19Gusht2017

Osmani u takua me kandidatët për kryetarë komune dhe bartësit e listave

21.01.2013 - Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani mbajti takimin e parë konsultativ me kandidatët për kryetarë komune dhe bartësit e listave nga radhët e RDK-së.
Kryetari Osmani i njoftoi të pranishmit për përgatitjet dhe organizimin e RDK-së në të gjitha komunat ku do të garojë me kandidat për kryetar dhe listë këshilltarësh. Rufi Osmani informoi të gjithë kandidatët për kryetar komune dhe bartësit e listave të përgatiten maksimalisht dhe të evitojnë incidentet të cilët do të jenë të porositura nga ndonjë strukturë.

Para kandidatëve për kryetarë dhe bartësit e listave mbajtën fjalime informuese disa nga udhëheqësit e sektorëve në komunën e Gostivarit, me qëllim që kandidatët të informohen për mënyrën se si udhëhiqet komuna dhe si arrihet prej një komune para falimentimit të reformohet në një ndër komunat më të suksesshme në rajon.

Kandidatët për kryetarë të komunave dhe bartësit e listave për këshilltarë komunalë raportuan për punën e tyre në terren dhe rezultatet që priten më 24 mars.
Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, RDK do të garojë me 14 kandidatë për kryetarë komune dhe 25 lista këshilltarësh në komunat e banuara me shqiptarë. Në disa komuna, me qëllim që të mos përçahet vota shqiptare dhe të mos vihet në rrezik fitorja e kandidati shqiptar, siç është rasti i Srugës dhe Kërçovës,  do të mbështesë kandidatët e tjerë shqiptarë, ndërsa në Dibër kandidatin e pavarur Ibrahim Kolari dhe listën e pavarur për këshilltarë komunalë.

Në prag të zgjedhjeve lokale, RDK po përgatitet intensivisht për konventën promovuese të kandidatëve për kryetar dhe bartësit e listave, promovimet e veçanta të kandidatëve nëpër komuna, si dhe hapja e shtabeve dhe mini-shtabeve.
RDK, tashmë ka përgatitur  platformën për zgjedhjet lokale, himnin dhe ka përcaktuar sloganin, e të cilat së shpejti do të bëhen publike.

Shërbimi për Informim - RDK