15Dhjetor2017

Kryetari Osmani në emisionin “Tete a tete” në studion e “A1 Report”

14.04.2014 -I ftuar në emisionin “Tete a tete” në studion e “A1 Report”, Osmani ndalet tek problematikat kryesore me të cilat përballen shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve për të menduar më shumë mandate të kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit.

Sipas kreut të RDK nëse partitë shqiptare do të vinin me një kandidat të përbashkët në këto zgjedhje presidenciale në Maqedoni, do të kishte me shumë mundësi që shqiptarët të faktorizoheshin.

Ndërkaq, osmani ndalet edhe tek Marrëveshja e Ohrit, duke u shprehur se ka ende shumë problematika që duhen zgjidhur sa i takon diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, sa i takon përfshirjes në politikat zhvillimore, në alokimin e fondeve, investime, etj.

Ju keni një eksperiencë të gjatë akademike me ndërprerje politike dhe shumë domethënëse dhe keni në karrierën tuaj politike edhe shumë momente të vështira. Ju keni qenë i burgosur politik. Cila ishte arsyeja për të cilën ju u arrestuat dhe keni bërë 2 vite burg?
Në vitin 96 u zgjodha prefekt i Gostivarit dhe menjëherë pas zgjedhjes unë dhe këshilltarët shqiptarë mbushëm premtimin që i dhamë elektoratit shqiptar, ngritjen e flamurit kombëtar shqiptare pranë ndërtesës së bashkisë. Dhe kjo betejë jona për institucionalizimin e së drejtës së përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar zgjati 6 muaj deri në një goditje makabre të qeverisë maqedonase në 1997. Si pasojë u vranë 3 shqiptarë, u keqtrajtuar mijëra familje shqiptare, mua mu dha dënim 13 vite e 8 muaj burg, dhe më pas në instancën e dytë mu dhanë 7 vite, ndërsa u bënë efektivisht 2 vite burg, pasi ndryshoi qeveria dhe parlamenti i ri miratoi një ligj të veçantë për amnistinë e të burgosurve politikë. Unë dhe kolegë të tjerë jemi sakrificat e një politike antishqiptare të qeverisë maqedonase të asaj kohe, dhe qe ende vazhdojnë avazin e vjetër ndaj shqiptarëve.

Mbaj mend që ju më pas bërë një shkëputje një divorc me politikën, pse ndodhi kjo?
Në vitin 1999 pasi dola nga burgu kërkova nga partia ime, partia demokratike e Arbër Xhaferrit, që të sanksionohen fajtorët e krimit politik në Gostivar dhe ai fajtor ishte Branko Crvenkovski dhe ekipi i tij dhe për fat të keq nuk gjeta mirëkuptim nga partia ime, njëkohësisht kërkova rehabilitimin institucional të viktimave të 9 korrikut, të familjeve të tjera, dhe të gjitha këto çështje konceptuale në kuptim të pjesëmarrjes në qeveri, nuk u morën parasysh dhe ne u ndamë në atë parti në spektër të konceptit, të programit, pasi idealet tona për t’u marrë me politikë ishin të ndryshme.

Ju i referoheni një periudhe relativisht të rëndësishme për çështjen kombëtare shqiptare në Maqedoni. Në vitin 2001, pas shkëputjes tuaj, Maqedonia shkoi në një konflikt të hapur, dhe shqiptarët u organizuan për të drejtat e tyre, gjë që edhe me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar përfundoi me një zgjidhje politike që është Marrëveshja e Ohrit. Sipas mendimit tuaj kjo marrëveshje sot në çfarë situatë është? Ka funksionuar? I kanë mbaruar vlerat?
Unë dhe intelektualët e tjerë të asaj kohe, së bashku me popullin shqiptar e përkrahëm fuqishëm kryengritjen e armatosur shqiptare, pasi politikëbërja shqiptare dështoi në realizmin e aspiratave të kombit shqiptar për të qenë të barabartë në sistem. E them me keqardhje se pas kaq viteve të përfundimit të këtij konflikti, kjo marrëveshje nuk i rezistoi kohës. Unë kam patur rezerva serioze në përmbajtjen e kësaj marrëveshje, e cila ngriti statusin e shqiptarëve nga një pakicë nacionale në kushtetutë në një status të ndryshëm, ku u avancuan disa të drejta kolektive. Por në esencë ngeli diskriminimi sistematik i shqiptarëve sa i takon arsimit, shëndetësisë, alokimit të mjeteve buxhetore, përfaqësimit adekuat, etj. Edhe sot shqiptarët përballen me problemet e njëjta me atë të para vitit 2001.

