17Dhjetor2017

LISTA E RDK-SË PËR KËSHILLTARË ËSHTË OFERTA MË E MIRË PËR KËSHILLIN E KOMUNËS SË KËRÇOVËS

18.03.2013 - Nisur nga disa zhvillime të fundit lidhur me zgjedhjet lokale në komunën e Kërçovës dhe atë të Strugës, Rilindja Demokratike Kombëtare dëshiron të sqarojë opinionin e gjerë publik, se ajo në vazhdimësi ka treguar përgjegjshmëri në veprimin e saj dhe ka dhënë prova se është e gatshme të vendos interesin kombëtar mbi atë partiak. Këtë e ka dëshmuar më së miri me ofrimin e mbështetjes për kandidatin e BDI-së për kryetar të komunës së Kërçovës dhe mosnxjerrjes së kandidatit të saj për kryetar të komunës së Strugës.

Fatkeqësisht, parti të caktuara politike i kanë përdorur temat e ndjeshme me rëndësi etnike vetëm për të fituar pikë politike, duke lëshuar publikisht deklarata gjoja se ftojnë për bashkëpunim, por duke mos ofruar asnjë ofertë serioze për arritjen e tij. Për më keq, kjo megalomani politike është udhëhequr vetëm nga interesa te ngushta partiake. Gjendja aktuale në Kërçovë rrëzon pretendimet e BDI-së për unitet dhe demaskon hipokrizinë e politikave të saj. Skena politike por edhe bashkëpunimet ndërpartiake e koalicionimet e ndryshme nuk njohin asnjë situatë ku një parti e vetme thirret në unitet, me kusht që të gjithë të përkrahin vetëm listat dhe kandidatët e saj. Një gjë e tillë është karakteristike vetëm për mentalitetin marksist të krijimit të partisë-shtet dhe shoqërisë të kontrolluar nga një parti.
RDK fton opinionin kërçovar, në Kërçovë por edhe në diasporë, që të mos bie pre e manipulimeve dhe gënjeshtrave të përhapura nga militant të paguar partiakë kafeneve dhe skutave të Këçovës se gjoja RDK do ta tërheq listën e saj për këshilltarë. Rilindja Demokratike Kombëtare është thellësisht e bindur se lista e saj për këshilltarë është oferta më e mirë për këshillin e komunës së Kërçovës, sepse është ofertë e përbërë nga intelektualë të mirënjohur të kësaj komune e jo persona të imponuar në shoqëri përmes blerjes së diplomave.

Duke u nisur nga lëshimet e bëra tashmë nga RDK-ja, nga qëllimi që të mos përçahet vota shqiptare për këshilltarë komunal, si edhe nga fakti se asgjë tragjike nuk do të ndodh për Kërçovën nëse BDI tërheq listën e saj për këshilltarë dhe këshilli i komunës mbizotërohet nga përfaqësuesit shqiptarë të RDK-së - sepse të gjithë ata janë intelektualë shqiptarë kërçovarë - ne ftojmë BDI-në që ta tërheq listën e saj për këshilltarë në këtë komunë dhe ta koncentrojë fushatën në fitoren e kandidatit të saj për kryetar të komunës së Kërçovës, të mbështetur edhe nga RDK-ja.