14Dhjetor2017

Këshilltari i RDK-së Zenun Ismaili vë në krizë koalicionin lokal në Kumanovë

14.02.2014 - Dje, me datë 13.02.2014, u mbajt seanca e 18-të e rregullt e Këshillit të Komunës së Kumanovës. Ka një muaj të tërë që koalicioni që udhëheq komunën është në tension për shkak të pakënaqësive të mëdha që ka RDK-ja ndaj kryetarit të Komunës së Kumanovës dhe LSDM-së e cila nuk respekton memorandumin e nënshkruar gjatë lidhjes së koalicionit në fjalë. 

Si rezultat i kësaj, në seancën e djeshme, këshilltari i RDK-së Zenun Ismaili, votoi kundër dhe me këtë nuk u miratua realizimi i raportit të kuartalit të katërt buxhetor për vitin 2013. Menjëherë pas një koordinimi të shpejtë është arritur “marrëveshje” mes LSDM-së dhe BDI-së me VMRO-në dhe në pikat e tjera të rendit të ditës, këshilltarët e VMRO-së, kanë votuar pro propozimeve të LSDM-së dhe BDI-së duke mundësuar miratimin e tyre. 

Me këtë u dëshmua edhe një herë se politikat e partive maqedonase janë kryekëput antishqiptare edhe në çështje me interes lokal në lëmin e punësimeve, infrastrukturës, kulturës dhe sportit. Ajo që befason në këtë rastë është BDI-ja e cila e ndodhur në gërshërë në mes të koalcionit qendror me VMRO-në dhe koalcionit lokal me LSDM-në luan rolin e ”amortizatorit politik” në dëm të interesit shqiptarë ku shfryhen epshet nacionaliste të dy ekstremeve maqedonase. 

Vlen të përmendet se VMRO deri më tani asnjëherë nuk ka votuar pro asnjëres nga pikat e tilla të diskutuara në Këshillin e Komunës së Kumanovës, që don të thotë se gjithnjë ka votuar kundër madje ka pasur seanca me debate shumë të ashpra kundër LSDM-së. 

RDK dega në Kumanovë do të vazhdojë në rrugën e saj e vendosur drejt qëllimit të arritjes së realizimit të projekteve kapitale në lagjet e banuara me shqiptarë dhe në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në të gjitha instancat si në kulturë, arsim, sport dhe lëmi tjera. Në të kundërtën, siç edhe për mediumet paralajmëroi këshilltari i saj do të vazhdojë edhe më tutje të votojë kundër, me çka do të vihet në pikëpyetje funksionimi normal i Këshillit të Komunës së Kumanovës.

RDK - dega në Kumanovë

Shërbimi për Informim - RDK