Megjithatë situata ka ndryshuar krahasuar me disa vite më parë, flamuri kombëtar është vendosur në godinat e partive shqiptare, në biznese private flitet shqip, po kështu edhe në parlament.
Nëse shkoni para institucioneve shtetërore siç është ministria e Mbrojtjes, ministria e Policisë, qeveria, ministria e Financave, do të shihni mbishkrime vetëm në gjuhën maqedonase. Madje kur të hyni në Maqedoni ju nuk do të shihni flamurin kombëtar. Ka përdorim të gjuhës shqipe vetëm në nivel lokal. Dhe flamurin kombëtar e sheh vetëm para institucioneve lokale, me një madhësi 33% më të vogël se flamuri shtetëror. Këto që ju thoni pa diskutim se i ndryshoi koha dhe nuk e mohoj se Marrëveshja e Ohrit e avancoi çështjen shqiptare. Por nuk e ndryshoi çështjen shqiptare konform aspiratave të kombit shqiptar. Dhe sot e kësaj dite shqiptarët vazhdojnë të mos jenë të përfshirë në çështje të zhvillimit, përfaqësimit të shtetit, dhe sot aspiratat tona nuk janë më ato që ishin në vitin 1991. Përkundër ka një evoluim pozitiv që ju e konstatoni. Megjithatë diskriminimi më i thellë i shqiptarëve është institucional, ekonomik, dhe në fushën e investimeve. Pikërisht këtu qëndron problemi bazë i një shpërngulje të heshtur të rinisë shqiptare nga Maqedonia drejt emigracionit.

Ju keni një qëndrim kritik në raport me zhvillimet. Pse erdhi nevoja e partisë tuaj në arenën politike. Cilat janë argumentet që ju i shtjelloni shqiptarëve që ata ju zgjedhin ju si partinë e tyre përfaqësuese për të realizuar aspiratat e shumicës shqiptare?
Shqiptarët kishin shpresa se pas konfliktit të vitit 2001 dhe krijimi të BDI-së së Ahmetit, shqiptarët do të ekuilibroheshin me maqedonasit dhe se çështja shqiptare do të merrte një përgjigje përfundimtare. Procesi nga viti 2002 deri më sot argumentoi se BDI nuk realizoi pritjet e shqiptarëve pasi në masë të konsiderueshme lideri i kësaj partie manipuloi në kuptim të barabarësisë në sistem. Kjo parti shoqërohet me gabime që ishin të njëjta dhe të PPD dhe PDSh, në kuptim të selektimit joadekuat të kuadrove, korrupsionit të madh institucional, partizimit të skajshëm, politizimit të skajshëm, dhe nënshtrimit të skajshëm ndaj partnerëve maqedonas. Parë nga ky këndvështrim, grupi intelektual që më shoqëroi mua dëshmoi se tashmë pas një periudhe të mjaftueshme BDi ka kapacitet të realizojë aspiratat e shqiptarëve. Nga kjo lindi ideja që ne të formojmë rilindjen demokratike shqiptare duke marrë për bazë programin e rilindësve shqiptarë dhe të ofrojmë një program për realizimin e aspiratave shqiptare, përfshirjen e shqiptarëve në sistemin maqedonas, përfshirjen në projekte strategjike, në miratimin e buxhetit, në alokimin e të ardhurave. Duam t’i japim një kuptim të mirëfilltë skemës politike shqiptare në Maqedoni, nëpërmjet dy elementeve bazike formimit dhe dijes. Sot dy partitë politike shqiptare që kandidojnë përfaqësohen nga dy kandidatë që nuk kanë fakultetin e duhur, që nuk kanë përvojë profesionale dhe që shoqërohen nga kuadro që nuk kanë kuadrin e duhur. Beteja sot politike bëhet në tavolinë që kërkojnë dije, vizion. Këto dy parti nuk i kanë këto vlera.

