17Dhjetor2017

Sqarim rreth shpifjeve që bëri BDI ndaj RDK-së në Kumanovë

18.02.2014 - Sqarim rreth shpifjeve që bëri BDI ndaj RDK-së në Kumanovë

Rilindja Demokratike Kombëtare dega në Kumanovë, reagon ashpër ndaj të pavërtetave të cilat i plasoi për opinionin nëpërmjet një të ashtuquajturi “demant” dega e BDI-së në Kumanovë me datë 17.02.2014. RDK dega në Kumanovë nëpërmjet këshilltarit të saj Zenun Ismaili njofton opinionin e gjërë se nuk është aspak e vërtetë se u ka dhënë përkrahje pikave tjera të rendit të ditës, siç thotë BDI përveç të parës.

Këshilltari jonë ka votuar kundër edhe shumë pikave tjera të rendit të ditës, dokumentimin e të cilave mund ta gjeni në process verbalet dhe në skenogramet që mund të sigurohen në komunë. Sa për të hedhur poshtë konstatimin e BDI-së i rikujtojmë ata se ndër pikat më të rëndësishme që i votoi kundër Zenun Ismaili ishin edhe pikat që kishin të bënin me programet e kulturës dhe të sportit, apo më mirë thënë pikat 15, 16 dhe 17 të rendit të ditës.

 

E informojmë opinionin se rezultati i votimeve ishte 27 për, 2 të përmbajtur dhe 3 kundër. Pyesim, a thua vallë të kujt ishin ato 27 vota për, duke e pasur parasysh përbërjen e forcave politike brenda këshillit komunal. Madje vlen të ceket se për programin e kulturës u votua edhe me shumicën e dyfishtë apo parimin e Badenterit siç njihet ndryshe, ku BDI së bashku me 5 këshilltarë tjerë serbë votuan për, ndërsa këshilltari i RDK-së dhe 2 këshilltarë të PDSH-së votuan kundër, kështu që rezultati final ishte 9 për dhe 3 kundër. Le të urdhërojë BDI t’i mohojë këto fakte të dokumentuara dhe të mos flasë pa argumente vetëm sa për ta hutuar opinionin e përgjithshëm.

Në anën tjetër mungesa e njërit prej këshilltarëve të VMRO-së prej fillimit të mbledhjes dhe largimi nga mbledhja i koordinatorit të VMRO-së në gjysmën e mbledhjes, flet qartë se RDK nuk ka dhënë përkrahje në pikat tjera sic pretendon BDI por se prej në atë moment në mungesë të 2 këshilltarëve të VMRO-së, me automatizëm LSDM dhe BDI e kishin shumicën në pikat e rradhës së rendit të ditës.

BDI nuk ka të ndalur dhe vazhdon më tej me shpifje se kinse RDK-ja paska vetëm interese personale dhe individuale e asgjë më shumë. Për BDI-në, e cila e sheh pushtetin dhe pjesëmarrjen në të vetëm në atë dimension nuk është çudi që bën kualifikime të tilla, sepse vetë janë të tillë. Se sa “punë të mëdha” keni bërë gjatë mandateve të kaluara shumë saktë janë të informuar qytetarët e komunës së Kumanovës. Problemet e përditshme me rrugët, ujësjellësin, mungesën e shkollave, terreneve sportive dhe shumë probleme të tjera vetëmse po barten në çdo mandat dhe assesi te zgjidhen pavarësisht trumbetimeve tuaja se kinse paskeni bërë “vepra konkrete”. Në anën tjetër, fatkeqësisht raportin e këshilltarëve 4 ndaj 1, BDI e shohin si raporti mes “miut dhe elefantit”, por i kujtojmë ata se raporti 4 ndaj 1 në botën e kafshëve më tepër i ngjason raportit të elefantit dhe luanit, duke i pas parasyshë madhësitë e tyre, por ta keni të qartë se luani është mbret. 

E informojmë opinionin e gjërë së RDK-ja do të vazhdojë në rrugëtimin e saj me qëllime të pastra kombëtare dhe në interes të përgjithshëm të qytetarëve. RDK asnjëherë nuk i vendos interesat individuale të anëtarëve të saj para atyre kombëtare. Gjithashtu informojmë se nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimet tona ndaj kryetarit të komunës së Kumanovës dhe se shumica në këshillin e komunës vetëmse është vënë në pikëpyetje ndonëse BDI mundohet ta minimizojë këtë fakt.

RDK dega në Kumanovë

Shërbimi për Informim -RDK