17Dhjetor2017

Daltonistët politikë dhe pamfleta e tyre bardhë e zi

18.03.2013 - Kampanja parazgjedhore nga shtabi i partisë qeveritare pa pushtet (fjalimi i qeveritarit në Kërçovë dhe Strugë e dëshmon këtë) udhëhiqet nga daltonistët dhe të verbrit politik, që të shkruarës në pamfletat  “blu” as vetë nuk i besojnë.
Kritikohet menaxhimi i komunës 2009-2013 nga ana e kryetarit aktual dhe të ri të Gostivarit, analizohen pa ngjyra premtimet elektorale 2009-2013, por të njëjtat kritikohen dhe analizohen nga piktorët lokalë (bardhë e zi) dhe “ndërtimtarët” e dështuar që nuk kishin kapacitetin intelektual dhe moral të  jenë ndryshuesit e Gostivarit.

Sa i përket punës së Rufi Osmanit, vlerësimin e bëjnë qytetarët e komunës së Gostivarit si dhe institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, e assesi “aktorët” që ditën mbajnë kutia votimi në qytet duke lypur vota për shkatërruesin e Gostivarit, ndërsa natën u bëjnë presion dhe i shantazhojnë qytetarët nëpër shtëpitë e tyre.

Në analizën bardhë e zi të piktorëve lokalë dhe ndërtimtarëve të dështuar, përmendet Qendra e Pollogut për gjoja asistencën financiare që ka dhënë për Komunën e Gostivarit, por nuk përmendet se kjo qendër katër muaj me radhë nuk siguron paga për të punësuarit politik të tyre, që në nivel mujor kapin vlerën prej jo më shumë se 3.000 Euro. Si mundet kjo qendër të ketë ndërtuar rrugën e Balindollit dhe të ketë ofruar asistencë financiare për basenin e Debreshit, kur në të njëjtën kohë nuk ka mundur të sigurojë as mjete higjienike për zyrat e veta.

Për se kjo Qendër është në këtë situatë të palakmueshme financiare? Këtë le ta analizojnë daltonistët e qeveritarëve pa pushtet, se e njëjta qendër duke punësuar militantë partiakë, nuk arriti të kompletojë asnjë aplikacion të vetëm, e lëre më të fitojë ndonjë grand  nga fondet vendore dhe ndërkombëtare. Situata nuk është e tillë në qendrat tjera në nivel të vendit. E këtë më së miri e di “ndërtimtari i përbashkët i pushtetit lokal” i cili rreth dy vite menaxhoi me këto qendra.       

Në pamfletin bardhë e zi, analizohet nepotizmi në nivel lokal, por ngjyrat edhe këtu mungojnë, pasi që amnezia lokale i ka kapluar të njëjtit duke harruar se kush punoi vetëm me tri kompani, duke favorizuar vetëm klanin e vet, kush punësoi në komunë dy familjarët e vet si administratorë, kush emëroi drejtor familjarin e vet, kush pagoi familjarin e tij 15.000 Euro për mbikëqyrje të ndërtimit të sallës sportive të gjimnazit edhe atë vetëm për fazën fillestare, duke lënë projektin për gjysmë dhe kush favorizoi deputetët nepotikë marioneta. Sa për rikujtim, nepotizmi është virtyt i kohës së BDI-së në Gostivar dhe është dukuri e BDI-së në nivel qendror.

Projektet evropiane?! Me sa duket qeveritarëve pa pushtet, do t’ju duhen trajnime serioze në këtë temë, pasi që dihet mirë se në çdo komponentë ka të ndara mjete për ndihmë teknike se si shfrytëzohen mjetet nga fondet evropiane. Dihet mirë kush është kompetent për ndërtimin e mekanizmave që do të mundësojnë shfrytëzimin e këtyre fondeve që janë fantoma për shtabet qendrore të të njëjtëve. Le të analizojnë sa kuadro kanë në Agjencinë pagesore ku ndihmohet bujqësia nga Fondet evropiane (IPARD AP), le të analizojnë kush menaxhon me subvencionet për bujqit, kush menaxhon me mjetet nga IPA fondet e përmendura, që për të njëjtët janë fantazi shkencore.
Sa i përket komunës së Gostivarit analizën e ka realizuar MOODY’S, Banka Botërore, KfW  Banka Gjermane si dhe institucionet tjera ndërkombëtare që pranuan projektet në vlerë prej 6.3 milion euro, ku edhe 6.6 milion të tjera janë në aplikim.

Sa i përket analizave të tjera, përgjigjen e duhur e morën nga analiza e botuar ditë më parë, ku ata në mënyrë të drejtë njoftuan dështimin e tyre nga pozita e qeverisjes qendrore duke përmendur sferat që janë në kompetencë të tyre, siç janë kultura, sporti, aspekti social, mjedisi jetësor etj. dhe të njëjtit në vitet e shkuara nuk bënë asgjë për Gostivarin.
Kur drejton shtabin me artistë dhe ndërtimtarë, mundesh vetëm të bashkëndërtosh Maqedoninë dhe “Shkupin 2014” dhe suksesin e një komune mund ta shohësh bardh e zi, e cila edhe pse në opozitë dhe e diskriminuar në mënyrë të egër nga qeveritarët pa pushtet, vendosi bazë të shëndoshë për zhvillimin ekonomik të komunës duke menaxhuar me nder dhe duke u dalluar nga komunat që menaxhon partia në qeveri pa pushtet.
Ju rekomandojmë që të analizoni komunat e bllokuara shqiptare, të cilat katër vite nuk u menaxhuan por u keqpërdorën nga ana e partisë në qeveri pa pushtet!

Shtabi zgjedhor i RDK-së në Gostivar