19Gusht2017

“Sihariqi” i radhës i zullumqarit me inicialet N.B.

02.04.2013 - Njoftojmë opinionin publik se ditëve të fundit, nëpër shtëpitë dhe banesat e qytetarëve maqedonas në komunën e Gostivarit, janë përhapur fletushka në gjuhën maqedonase, në të cilat i bëhet thirrje kësaj popullate që të votojnë kundër kryetarit aktual të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, dhe të mbështesin kandidatin e BDI-së në Gostivar, i cili siç thuhet në tekst iu ka premtuar maqedonasve të kësaj ane ndërtimin e një kishe.

Megjithëse këto fletushka nuk mbajnë nënshkrimin e askujt, fakti se përfituesi i vetëm nga një propagandë e tillë në mjediset e banuara me popullatë maqedonase të Gostivarit është kandidati i BDI-së dhe meqë personi në fjalë e ka dëshmuar në vazhdimësi se nuk zgjedh mjet për të arritur qëllimet e tij personale për pushtet, lehtësisht është e kuptueshme se burim i fletushkave në fjalë është shtabi i kandidatit të BDI-së në Gostivar.

Është pra ky edhe një “sihariq” nga personi N.B. dhe vetëm shqetësimi i radhës të cilin ua servon qytetarëve ky zullumqar duke mos zgjedhur mjete që të kthehet në vendin e krimit.

Loja e tij e fëlliqur, tashmë i ka tejkaluar të gjitha normat njerëzore, etike dhe morale dhe pas zullumit të bërë në këto gati 12 vite nga pozicioni i pushtetit lokal apo qendror, ai tashmë luan edhe në kartën e prishjes së marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, dukе përdorur edhe fjalor militant luftënxitës.
“Bëhu besimtar, më 07.04.2013 me stilolapsin në dorë dil dhe kris kundër radikalit shqiptar R.O. Jepi shans me votën tënde paqes dhe bashkëjetesës. Voto për Nevzat Bejtën njeriun i cili na ka premtuar kishë”, thuhet në fletushkat të cilat aktivistë të BDI-së, në mënyrë tinzare i varrin në dyert e qytetarëve të Gostivarit të përkatësisë maqedonase, të besimit krishter.
Duke u thirr në paqen dhe bashkëjetesën, zullumqari (siç e quajti edhe vet lideri i tij) i Gostivarit, në fakt vetëm nxit urrejtje ndërfetare dhe ndëretnike me të vetmin qëllim që të rikthehet në pozicionin e kryetarit të komunës dhe të keqpërdorë mjetet e siguruara me shumë dije, mund dhe sakrificë nga përbërja aktuale menaxheriale e komunës së Gostivarit, nën udhëheqjen e Rufi Osmanit.
Nëse zullumqari NB, u ka premtuar kisha dhe manastire qytetarëve të Gostivarit të konfesionit ortodoks dhe nëse ata i besojnë një rrenacaku ordiner, do ta votojnë edhe pa mos shpërndarë afishe. Por, as vizitat shtëpi më shtëpi, as piknikët në vilën e tij në Duf, as paratë, as telefonat, as gënjeshtrat, premtimet boshe, presionet, shantazhet dhe manipulimet e Komisionit komunal zgjedhor dhe anëtarëve të Këshillave zgjedhore të deleguar nga ai vetë, nuk do të mund ta thyejnë vullnetin e popullit.
RDK – dega nw Gostivar, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Gostivarit që të mos bien pre e lojrave të ulta të njeriut që është sinonim i keqpërdorimeve në Gostivar, manipulimet e të cilit janë shpresa e tij e vetme për mbijetesë politike.

Jemi të bindur se qytetarët e Gostivarit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare dhe sociale, përfshirë këtu mërgimtarët të cilët do të vijnë në një numër të madh – të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, më 7 prill, me votën e tyre të lirë do të dënojnë politikën degraduese dhe të dëmshme të zullumqarit NB dhe partisë së tij dhe këtë person do ta pensionojnë politikisht një herë e përgjithmonë.

RDK dega në Gostivar