23Gusht2017

Kandidatët e RDK –së nënshkruajtën deklaratën për zgjedhje të lira dhe të ndershme

13.03.2013 - Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe kandidatët e Rilindjes Demokratike Kombëtare sot nënshkruajtën deklaratën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në praninë e mediave. Ndër të tjera kryetari i RDK-së Rufi Osmani vlerësoi nënshkrimin e kësaj deklarate si një simbol i rëndësishëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme;

“Jam i nderuar sot si kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare që së bashku me kandidatët tanë për kryetarët të komunave të Pollogut të nënshkruajmë deklaratën të cilën e ka ofruar NDI, në kuptim të përkrahjes të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ne çmojmë se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë gur themeli i demokracisë dhe gur themel i ndërtimit të shtetit ligjor dhe të drejtës. Në këtë drejtim ne kemi dhënë prova dhe argumente në tre cikle zgjedhore se gjithmonë kemi qenë pjesë e zgjidhjes së problemeve, dhe kurrë s’kemi krijuar probleme. Në këtë drejtim duhet të manifestoj qëndrimin e përbashkët të RDK-së dhe të Partisë Demokratike Turke me të cilën ne dalim në bashkëpunim në komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit që këto vlera të demokracisë ti zbatojmë së bashku.”
Ndër të tjera Osmani përmendi faktin e keqpërdorimit të procesit zgjedhor nga ana e partive në pushtet si edhe kërcënimet që vijnë në drejtim të qytetarëve dhe të punësuarve në administratën shtetërore.

 “Ne konstatojmë se ka tendenca shumë negative të keqpërdorimit të procesit zgjedhor në veçanti në fazën ku ne jemi, dy partitë më të mëdha VMRO DPMNE dhe BDI harxhojnë shuma të majme të parave ku në rastet perspektive bëhet fjalë për miliona euro, për të cilat ata nuk japin dëshmi materiale në kuptim të promovimit të kandidaturave dhe promovimit të programeve të tyre. Më e papranueshme është kërcënimi dhe shantazhimi i qytetarëve si edhe kërcënimi i të punësuarve tanë në administratën shtetërore publike.”
Një element tjetër i rëndësishëm i kësaj deklarate për shtyp  nga kryetari i RDK –së ishte tërheqja e vërejtjes ndaj mediave të cilat janë përfshirë nga elemente korruptuese në këtë fushatë zgjedhore si edhe kërkoi në mënyrë publike monitorim korrekt dhe të zgjedhjeve nga ana e OSBE- ODIR duke iu kujtuar partive në pushtet përmbushjen e kritereve të kërkuara nga ta.  
 “Mediumet në përgjithësi i janë nënshtruar kësaj oferte korruptuese zgjedhore, dhe ajo që e bën më të veçantë mediumet publike nuk japin trajtim të barabartë të kandidaturave të ndryshme të partive politike , por kryesisht përkrahin kandidaturat e partive në pushtet. Kjo çështje duhet të jetë një nga vërejtjet më substanciale në kuptim të eleminimit të këtyre devijimeve të kësaj sëmundje demokratike. Jam i bindur se përfaqësuesit e OSBE -ODIR do ti vëzhgojnë këto mangësi  dhe të njëjtat do ti adresojnë si vërejtje të radhës për Maqedoninë në kuptim të arritjes së kritereve dhe standardeve për kyçje të Maqedonisë në strukturat e Unionit Evropian dhe të NATOS sepse thjesht pa plotësimin e standardeve demokratike si vend që pretendon të jetë pjesëmarrëse e një familje ku demokracia është gur themel i çdo vlere. “

 

Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare Osmani garantoi se kandidatët e RDK –së për kryetarë dhe për këshilltarë do të jenë përkrahës të një manifestimi korrekt parazgjedhor, zgjedhor dhe garantoi se RDK nuk do të jetë pjesë e problemeve po do të jetë shembull sesi duhet të organizohen zgjedhjet e lira dhe të drejta në mënyrë që t’ju mundësohet qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit që ato i preferojnë në bazë të së kaluarës së tyre dhe mbi të gjitha në bazë të ofertës programore cilësore e cila do të zgjidhë problemet e shumta të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.