Ç’mund të themi sa i takon arsimit në gjuhën shqipe?
Koha ka ndryshuar. Sot kemi një universitet publik në Tetovë. Kemi një universitet që instaloi komuniteti ndërkombëtar, mësimi zhvillohet në shqip, maqedonisht, dhe anglisht. Sot problemi është cilësia e mësimdhënies, në nivel të mesëm dhe universitar. Cilësia e arsimit ka degraduar. Me kemi të diplomuar me master, doktorantë, por problemi është tek cilësia e mirëfilltë, si pasojë e një socializmi që çon në shtimin e diplomave pa vlerë. Mendoj se pikërisht këtu ka pësuar goditjen më të rëndë arsimi i lartë në republikën e Maqedonisë. Kjo më pas pasqyrohet në punësimin e kuadrove me përgatitje intelektuale e arsimore jo cilësore, në administratën shtetërore, në ndërmarrje publike, por edhe në vetë universitetet. Rrezikojmë që të mos kemi kuadër kompetentë. Dhe kjo ndikon jo mirë në fatin e të ardhmes së shqiptarëve.

Ju jeni kryetar i Partisë Rilindja Demokratike Kombëtare, në programin tuaj çështja kombëtare në raport me atë të arsimit si është e konceptuar? Ju e keni të mirëmenduar këtë çështje?
Jam profesor i ekonomisë dhe faktikisht i njoh mirë edhe institucionet publike, kam qenë dy herë kryetar bashkie, kam patur dy mandate deputeti, po ashtu prefekt, kam 20 vite angazhim në politikë, kam më shumë se 20 vite që jam profesor në universitet dhe çmoj se problemi bazë është sistemi universitar vuan nga inkompetenca e kuadrove, asistentëve dhe profesorëve. Po kështu ka regjistrim në masë të numrit të studentëve, ka mungesë të financave cilësore publike. Po kështu nuk po i jepet mundësi stafit të avancohet. Nuk ka një lidhje të mirëfillte institucion-biznes-studentë. Në këtë mënyrë ka një inkoherencë ndërmjet ofertës arsimore në tregun e punës dhe kërkesës në tregun e punës. Parë nga ky këndvështrim çmoj se këto politika të socializmit do të çojnë deri tek ajo që ne do të kemi institucione, do të kemi numra, por nuk do të kemi vlera. Mendoj se qasja duhet të jetë komplet tjetër, dhe prodhimi i kuadrove në arsimin e lartë do të duhet të jetë koherent dhe konkurrues me kërkesën e tregut të punës, pasi një i diplomuar që nesër nuk artikulohet si profesionist, ai nuk mund të ushtrojë profesionin.

Nesër Maqedonia është në zgjedhjet presidenciale ku për fat të mirë ka edhe një kandidat shqiptar. Cili është qëndrimi i partisë tuaj në raport me këto zgjedhje?
Ne si parti duke dashur që të faktorizohet vota shqiptare dhe elementi shqiptar në nivel politik rekomanduam që në këto zgjedhje të garojnë me një kandidat bipartiak, dhe ai të jetë i përkrahur nga të gjitha partitë shqiptare, por për fat të keq, por kjo ofertë e jona publike nuk u pranua nga të dyja partitë konkurruese. BDI që ka qenë deri më tash pjesë e qeverisë për shkak të asaj për shkak se partneri i saj përkrahu një kandidat maqedonas që ato ia rekomandonin si kandidat të përbashkët, mori qëndrim që të bojkotojë këto zgjedhje. Ndërsa PDSH pa marrë pëlqimin dhe pa bërë konsulencën edhe me neve e me të tjerët kandidoi kandidatin e vet. Çmoj se shqiptarët nuk kanë ndonjë motiv të veçantë që në këto zgjedhje të përkrahin ndonjë kandidaturë kundër faktit që kemi një kandidaturë shqiptare. Çmoj se dy partitë e tjera kanë bërë një pazar me partinë maqedonase. Nëse do kishim dalë me një kandidat të përbashkët kompromisi do ishte më i madh, dhe ne politikisht do të faktorizoheshim. Ne si parti u lejojmë votuesve tonë që ato të vendosin vetë, për dalje në zgjedhje, jo bojkot, jemi kundër bojkotit, pasi demokracia e përjashton bojkotin si nuk ka kuptim si logjike që ai që propagandon bojkotin të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që bëhen në dy javë më pas, sepse ashtu i kërkonte partneri i tij. Qëndrimi jonë është që votuesit tonë të dalin në zgjedhje dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

