19Gusht2017

Takim i Kryetarit të RDK-së Rufi Osmani dhe bashkëpunëtorëve të tij me udhëheqësin e Misionit të OSBE – ODIHR, Gert Ahrens

29.03.2014 - Dje, në selinë e misionit të OSBE-ODIHR-it në Shkup, Kryetari i RDK-së Rufi Osmani, i shoqëruar nga Nënkryetari i RDK-së, Artan Dika, u takua me udhëheqësin e këtij misionin, Z. Gert Ahrens, dhe këshilltaren e tij.

Në këtë takim të hapur dhe miqësor u shkëmbyen pikëpamjet reciproke lidhur me situatën aktuale politike parazgjedhore në Maqedoni. Në fjalën e tij Kryetari Osmani i informoi bashkëbiseduesit lidhur me qëndrimet e Rilindjes Demokratike Kombëtare për situatën aktuale në vend dhe zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të muajit prill. Kryetari i RDK-së e vuri theksin në gjendjen e rëndë ekonomike, sociale në vend dhe diskriminimin e shqiptarëve në pothuajse të gjitha sferat e jetës, si pasojë e politikave të gabuara të zbatuara nga koalicioni VMRO-BDI. Duke demaskuar lojën e këtyre partnerëve që deri para një muaji thonin se kanë raporte të shkëlqyera.

Kryetari Osmani potencoi se i ashtuquajturi president konsensual ka qenë vetëm mbulesë për të realizuar dëshirën e VMRO-së për zgjedhje të parakohshme dhe kjo tani po përdoret nga BDI për ta mashtruar opinionin, duke u përpjekur të mbulojë dështimin e realizimit të premtimeve të bëra, me hapjen e një teme të re të pavlerë. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për moszgjidhjen e problemit të vazhdueshëm me pastrimin e listës së zgjedhësve, njëanshmërinë e skajshme të televizoneve në gjuhën shqipe që janë kthyer në megafonë të partisë shqiptare në pushtet dhe mundësinë e përsëritjes së manipulimeve të votimeve me metodën e ‘trenit bullgar’.

Kryetari i RDK-së shprehu shqetësimin se të dy partitë tjera shqiptare po bëjnë një propagandë perfide dhe të koordinuar kundër RDK-së, duke e parë RDK-në si rrezik më të madh për ato të dyja, se sa ato vet njëra-tjetrën. Bashkëbiseduesit nga Misioni i OSBE-ODIHR-i shprehën interesim për vlerësimet e përfaqësuesve të RDK-së dhe shtruan pyetjet e tyre lidhur me kandidaturat që RDK do të kandidojë në zgjedhjet e prillit dhe pritjet e RDK-së lidhur me rezultatin e zgjedhjeve.

Në fjalën e tij Nënkryetari i RDK-së, Artan Dika, vuri theksin në zhgënjimin masiv të qytetarëve nga politikat e dështuara të BDI-së dhe PDSH-së, të cilat kandidojnë me figura të njollosura dhe të konsumuara si dhe potencoi kapacitetin intelektual dhe profesionl që ka RDK-ja dhe angazhimin nën ombrellën e saj edhe të figurave të shquara shqiptare, me merita të pakontestueshme në vitin 2011. Ai i informoi bashkëbiseduesit se RDK-ja do të mbulojë të katër njësitë zgjedhore të banuara me shqiptarë në Maqedoni dhe se është reale të pritet që pas këtyre zgjedhjeve RDK-ja të përfaqësohet në kuvendin e Maqedonisë me grupin e saj parlamentar dhe të jetë faktor përcaktues në skenën politike në vend.

Në përfundim të takimit të dy palët ranë dakord që të jenë në kontakt në periudhën në vijim dhe të zhvillojnë takime plotësuese mes tyre.


Shërbimi për informim – RDK

altalt