19Gusht2017

Kryetari Osmani takoi euro - ambasadorin Orav

21.02.2013 - Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe i komunës së Gostivarit Rufi Osmani, realizoi një  takim pune me ambasadorin e BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Bashkëbiseduesit këmbyen opinionet për krizën  politike në vend dhe për perspektivat e vendit në kontekstin e ruajtjes dhe avancimit të stabilitetit ndëretnik, funksionimin e institucioneve të vendit bazuar në parimet e shtetit juridik, tejkalimin e kontestit për emrin ndërkombëtar të vendit dhe avancimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Një ndër temat kyçe rreth të cilave biseduan Osmani dhe Orav, ishin zgjedhjet lokale të radhës, me ç’rast euro-ambasadori u interesua për përgatitjet e RDK-së për fushatën zgjedhore dhe rezultatet që pret kjo parti në komunat ku garon me kandidatët e saj.

 

Kryetari Osmani, njoftoi ambasadorin e BE-së se RDK me alternativat e propozuara nga RDK për të tejkaluar problemet që u efektuan pas incidenteve të 24 dhjetorit në Parlamentin e vendit. Osmani potencoi se RDK-ja do të organizojë një fushatë civilizuese, me ç’rast do të përqendrohet në promovimin e platformës së vet zgjedhore, platformë kjo që synon të avancojnë procesin e decentralizimit nëpërmjet  ideve dhe kandidatëve cilësor që garojnë në këto zgjedhje.

Kryetari Osmani në mënyrë të veçantë informoi për koalicionin e arritur të RDK-së me TDP si një koalicion multietnik me objektiva të sigurojë fonde shtesë financiare nga autoritetet lokale turke dhe nga investitorët turk. Osmani rekomandoi ambasadori Orav, që të shfrytëzojë autoritetin e tij dhe të bëjë trysni te autoritetet vendore që të sigurojnë një proces korrekt dhe demokratik zgjedhor,  me mundësi të barabartë për konkurrim të të gjitha partive, pa presione manipulime, shantazhe dhe manifestim  të dhunës
Euro-ambasadori Orav u interesua edhe për qëndrimin e kryetarit Osmani, në lidhje me bojkotin e zgjedhjeve nga opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM dhe alternativat e  menaxhimit të situatës politike në funksion të ruajtjes së vlerave bazike të demokracisë dhe mos rrezikimin e procesit të integrimit të vendit.   

Bashkëbiseduesit ranë dakord, se këto zgjedhje do të jenë një test serioz për demokracinë në vend dhe shansi që nuk duhet lëshuar që Maqedonia të bëjë lëvizje evidente pozitive në drejtim të integrimet e vendit në BE dhe në NATO.


Shërbimi për informim