Sot në Maqedoni është heshtje zgjedhore, por ditën e hënë fillon përsëri gara elektorale. Me çfarë platforme ju i drejtoheni kryesisht shqiptarëve të republikës së Maqedonisë, dhe cilët janë elementët që ju i keni parësore dhe mendoni se do i bëjnë ata t’ju votojnë?
Ne kemi një ofertë që në aspekt cilësor dallon nga ofertat e dy partive konkurruese. Ne i qëndrojmë besnik programit tonë politik se marrëveshja e Ohrit nuk e ka realizuar çështjen shqiptare. Së dyti ofrojmë ofertën që buxheti i shtetit të ndahet në mënyrë proporcionale me mekanizëm të konsensusit. Ofrojmë opsionin që investimet kapitale të zbatohen konform ligjit për eliminim të diskriminimit të trashëguar territorial dhe etnik, dhe ofrojmë alternativën që përfaqësimi i kuadrove të jetë mjaft cilësor dhe ai të dëshmohet në CV të dëshmuar në nivel profesional dhe kombëtar. Çmoj se dy partitë e tjera, tashmë kanë një të kaluar politike në pozitë dhe opozitë, ndërsa populli shqiptar ka nevojë t’i japë mandatin kësaj radhe Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Ju si do ta tejkaloni marrëveshjen e Ohrit e cila sipas Partisë Demokratike të Shqiptarëve ka mbaruar funksionin, do të duhet një marrëveshje tjetër politike. Ju si e trajtoni një po0zicion të tillë?
Ne çmojmë se në Maqedoni ka pasur dy herë ndryshime të kushtetutës, njëherë në vitin 1991 me pavarësimin e Maqedonisë që u bë me majorizim të popullit shqiptar. Dhe ndryshimi i dytë i kushtetutës në vitin 2001, pas konfliktit të armatosur. Tashmë është koha e fundit që të kemi një ndryshim paqësor me konsensus ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit maqedonas, elitave të tyre politike dhe intelektuale, dhe në këtë mënyrë të arrijmë në një zgjedhje të qëndrueshme, afatgjatë, e cila do të njohë të drejtën e maqedonasve të kenë shtetin e tyre amë, por njëkohësisht do të pranojë faktin se kombi shqiptar është konstituent, autokton. Dhe në këtë mënyrë do të bënim një zgjedhje afatgjatë, që do ishte stabile për Maqedoninë, por njëkohësisht do të ishte prosperuese edhe për kombin shqiptar.

