15Dhjetor2017

Konferencë shtypi me mediat lokale e degës së RDK-së në Kërçovë‏

20.03.2013 - Me këte reagim dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik, me qëllim që të gjithë kërçovarëve t’ua bëjmë me dije, të vërtetën e bisedimeve për listë të përbashkët për këshilltarë dhe me këtë të hedhim poshtë të pavërtetat, thashethemet dhe shpifjet e BDI-së.
Oferta jonë për bashkëpunim dhe mbështetje të kandidatit për kryetar nga radhët e BDI-së ishte e promovuar që nga mbajtja e Kuvendit të Degës së RDK-së Kërçovë, në fillim të dhjetorit të vitit 2012, pra para tre muajshë, edhe pse në atë kohë ata ende nuk e kishin të caktuar kandidatin e tyre. Këtë mbështetje nëpërmjet medias e komfimoi edhe Kryetari i RDK-së z. Rufi Osmani.  
Që atëherë Dega e RDK-së Kërçovë ka ofruar bashkëpunim të vazhdueshëm për të pasur një listë të përbashkët të Këshilltarëve për Komunën e Kërçovës, por nga BDI kjo ofertë nuk u mor me seriozitetin e duhur konform situatës në të cilën gjindemi si shqiptar.
Ftesa për bisedime për bashkëpunim për listë të përbashkët të Këshilltarëve nga ana e Degës së BDI-së - Kërçovë, ka ardhur një ditë para dorëzimit të listave. Nga pjestarët e Degës së BDI-së Kërçovë,  nuk është ofruar asnjë bashkëpunim serioz, kurse ofertat e tyre kan qenë fyese dhe nënçmuese, duke na ofruar vendin mbi numrin 13 të listës dmth. pozicioni me numër 14 , pozicion që nuk fitohet as teoretikisht, sepse pozicione fituese në bazë të përqindjes së popullatës shqiptare, janë nga 1 deri në 12.
Ky propozim në fakt, tregon se BDI ka qenë dhe është kundër unifikimit të listave dhe me këtë vendosi në lojë, edhe njëher fatin e shqiptarëve të Kërçovës.
RDK-Dega në Kërçovë deri në momentin e fundit ka qenë e hapur për bashkëpunim. Por si që duket, BDI-në e ka verbuar dëshira për pushtet dhe nuk është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka para shqiptarëve.
Dihet botërisht, që nuk ka bashkëpunim pa kompromise!
Kërçova nuk është vetëm e BDI-së, Kërçova është e të gjithë neve!
Nëse BDI dëshiron që të gjej fajtorin për dështimet e veta, atë le ta kërkon në mesin  e saj.
Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të gatshëm për bashkëpunim, kur është fjala për interesin e përbashkët kombëtar, dhe këtë e dëshmuam me përkrahjen që RDK-ja bën për kandidatin e BDI-së për kryetar të Kërçovës dhe tërheqjen e kandidatit të RDK-së, për kryetar të Komunës së Strugës.
Kurse sa i takon listave për këshilltar, në këtë rast ne ishim të detyruar të dalim të vetëm me listë të këshilltarëve sepse u injoruam nga ana e BDI-së por ne vazhdojmë të përkrahim pa rezervë kandidatin shqiptar, pra kandidatin e tyre për kryetar komune.
Për këtë arsye u bëjmë apel të gjithë kërçovarëve, që  të votojnë listën e Këshilltarëve të RDK-së, të votojnë numrin 1, sepse në atë listë janë kandidatët më të pregaditur profesionalisht dhe me më shumë përvoj institucionale dhe në atë mënyrë do të kenë mundësi të marrin pjesë aktive në hartimin dhe realizimin e vendimeve jetike për shqiptarët.

Dega e RDK-së Kërçovë