19Gusht2017

KONFERENCË PËR SHTYP

RDK në Strugë do të mbështesë Selën, për komunat tjera negociata me PDSH-në

03.04.2013 - Nënkryetari i RDK-së, njëherësh dhe shef i shtabit zgjedhor Artan Dika, sot mbajti konferencë për shtyp, në të cilën shpalosi vlerësimet për raundin e parë zgjedhor dhe strategjinë e veprimit të RDK-së për raundin e dytë.

“Nisur nga fakti se partia shqiptare në pushtet BDI, ka bërë manipulim të rëndë të procesit zgjedhor të 24 marsit nëpërmjet blerjes masive të votave nga përfaqësues të saj dhe votimeve të shumëfishta, kërcënimeve dhe frikësimeve të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerë nga persona në pozita udhëheqëse në administratën shtetërore dhe inspektorë shtetëror me masa ndëshkuese ndaj votuesve, fshirjes së një numri të madh votuesish opozitarë nga listat e votimit, votimit si të sëmurë me vërtetime të falsifikuara një ditë para 24 marsit të një numri të konsiderueshëm personash të shëndoshë të evidentuar tashmë me identitet të saktë, të paraqitur në organet përkatëse, prishjes së heshtjes zgjedhore dhe favorizimit dhe propagandimit të vazhdueshëm vetëm të partisë shqiptare në pushtet nga mediat nacionale televizive publike dhe private në gjuhën shqipe, jotransparencës së burimeve të financimit të një fushate tepër të shtrenjtë politike,  manipulimit të rezultatit zgjedhor nga komisione komunale zgjedhore, siç ishte rasti i fundit flagrant në Komunën e Çairit.

 Nisur nga fakti se këto dukuri negative të lartpërmendura kanë goditur rëndë themelet e demokracisë dhe procesin e zgjedhjeve të lira, si dhe nga fakti se RDK është parti politike shqiptare opozitare,

Kryesia Qendrore e Rilindjes Demokratike Kombëtare, në mbledhjen e saj të mbajtur dje, më 2 prill 2013, pasi analizoi situatën aktuale politike në vend vendosi që:
Të mbështesë pa rezervë kandidatin shqiptar Z. Ziadin Sela në raundin e dytë në komunën e Strugës, të cilin edhe në raundin e parë e ka favorizuar mosnxjerrja e kandidatit për kryetar të komunës së Strugës nga ana e RDK-së, dhe
Të autorizojë Kryesitë e degëve të RDK-së që të zhvillojnë negociata për bashkëpunim potencial me kandidatët e partisë tjetër opozitare shqiptare, PDSH, në komunat, në të cilat garojnë kandidatë shqiptarë në raundin e dytë dhe ku këshilltarët e RDK-së kanë rëndësi të veçantë për formimin e shumicës në këshillat komunal,
Për proceset politike të definuara në dy pikat e mësipërme, përfaqësuesit e Degëve të RDK-së do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me shtabin qendror zgjedhor të RDK-së dhe Kryetarin e saj”, theksoi Dika.
 
Shefi i shtabit zgjedhor Artan Dika u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve.  


 
Shërbimi për informim i RDK-së