15Dhjetor2017

Konferencë për shtyp e kryetarit të shtabit zgjedhor të RDK-së, Artan Dika

Konventa promovuese më 2 mars në Shkup nën moton “Vazhdojmë me ndryshime”

Kryetari i shtabit zgjedhor, njëherit dhe nënkryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare – Artan Dika, në selinë e partisë në Shkup mbajti konferencë për shtyp ku bëri publike datën e mbajtjes së Konventës promovuese dhe moton me të cilën RDK do të garojë në zgjedhjet lokale të radhës.

Prononcimin e dr. Artan Dikës, jua përcjellim në mënyrë integrale:

Rilindja Demokratike Kombëtare do të mbajë Konventën promovuese të kandidatëve të saj për kryetarë komunash dhe bartësve të listave për këshilltarë komunalë ditën e shtunë, me 2 mars, në orën 17, në Sallën universale në Shkup.

 RDK do të garojë në këto zgjedhje me moton ’Vazhdojmë me ndryshime’ dhe beson se ndryshimet që tashmë janë evidente në Komunën e Gostivarit me të cilën ka udhëhequr për katër vjet do të shtrihen edhe në komuna tjera të banuara me shqiptarë. Në këtë konventë do të promovohen kandidatët e RDK-së për kryetar komune në 14 komuna: Tetovë, Gostivar, Çair, Kumanovë, Likovë, Saraj, Studeniçan, Haraçinë, Vrapçishtë, Zhelinë, Bogovinë, Tearcë dhe Dollnen si edhe kandidati për kryetar të qytetit të Shkupit. Përveç 14 komunave të mësipërme, RDK do të kandidojë me listë këshilltarësh edhe në 11 komuna tjera: Strugë, Kërçovë, Ohër, Butel, Gazibabë, Bërvenicë, Jegunovc, Zelenikovë, Sopishtë, Krushevë dhe Çashkë - gjithsej 25. Në Konventën promovuese do të shpaloset edhe platforma elektorale e Rilindjes Demokratike Kombëtare.

RDK ka mbështetur zgjatjen e afatit për dorëzimin e listave deri në datën 3 mars, duke shpresuar se me këtë do të tejkalohet problemi i bojkotimit të zgjedhjeve nga disa parti opozitare. RDK po e shfrytëzon këtë afat për të parë mundësitë për konkurim me lista këshilltarësh edhe në dy komuna të vogla të rrethit të Shkupit.

Ne shpresojmë se fushata zgjedhore do të kalojë në mënyrë të qetë ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë fer dhe demokratike. Megjithatë RDK shpreh shqetësimin për raportimet e aktivistëve të saj nga komuna e Sarajit se të afërm të kandidatit të PDSH-së për Kryetar Komune kanë shkuar të paftuar në shtëpitë e aktivistëve të RDK-së në fshatin Kondovë duke u kërkuar atyre llogari se pse nuk e mbështesin kandidatin e PDSH-së dhe duke ju premtuar para në këmbim të votës për këtë kandidat. Gjithashtu, aktivistë të RDK-së nga fshati Svillare e poshtme, në Komunën e Sarajit, kanë raportuar presione përmes thirrjeve telefonike që të mbëstesin kandidatin e PDSH-së në këtë komunë. Për të gjitha këto RDK ka njoftuar edhe Zyrën e BE-së në Shkup, në një takim të zhvilluar sot.

Zhvillimet e tilla si edhe deklarimet e papjekura dhe të papërgjegjshme për raketa tomahok që do të shpërthejnë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve janë ngjarje shqetësuese që nuk duhet të përsëriten në ditët në vazhdim, në mënyrë që fushata dhe zgjedhjet të ndjekin rrjedhën e tyre normale dhe pa probleme.
Demantojë shkrimet në shtyp për gjoja ndryshimin e kandidaturës së RDK-së në Çair ku u përmend si burim Komisioni shtetëror zgjedhor dhe i bëjmë thirrje KSHZ-së të bëjë përmirësimin e  gabimit.
Shpresojmë në një bashkëpunim korrekt me mediat dhe mbulim të aktiviteteve të saj, si nga mediat e shkuara ashtu edhe ato televizive.

Shërbimi për informim - RDK