15Dhjetor2017

Reagim RDK- dega Tetovë

03.03.2013 - Rilindja Demokratike Kombëtare- Dega Tetovë, reagon ashpër ndaj sulmit vandal që ndodhi mbi njërin nga autobusët në të cilin gjendëshin anëtarë dhe simpatizues të Rilindjes Demokratike Kombëtare- Dega Tetovë, te cilët ishin duke u kthyer nga Konventa Promovuese e Rilindjes Demokratike Kombëtare, që u mbajt në Sallën Univesale- Shkup.

Sulmi vandal ndodhi rreth orës 19:30 në lagjen Gjorgje Petrov, kur persona të panjohur sulmuan me mjete të forta autobusin. Gjatë këtij sulmi ngelën të lënduar lehtë tre aktivistë të RDK- Dega Tetovë.

Me keqardhje konstatojmë se, përkundër përkushtimit dhe angazhimit tonë që këto zgjedhje të jenë korrekte, të drejta dhe demokratike dikush që e ka halë në sy dhe frikë në palcë kapacitetin dhe frymën e RDK-së është duke përgatitur skenare të ndryshme për të penguar fushatën zgjedhore ende pa filluar ajo.

 

Këto skenare të errëta janë duke u gatuar në kuzhina antishqiptare, ato janë të drejtuar kundër qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe RDK-së në veçanti.

Rilindja Demokratike Kombëtare- Dega Tetovë, kërkon nga organet kompetente zbardhjen e plotë të këtij incidenti dhe nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e autorëve të këtij akti vandal.

RDK – Dega Tetovë