23Gusht2017

Delegacioni i RDK-së mori pjesë në Kongresin e PDK-së

Osmani: “Sfidat e menaxhimit politik në Kosovën e pavarur kërkojnë unitet veprimi dhe përforcim të kapaciteteve demokratike”  

Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare – Rufi Osmani i shoqëruar nga sekretari Izet Zeqiri dhe nënkryetari Artan Dika, mori pjesë në Konventën VI zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, në Prishtinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i RDK-se Rufi Osmani, mes tjerash potencoi meritat e lidershipit të ish UÇK-së në procesin e çlirimit të Kosovës si merita të karakterit historik.

“Sfidat e pasluftës së Kosovës janë sfida të jashtëzakonshme në realizimin e objektivit bazë të integrimit të plotë të vendit, funksionimit të shtetit të së drejtës, zbatimit të reformave institucionale , luftimit të korrupsionit institucional, zhvillimit të ekonomisë, zvogëlimit të varfërisë dhe të avancimit të procesit të integrimit euroatlanik”, theksoi Osmani.

 Ai për këtë proces të ndërlikuar politik, rekomandoi përforcimin e kulturës demokratike dhe bashkërendimin e aktiviteteve me partitë simotra në Kosovë dhe në rajon, në kuptim të tejkalimit të vonesës historike të kombit shqiptar dhe stabilizimit dhe përforcimit të shtetit të Kosovës.

 “Uroj që konventa zgjedhore e PDK-së të prodhojë një lidership të fuqishëm dhe të krijojë platformën e mirëfilltë për realizimin e objektivit bazë  - Kosovës evropiane”, nënvizoi Osmani.

Shërbimi për informim - RDK