dhe duke mos u siguruar vende pune. Vlen të përmenden vrasjet në Gostivar dhe në Shkup me një tretman jo të ekuilibruar të akteve kriminale që sollën protesta të mëdha popullore kundër vrasjes në Gostivar dhe protesta të mëdha kundër etiketimit dhe fajësimit pa të drejtë të popullit shqiptar për vrasjen në Shkup dhe kështu me radhë... Pra thënë  “Shkurt dhe shqip” është krijuar status-quo me tendenca përkeqësimi në nivel nacional, ekonomik dhe ndëretnik në raport me vitin paraprak.    
 Sistemi zgjedhor e dëmtoi RDK-në “Zhurnal plus”: Si e shihni ju kontributin e RDK-së në skenën politike vendore që nga formimi i partisë dhe pjesëmarrjen në parlament? A mendoni se RDK-ja ka bërë ndonjë ndryshim pozitiv në skenën politike vendore dhe cilat janë rezultatet që do i veçonit në këtë rast?


Rufi Osmani: Në një ambient politik tepër të konfrontuar ku kultura demokratike e pjesëmarrësve në procesin politikë është nën çdo nivel, kur mediat kryesore kryesisht janë në anën e partive në pushtet, kur inteligjenca është në letargji të  madhe dhe kur aktivitetin politik e financoni nga kontributet vullnetare është shumë vështirë të realizoni një rezultat zgjedhor të respektueshëm për një periudhë kohore prej dy muajsh - nga prilli deri ne qershor te vitit 2011 - kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Sistemi i zgjedhor i ‘Dontit’  na dëmtojë për tre deputetë dhe kështu nuk arritëm të kemi grupin parlamentar, sepse RDK me 30 mijë vota ka dy deputetë, PDSH me 60 mijë vota ka 8 deputetë ndërsa BDI me 110 mijë vota ka 14 (+1) deputetë. Jam i bindur se shumica e njohësve të mirë të politikës në Maqedoni janë të bindur se paraqitja e RDK-së në skenën politike deri më tash ka arsyetuar veten në më tepër drejtime. Së pari: Falë konkurrimit tonë në zgjedhjet e kaluara u arrit një pakt BDI-PDSH me të cilin në vendbanimet ku nuk kishim struktura politike u manipulua procesi zgjedhor mirëpo u evitua konfrontimi i tyre politikë ngjashëm si në 2008;
 
Së dyti: Menaxhimi shumë i suksesshëm i komunës së Gostivarit si një komunë  para bankrotimit në vitin 2009 dhe transformimi i saj në një nga komunat më të suksesshme në Maqedoni në vitin 2012; Së treti: Kontributi i jashtëzakonshëm profesional dhe politik i deputetit tonë Izet Zeqiri në Parlamentin e Shkupit dhe demaskimi i diskriminimit të rëndë fiskal, investues, kulturor dhe institucional i shqiptarëve dhe; Së katërti: Kritikat e argumentuara dhe dhënia e alternativave për çështje politike, të sigurisë të reformave strukturore dhe  ekonomike, arsimore dhe integruese e veçojnë RDK-në si një strukturë politike e cila dallon në shumë aspekte nga partitë e tjera politike në vend. Mirëpo kur jeton në një vend kur qëndrimi ndaj opozitës është në tërësi përjashtues për të mos thënë  armiqësor atëherë do të thotë se edhe për kritikat e argumentuara dhe për alternativat e propozuara nuk ka vesh për ti dëgjuar, mendje për t’i kuptuar dhe vullnet për ti pranuar. RDK pa diskutim e plotësoi mozaikun e munguar në politikën shqiptare në Maqedoni me aktivitetin e saj të deritanishëm dhe ka perspektiva reale që të bëhet faktorë politik i rëndësishëm. Organizimi i Kongresit të parë të RDK-së më 22 dhjetorë konfirmoi vullnetin plebishitar të anëtarëve të sajë për haprim më të guximshëm në skenën politike në vend. 

Rufi Osmani: Marrëveshja e Ohrit si pakt i cili ndërpreu luftën dhe solli paqen në përmbajtje synonte të jepte një përgjigje të qëndrueshme për raportet konfliktuale shqiptare-maqedonase në Maqedoninë e pavarur.  Ky synim pretencioz i Marrëveshjes së Ohrit nuk mundej t’i rezistonte kohës edhe pas një dekade të zbatimit në  praktikë sepse në brendësi kishte dy defekte serioze:   Së pari: Përmbajtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk u jepte përgjigje meritore aspiratave të shqiptarëve për barazi të plotë në sistem. Kjo marrëveshje avanconte në doza te caktuara të drejtat e shqiptarëve duke i riemërtuar juridikisht shqiptarët nga statusi i pakicës kombëtare në”popullin  20%”,  me disa mekanizma që i mbrojnë nga majorizimi në lëmin e veçorive nacionale dhe kulturore,  por nuk  garanton  barabarësi ekuivalente dhe nuk jep mundësitë dhe shanset  të barabarta në plan individual dhe kolektiv dhe nuk eviton  majorizimin për çështje me interes  etnik, ekonomik, fiskal, zhvillimor dhe strategjik, dhe së dyti: Ishin të gjitha qeveritë e pas Marrëveshjes së Ohrit të cilat në mënyre sistematike vepruan që edhe ajo ofertë e pjesshme politike të devalvohet në masë të konsiderueshme në kuptim të cilësisë duke prolonguar dinamikën e zbatimit të saj. Përkundër faktit që afati i zbatimit të MO ishte katër vite, sot pas 12 vitesh, dy çështjet kryesore të kësaj marrëveshje që janë punësimi adekuat në sektorin publik është i realizuar pjesërisht me një cilësi shumë të dobët profesionale, ndërsa procesi i ripajtimit ndëretnik ka prirje të përkeqësimit serioz.  

Gabimet që shkaktuan humbjen e vendeve në Parlament

“Zhurnal plus”: A do të pajtoheshit edhe ju me faktin se humbja e 5-6 vendeve në parlament nga ana e shqiptarëve është hendeku  kryesor që i pamundëson shqiptarët e Maqedonisë (përfaqësuesit e tyre politik) për të detyruar palën maqedonase të zhbllokoj situatën ?

Rufi Osmani: Që shqiptarët të faktorizohen politikisht në Maqedoni dhe të detyrojnë në mënyrë  demokratike faktorët politikë maqedonas të hapin dialogun serioz për ndryshimin e Kushtetutës së vendit duhet të realizojnë hapin e parë politik: të unifikojnë mandatet politike parlamentare duke krijuar opozitën etnike politike shqiptare në Maqedoni.  Me të drejtë shtroni çështjen  që për RDK-në e ka kuptimin e një hapi shumë të rëndësishëm dhe të parealizuar për më shumë se dy dekada të veprimit politik në Maqedoni. Janë disa faktorë të rëndësishëm që duhen analizuar kur shtrohet çështja e mandateve të humbura të deputetëve shqiptarë. Së pari: Duhet me objektivitet të konstatohet se ishte gabim i madh politik i BDI-së që ra dakord me zgjedhjen e tre deputeteve të diasporës në mënyrën në të cilën ato u zgjodhën me legjitimitet demokratit të kontestueshëm, deputetë të cilët i fitoi VMRO-DPMNE; Së dyti: Organizimi i zgjedhjeve në kohën kur te ne nuk janë prezent mërgimtarët, fakt ky që rezulton në humbjen edhe të disa mandateve politike; Së treti: Fakti që listat zgjedhore vazhdojnë të jenë të mbushura me një numër shumë të madh të votuesve fiktiv, numër ky që lëviz nga 100 mijë deri në 200 mijë votues dhe që kryesisht me të ashtuquajturin “tren bullgar” dhe makinacione tjera manipulohet kryesisht nga partitë maqedonase dhe pjesërisht edhe nga partitë shqiptare në pushtet që rezultuan humbje shtesë të mandateve të deputetëve, dhe së katërti: Konkurrimi i skajshëm i shumë partive shqiptare dhe mos-bërja e koalicioneve para zgjedhore në sistemin e Dontit sollën gjithashtu humbje të mandatave të deputetëve shqiptare. Pra, nëse bëhet një llogaritje e saktë matematikore bazuar në argumentet e mësipërme dhe bazuar në lëvizjet demografike në vend, i bie se së paku dhjetë deputetë shqiptarë janë humbur. Mirëpo, problemi bazë vazhdon të jetë konkurrimi i skajshëm për të mos thënë armiqësia e madhe politike PDSH-BDI që pamundëson bashkëpunimin dhe unifikimin e mandateve të deputetëve shqiptarë në një platformë të vetme kombëtare. Duhet të konstatohet edhe një e vërtetë e pamohueshme se në këtë përbërje parlamentare VMRO-DPMNE nuk ka shumicë parlamentare, fakt ky që për herë të parë pas dy dekadave të demokracisë parlamentare ndodh në Maqedoni, mirëpo BDI vazhdon të mos e kushtëzojë partnerin maqedonas në asnjë drejtim në realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Përgjigjen në këtë dilemë si enigmë duhet ta merrni te dy partitë e tjera parlamentare shqiptare që të plotësoni kërshërinë e mozaikut tuaj  politik dhe të publikut më të gjerë.

Marrëveshje e Ohrit e pamjaftueshme, duhet ndryshuar kushtetuta

 “Zhurnal plus”Çfarë formule tjetër do të sugjeronit ju për partitë shqiptare në Maqedoni që të zhbllokohet situata, që të përshpejtohet zbatimi i MO-së, që të sillen ligje të reja të cilat janë vonuar dhe që të përmirësohet edhe zbatimi konkret i atyre ligjeve që tashmë janë miratuar?

Rufi Osmani: Problemi bazë pra nuk qëndron në formulën e zbatimit por në vetë përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit ndërsa dinamika e zbatimit të saj e ka zbehur edhe më shumë atë përmbajtje. Në esencë ligjet kryesore sipas kësaj marrëveshje tashmë janë miratuar, kjo marrëveshje ka kornizat e veta të cilat janë kufizuese dhe nuk mundësojnë që pozita kushtetuese juridike dhe procesi vendimmarrës në politikë bërjen në vend të jetë konsensual  pa majorizim dhe pa diskriminim. Zgjedhja e qeverisë, ndarja e ekuilibruar e posteve kryesore ministrore, miratimi i buxhetit, alokimi i parave publike në veçanti në pjesën e investimeve kapitale, përdorimi i plotë zyrtar igjuhës shqipe dhe përdorimi i flamurit kombëtar, e drejta e marrjes së nënshtetësisë me aktin e lindjes, punësimi i ekuilibruar dhe përzgjedhja e kuadrove menaxheriale në institucionet publike, shtetërore dhe ndërmarrjet publike nuk garantohen me këtë marrëveshje por janë pjesë e pazareve politike në mes të partive fituese maqedonase dhe shqiptare, pazare të cilat deri më tash janë dëshmuar si të dëmshme për shqiptarët. Është koha për  ndryshimin e tretë të kushtetutës në kushte paqeje si një konsensus i gjerë shqiptaro-maqedonas në funksion të tejkalimit të mosmarrëveshjeve aktuale dhe krijimit të një partneriteti të ri të bazuar në të drejta dhe përgjegjësi ekuivalente.

 Duhet qeveri teknike për kontestin me Greqinë, zgjedhje të hershme

 “Zhurnal plus”: Keni kërkuar shpeshherë krijimin e një qeverie më të gjerë. Si e argumentoni këtë kërkesë?

Rufi Osmani: Tashmë është e qartë se qeveria aktuale e vetme nuk ka kapacitet të menaxhojë sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet. Vendi në të gjitha drejtimet i ka tiparet e konfliktualitetit  shumëdimensional i cili eskaloi në dhunë fizike në Parlament dhe në rrugët e Shkupit dhe që rrezikon të përjashton opozitën nga institucionet e shtetit dhe nga zgjedhjet politike në perspektivë. Kjo dhunë fizike u shoqërua edhe me shkelje të rëndë të procedurave parlamentare gjatë miratimit të buxhetit të vendit për vitin 2013.  Nevojitet rrugëdalje institucionale nga ky qorrsokak politik. RDK në mënyrë permanente ka përsëritur qëndrimin e saj konsistent se vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse e koalicionit të gjerë ngjashëm si në vitin 2001 me synim realizimin e dy objektivave themelore: Së pari: Arritjen e marrëveshjes nacionale për tejkalimin e problemit për emrin ndërkombëtar të vendit si pengesa kryesore në integrimin e vendit në NATO dhe në UE dhe, së dyti: Krijimin e kushteve institucionale të barabarta për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta të  parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale në mars të vitit 2013. Për realizimin e dy objektiva strategjike RDK ofron bashkëpunimin e plotë politik të pakushtëzuar. Pra RDK nuk kërkon qeveri gjithëpërfshirëse që të jetë pjesë e kësaj qeverie, përkundrazi ne do e përkrahim këtë qeveri për objektivat e mësipërme pa qenë pjesë e ekzekutivit.
 
Maqedonasit qëllimshëm e vonojnë zgjidhjen e kontestit me Greqinë

“Zhurnal plus”: Kur është në pyetje çështja e mospajtimeve midis Shkupit dhe Athinës për emrin e vendit dhe zhbllokimin e rrugës drejt BE-së, partitë opozitare, pra edhe RDK-ja, e drejtoni gishtin vetëm tek qeveria. çfarë do të bënit ju sikur të ishit kryeministër i Maqedonisë ? Për çfarë emri do të pajtoheshit ju për të arritur kompromis me Greqinë ? Si do ta zhbllokonit ju këtë situatë, duke pasur parasysh edhe qëndrimet e palës maqedonase për çështjen e identitet të kombit maqedonas të cilat lidhen ngushtë me emrin e vendit ?

Rufi Osmani: Vonesa në tejkalimin e  kontestit me Greqinë e bashkangjitur edhe me kontestet që tash së fundi i ngrin edhe Bullgaria bëhen sfida të cilat klasat politike qeveritare në vend nuk kanë kapacitet menaxherial për ti tejkaluar. Vonesa e qëllimtë në tejkalimin e këtij kontesti me argumentin se çështja e emrit të vendit është vullnet politik i maqedonasve përkundër mekanizimit të konsensusit që është shtyllë e ruajtjes së kohezionit të brendshëm në NATO dhe në BE argumenton qëndrimin anti-integrues dhe të izolimit të kësaj qeverie dhe të qeverive paraprake të vendit. Nëse dikush ende ka dilema në këtë drejtim i rikujtoj të lexojnë qëndrimet permanente të këshilltarëve të kësaj qeverie (pjesës maqedonase) si Velinoska, Nikoski, Llatasi dhe Nedelkoski dhe do të binden se këta njerëz çështjen e emrit ndërkombëtar të vendit e identifikojnë me çështjen e identitetit kombëtar të tyre dhe se mbajnë bindjen se ndërrimi i emrit e ka kuptimin e zhbërjes që maqedonasve si komb. Historia e diplomacisë në Ballkan në  dy dekadat e fundit na argumenton se zgjidhja diplomatike duhet të imponohet nga faktori relevant ndërkombëtar, amerikan dhe evropian. Një imponim i kësaj natyre duhet të realizohet edhe nga shkaku se tashmë në Bashkimin Evropian ka rënë në masë të konsiderueshme entuziazmi nga zgjerimi si rezultat i krizave zinxhirë financiare dhe ekonomike të vendeve anëtare (Greqi, Irlandë, Spanjë, Portugali, Itali dhe Slloveni) dhe  faktit se BE nuk ka mekanizma dhe nuk gjen mënyra për zgjidhje të kontesteve bilaterale siç janë kontestet Serbi-Kosovë dhe problemi i emrit të Maqedonisë me Greqinë.  Zbatimi i formulës diplomatike që tejkaloi kontestin Slloveni-Kroaci (v.j. pér çështje kufiri) është zgjedhja optimale për kontestin Maqedoni-Greqi për më tepër arsye. Së pari: Opozita aktuale maqedonase përveç kritikave që i jep qeverisë për këtë çështje nuk ofron alternative konkrete për tejkalimin e kësaj sfide hamletiane për maqedonasit; së dyti: Nëpërmjet qeverisë gjithëpërfshirëse përgjegjësia për çështjen e emrit do të ishte e përbashkët dhe të dy partitë më të mëdha maqedonase por pse jo edhe partitë shqiptare do të ishin pro formulues  për emrin që paraprakisht do ishte harmonizuar në vend dhe në bisedime me Greqinë. Ky propozim i harmonizuar nuk do ishte problem të miratohej në një referendum demokratik sepse shumica e partive politike do ishin për ose disa nuk do ishin kundër; së treti: Do të organizoheshin zgjedhjet e radhës parlamentare të shkarkuara nga ky kontest dhe ky problem i rëndë nuk do ishte temë e fushatës dhe akuzave reciproke në kampin maqedonas dhe kush do fitonte mandatin do vazhdonte të qeveriste vendin me dy objektiva integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe arritjen e marrëveshjes politike me shqiptarët për ridefinimin kushtetues dhe juridik të vendit. Ajo që është edhe më me rëndësi për procesin e integrimit është fakti se sot në masë të konsiderueshme nuk ekzistojnë preferencat dhe dobitë buxhetore dhe financiare që dikur ekzistonin për vendet aspiruese. Mirëpo, në anën tjetër eliminohen mundësitë e zbatimit të politikave mbrojtëse në ekonomi dhe ne sferën sociale dhe se konkurrimi global në tregjet e BE ballafaqohet me kriza të mëdha edhe ekonomi të përparuara si ajo sllovene e të mos flasim për vendet si Maqedonia, Shqipëria ose Kosova. Jam i mendimit se për popullin shqiptar është i papranueshëm emri Sllavo-Maqedoni, ndërsa emrat e tjerë ndërkombëtarë pres ti propozojë historiografia shqiptare e harmonizuar edhe me atë maqedonase.

Modeli i planit të Serbisë për Kosovën nuk i vyen Maqedonisë
 
“Zhurnal plus”: Të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni, thanë pak ditë më parë për Zhurnal Plus se nëse plani i Serbisë (për autonomi/republikë serbe si në Bosnjë) do të zbatohej në Kosovë, atëherë shqiptarët e Maqedonisë do të kërkonin të njëjtin plan edhe për Maqedoni. Mirëpo asnjëra nga të 3 partitë (BDI, PDSH e RDK) nuk e thanë se cilët janë ata shqiptarë, apo cili formacion politik do të kërkonte një plan të njëjtë në një situatë të këtillë eventuale. Kjo i bie sikur : Do të kërkojnë të tjerët, por jo partia e jonë ? Sqarohuni ju lutem në pyetjen: A do të kërkonte RDK-ja të njëjtin plan nëse vërtet ai i Serbisë arrihet në Kosovë, pa marrë parasysh se cili do të ishte reagimi i BDI-së dhe PDSH-së?

Rufi Osmani: Analizat e bëra nga demograf dhe gjeograf  kompetent në Maqedoni argumentojnë se shtrirja territoriale dhe përzierja etnike e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mundëson një ndarje funksionale dhe paqësisht të pranueshme të Maqedonisë në dy etnitete politike autonome në kuadër të Maqedonisë. Në rastin e Kosovës kërkesa e Serbisë për krijimin e një ,”mini- republike serbe”, në Kosovë do të përfshinte vetëm gjysmën e serbëve në Kosovë sepse gjysma tjetër jeton në komuna të rrethuara me vendbanime tërësisht shqiptare. Është me interes që të informohen lexuesit tuaj se Plani Ahtisaari iu ofron serbeve ne Kosove dyfish me shumë të drejta dhe mekanizma mbrojtës se sa Marrëveshja e Ohrit për shqiptarët në Maqedoni, përkundër faktit që serbët në Kosovë janë 5% , ndërsa shqiptarët në Maqedoni janë afërisht 30%. Jam i bindur se kjo kërkesë serbe nuk do të pranohet sepse rrezikon domino efektin në Ballkanin Perëndimor. Nëse dëshirojmë të bëjmë një paralelizëm në Maqedoni me planin serb për Kosovën atëherë duhet që të gjitha partitë politike shqiptare t’i rikthehen projektit të Iliridës dhe të njohin legjitimitetin e referendumit për autonomi politike territoriale të organizuar në vitin 1992 nga lëvizja popullore e asaj kohe e identifikuar me PPD-në.  Ka një dallim esencial mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre në Luginën e Preshevës. Përderisa serbët e Kosovës nuk njohin shtetin e Kosovës dhe në terren kontrollojnë komplet territorin dhe kanë instaluar institucionet paralele, në rastin e shqiptarëve në të dy rastet është e kundërta. E apostrofoj këtë moment sepse është dëshmuar në praktikat politike në Ballkanin Perëndimor se shumë struktura jo-legale dhe jo-legjitime me kohë janë institucionalizuar dhe janë bërë pjesë e sistemeve legale pavarësisht nga mënyra se si janë krijuar.