Çështja e bashkimit kombëtar është një betejë e madhe dhe tashmë ka gjithë hapësirat për t’u ezauruar në Europën e integruar ku dëshirojmë të jemi pjesë ne dhe ju. Si e shikoni diplomacinë në Maqedoni, në Shqipëri dhe në Prishtinë? Pse jo edhe në Mal të Zi.
Konstatoj me keqardhje se të gjitha partitë politike maqedonase dhe qeveritë e këtij vendi në kuptim të raportit me Shqipërinë dhe Kosovën vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të distancuar, përkundër një ekuilibri formal për të patur një bashkëpunim intensiv. Vazhdojnë ndikohen nga bindjet e së kaluarës. Diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës vazhdon të jetë inferiore ndaj çështjes shqiptare në Maqedoni. Dhe së treti përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës në Maqedoni nuk kanë qenë në nivel të objektivit që kanë pasur. Në këtë drejtim është një rast i paprecedent i ish-ambasadorit shqiptar, i cili ka qenë një marionetë politike i lidhur drejtpërdrejt vetëm me BDI, dhe në këtë mënyrë ka luajtur një rol jo adekuat për kombin shqiptar në Maqedoni. Ndaj bindjen se diplomacia shqiptare duhet të ketë në qendër të fokusit përfaqësimin e kombit shqiptar dhe t’i trajtojë në mënyrë adekuate përfaqësuesit politikë, intelektualë, arsimorë, ekonomikë, etj; dhe se nuk duhet në asnjë variant të jetë i lidhur me ndonjë subjekt konkret politik.

Faktori shqiptar ka bërë përpara krahasuar me të shkuarën e tij. Sot Maqedonia rri në këmbë prej shqiptarëve, pasi Kishën nuk ia njeh Serbia, gjuhën nuk ia njeh Bullgaria, kulturën, historinë dhe territorin nuk ia njeh Greqia. Pra një nga faktorët që e mban në këmbë Maqedoninë, është faktori shqiptar. A ka gjasa që shqiptarët të jenë të ndërgjegjshëm për këtë pikë mbështetje të levës së Arkimedit dhe të jenë më dinjitozë për veten, dhe të jenë më shtetformues dhe më të respektuar nga bashkështetasit e tjerë maqedonas?
Ju çmoni paradoksin kryesor që është karakteristik i këtij vendi, pikërisht që është elementi shqiptar brenda atyre shteteve që nuk kontestojnë identitetin e maqedonasve si komb, nuk kontestojnë shtetin e Maqedonisë por përkundrazi qeveria maqedonase përmban një qëndrim kundër kombit shqiptar. Pa u arritur një unitet i mirëfilltë aksional dhe politik i përfaqësuesve të shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ndodhë një faktorizim i mirëfilltë i kombit shqiptar në Maqedoni. Unë çmoj se një konkurrim ndoshta i tepruar në një kundërshti për të mos thënë një armiqësi ndërmjet BDi dhe PDSH ka devolvuar dhe ka sjellë në popullin shqiptar në Maqedoni të penalizuar në të gjitha drejtimet. Ndaj bindjen se mbas këtyre zgjedhjeve ndoshta këto çështje do të kthjellohen dhe kombi shqiptar dhe politika shqiptare në Maqedoni do të marrë rrugën e mbarë.

Duke iu referuar ligjit aktual zgjedhor, si është perspektiva elektorale e shqiptarëve, pra rezultati elektoral dhe politik?
Badinteri si i tillë vlen vetëm për një spektër të ngushtë të të drejtave që kanë të bëjnë më arsimin, kulturën dhe përfaqësimin. Ndërsa badinteri nuk i adresohet zgjedhjes së qeverisë, shumicës parlamentare, miratimit të buxhetit, alokimit të fondeve, përfaqësive diplomatike dhe parë nga ky këndvështrim badinteri është keqpërdorur në kuptim të shpjegimit real të vlerës që e ka. Ne jemi për një badinter universal që do të jetë pjesë e kushtetutës së re të Maqedonisë i cili do të garantojë statusin shtetformues dhe konsensusin e kombit shqiptar dhe maqedonas në udhëheqjen e shtetit.

Besoni se shqiptarët do të kenë rezultate më optimiste në këto zgjedhje, pra të kenë votat e gjithë shqiptarëve?
Nëse dy partitë konkurruese do të kishin pranuar ofertën tonë që të dilnin me një listë të përbashkët të deputetëve në garën për zgjedhjet parlamentare, ne së paku do të kishim 30-35 mandate deputeti, dhe faktori politik shqiptar do të ishte vendimmarrës se kush do të bënte qeverinë e re të Shkupit. Në këtë situatë të raporteve, kjo peshë elektorale do të jetë në nivelet e mandatit të kaluar.