23Gusht2017

STRUGA DUHET TË BËJË ZGJEDHJEN E SAJ MES VLERAVE DHE ANTIVLERAVE

20.04.2014- Mbrëmë Rilindja Demokratike Kombëtare mbajti tubim me qytetarët në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të RDK-së, Kryetari Rufi Osmani, Sekretari Izet Zeqiri, Nënkryetari Artan Dika dhe bartësi i listës për deputetë Ardian Demiri. Në një atmosferë entuziaste u promovuan kandidatët e RDK-së për njësinë numër pesë, ku bën pjesë edhe Struga. Në fjalët e rastit folësit shtruan një varg problematikash dhe alternativash që i prekin shqiptarët në Maqedoni në përgjithësi, dhe banorët e Strugës në veçanti.

 


Në fjalën e tij Kryetari Osmani, vuri në pah vlerat e kandidatëve të RDK-së dhe antivlerat e rradhitura në listat e partive tjera. Për të ilustruar dështimet e partisë shqiptare në pushtet dhe diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve nga Maqedoni nga koalicioni në fuqi, Rufi Osmani bëri një krahasim me komunës së Strugës dhe asaj të Ohrit. Komuna e Ohrit para zgjedhjeve të fundit kishte një borxh prej 30 milionë euro, ndërsa ajo e Strugës prej 10 milionë euro, por ndërkohë që Ministri i pushtetit lokal që vjen nga Struga nuk ka ofruar as ndihmën më të vogël për qytetin e tij, Qeveria e Maqedonisë i ka shlyer rreth 10 milionë euro borxhe komunës së Ohrit dhe ka bërë edhe 10 milionë euro investime të tjera në këtë komunë - tha Kryetari Osmani.

Bartësi i listës së RDK-së, Avokati Ardian Demiri, vuri në dukje diskriminimin ekonomik dhe papunësinë masive si problemin kryesor të rinisë shqiptarë në Strugë dhe në qytetet tjera të njësisë numër 5, ndërkohë që në tetë vitet e fundit janë investuar afro 2 miliardë euro investime të huaja në vendbanimet e banuara me joshqiptarë. Hapja e fabrikave edhe në qytetet shqiptare është zgjidhje për problemet e rinisë dhe jo hapja e deponive, siç ka bërë Ramiz Merko në Strugë – tha Demiri.
Në fjalën e tij nënkryetari i RDK-së, Artan Dika, potencoi se situata aktuale politike favorizon RDK-në si asnjëherë më parë dhe janë gjasat reale që pas zgjedhjeve të 27 prillit RDK të ketë grupin e saj parlamentar në Kuvendin e Maqedonisë. Garancë për këtë janë kuadrot që ofron RDK dhe dështimet e pafund të dy partive tjera shqiptare në Maqedoni.

Sekretari i RDK-së, Izet Zeqiri, me shifra konkrete solli fakte të pakundërshtueshme të diskriminimit të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës.