17Dhjetor2017

U promovuan veprat e Adem Demaçit


17.01.2013 - Komuna e Gostivarit kishte nderin që të jetë nikoqire e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në promovimin e kompletit të veprave të tij.

Bacën Adem, poetët Flora Brovina dhe Arif Bozaxhi, kritiku letrar Shyqri Galica, si dhe zv/ministrin e kulturës të Kosovës Hajdin Abazi, i pranoi në kabinetin e tij para promovimit kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Në sallën e komunës së Gostivarit e cila ishte tepër e vogël për të pranuar gjithë ata të cilët kishin dëshirë që të takojnë dhe dëgjojnë Bacën Adem, ai u prit me duartrokitje të gjatë nga të pranishmit.

Kryetari Osmani, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt promovimi i veprave të Adem Demaçit, në fjalën e tij përshëndetëse foli për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, duke e quajtur atë simbol të rezistencës, hero të gjallë të Kosovës dhe Nelson Mandela i Evropës.

"Vepra e Adem Demaçit nuk është e çmuar sa duhet nga politika e sotme  por se ai është Mandela Evropian, dhe se rruga e tij ka qenë një rrugë e vështirë të cilës ai asnjëherë nuk iu nënshtrua për të thënë fjalën e lirë duke qenë një institucion më vete për kauzën tonë kombëtare. Politika ka qenë ajo që e ka shtyrë, të merret me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e tij politike t’i plasojë ndryshe në turmat shqiptare, përveç nëse duke i mbështjellë me njëfarë sheqeri. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fishkëlluar lehtë të metat dhe babëzitë. Krijimtaria e tij letrare artistike nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori në jetën dhe disidencën politike të tij”, tha mes tjerash Osmani.

Këtë ngjarje e përshëndeti edhe zv/ministri I kulturës së Kosovës, Abaz Hajdini, ndërsa  për veprën e  Adem Demaçit foli studiuesi dhe kritiku letrar prof.dr. Shyqri Galica.

Fjalë përshëndetëse mabjëtn edhe deputeti Izet Zeqiri, poetët Flora Brovina dhe Arif Bozaxhi, si dhe të pranishëm të tjerë në këtë promovim.

Në fjalimin e tij mjaft emotiv dhe energjik, heroi i gjallë i Kosovës, i cili vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë foli për nevojën për një unitet Brenda shqiptar, tolerancë dhe bashkëpunim ndërmjet partive politike në trojet shqiptare.

“Kombi ynë duhet të jetë i bashkuar dhe duhet që të punojmë për të mbetur gjallë. Ne si popull kemi kaluar faza të ndryshme të pushtuesve dhe përsëri kemi mbetur të pa lëkundur në idealet tona. Ne duhet të bashkojmë shpirtin tonë, dijen tonë në shërbim të kombit.  Ne si komb jemi unikat po edhe gjuhën e kemi unikate. Shumë vështirë mëson popullim im dhe shumë duron po kur mëson, nuk ka fuqi që ti dalë përpara. Prandaj porosia ime është që të bashkoheni në veprim me njëri tjetrin sepse detyrat e mëdha historike nuk i kryen dot një njeri i vetëm, as njëqind vetë as njëmijë vetë. Duhet vetëdija kombëtare të përfshihet nga mendjet e të gjithëve e ashtu të bashkuar ne do të jemi të pathyeshëm.”, nënvizoi Baca Adem Dema.

“Gjatë promovimit, Shyqri Galica lexoi një pjesë të poemës “Tung vargu im” e që ngjalli emocione te të pranishmit.

Kryetari Osmani në shenjë respekti, Adem Demës i dhuroi një pikturë artistike “Pulsi i jetës” – vepër e piktorit gostivaras Ylber Zylfiqari, ndërsa baca Adem kryetarit Osmani i dhuroi një komplet veprash.

Vlen të përmendet se prej dje, biblioteka e qytetit dhe bibliotekat e shkollave të mesme të Gostivarit janë pasuruar me disa komplete veprash të Adem Demaçit, ndërsa me vepra të Adem Demaçit u furnizuan edhe të pranishmit në promovim, një pjesë prej tyre edhe me nënshkrimin e autorit.

Pas promovimit, u organizua një koktej rasti, e që të pranishmit e shrytëzuan për të bërë foto me Bacën Adem – heroin e gjallë të Kosovës, Rufi Osmanin – kryetarin e komunës më reformator të Ballkanit, Flora Brovinën – gruan që u sfidoi presioneve të papara të regjimit tiranik të ish Jugosllavisë dhe Izet Zeqirin – deputetin më produktiv deri më tani në Parlamentin e Maqedonisë.

Në promovimin e veprave të Adem Demaçit morën pjesë edhe deputetja Flamure Demiri -Kreci,  kryetari i këshillit Fadil Zendeli, këshilltarë komunalë, përfaqësues të administratës komunale, institucioneve lokale, veteranë të arsimit, ish luftëtarë të lirisë, ish të përndjekur politik, mysafirë nga Gostivari, Tetova dhe më gjerë.

Për më shumë fotografi : Kliko Këtu

Shërbimi për informim