17Dhjetor2017

Reagim i degës së RDK-së në Çair lidhur me ndërtimin e hotelit në vendin e Xhamisë Burmali

11.02.2013 - Dega e RDK-së në Çair shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me njoftimet për fillimin e punimeve për ndërtimin e një hoteli në vendin ku dikur ndodhej Xhamia Burmali në qendër të Shkupit.

Një veprim i tillë, në pronën që është pjesë e vakëfit të BFI-së, dëshmon qartë qëllimin e qeverisë Gruevski për të zhdukur çdo gjurmë të objekteve dhe dëshmive që nuk janë pjesë e kulturës dhe historisë sllavo-ortodokse në Shkup dhe heshtjen prej struci të shqiptarëve që formalisht janë pjesë e qeverisë së tij. Këtë tendencë jocivilizuese e dëshmon edhe fillimi i ndërtimit të kishës në qendër të Shkupit, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme po injorohen kërkesat për rindërtimin e Xhamisë Burmali, simbolit të Shkupit të vjetër, të rrënuar nga pushtuesit serb.

Kjo politikë konfliktnxitëse e ndërtimit të shesheve dhe përmendoreve monoetnike dhe monofetare po injoron, mohon dhe ndalon objektet e bashkësive tjera, të cilat i japin ngjyrë multikonfeksionalizmit në Maqedoni, me rreth gjysmën e popullatës së këtij vendi. Me veprime të tilla të qeverisë, të shoqëruara me inferioritin dhe apatinë e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, vetëm sa inkurajohen dhe përkrahen qëllimet primitive dhe konfliktnxitëse të atyre që më shumë se dhjetë vjet më parë dogjën xhaminë në qendër të Prilepit dhe tani për më shumë se dhjetë vjet, bashkë me qeverinë, pengojnë rindërtimin e saj. Për fat të keq, ne të gjithë jemi dëshmitarë se kishat që sot digjen vetvetiu, rindërtohen brenda pak ditësh, ndërkohë që xhamitë që digjen qëllimisht nuk lejohet të rindërtohen më.

Duke përkrahur edhe një herë kërkesën për rindërtimin e Xhamisë Burmali në qendër të Shkupit, Dega e RDK-së në Çair shpreh keqardhjen që ata që do duhej të insistonin fuqishëm në qeveri për ndërtimin e kësaj xhamie - simbol të kryeqytetit tonë të lashtë, heshtin dhe janë tepër të zënë me ndërtime të shumta dhe pa asnjë kriter në pothuajse çdo park dhe cep të Çairit.

Dega e RDK-së në Çair