19Gusht2017

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi takoi ambasadorin e Kosovës z. Ylber Hysa

27.01.2015 - Në vazhdën e takimeve me diplomat të huaj në vend, Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare Vesel Memedi, sëbashku me Sekretarin e partisë Zenun Ismaili takoi ambasadorin e Kosovës z. Ylber Hysa. Në këtë takim mjaft vëllazëror dhe shumë përmbajtësor Kryetari Memedi njoftoi ambasadorin e Republikës së Kosovës në vend rreth ekipit të ri të RDK-së, platformës partiake dhe çështje tjerra mjaft të rëndësishme për organizimin shoqëror në vend.

 

Kryetari Memedi njoftoi ambasadorin e Kosovës z. Ylber Hysa rreth idesë së RDK-së për mobilizimin e intelektualëve dhe profesionistëve të diasporës shqiptare rreth hartimit të një strategjie të fuqishme afatgjate në zhvillimin e kombit shqiptar në përgjithësi dhe atij në vend në veçanti. Kryetari Memedi sqaroi se ky mobilizim i diasporës shqiptare sëbashku me idenë tjetër rreth këshillit të ekspertëve në nivel nacional do të përbëjnë një institucion të fuqishëm për hartimin e një kontributi të çmueshëm për zhvillimin e kombit në përgjithësi. E gjithë kjo, sqaroi Kryetari Memedi, do të kurorrëzohet me organizimin e një konference mbarë shqiptare ku kontributi i secilit do të materializohet me publikimin e gjith këtyre punimeve në drejtim të zhvillimit të kombit nga këndvështrime të ndryshme profesionale.

Kryetari Memedi gjithashtu njoftoi ambasadorin e Kosovës z. Hysa rreth idesë së unifikimit të faktorit politik shqiptar në vend si një parakusht shumë i rëndësishëm i kapitalizimit të fuqisë shqiptare në drejtim të eliminimit të shantazhimit të kërkesave sublime shqiptare nga ana e palës maqedone për një shtet të një partneriteti të barabartë të të dy kombeve që jetojn në vend, dhe se vetëm në këtë mënyrë do të mund të lëvizim drejt familjes së madhe të Bashkimit Europjan.

Kryetari Memedi kërkoi nga ambasadori i Kosovës z. Hysa që të kërkoj prej partisë shqiptare në pushtet që të përshpejtohen punimet dhe ndërtimit së autostradës Shkup-kufiri i Kosovës në Bllacë, me qëllim të lëvizjeve më të fuqishme tregtare, ekonomike, turistike, dhe të natyrave tjerra. Përderisa Kosova është duke punuar me të madhe në përfundimin e kësaj vepre madhore në pjesën e vet, atëherë duhet punuar me të madhe edhe në këtë pjesë me qëllim të përfundimit të këtij projekti të fuqishëm në mes dy vendeve fqinje.

Ambasadori i Kosovës z. Hysa falënderoi Kryetarin Memedi për vizitën, uroi për postin e ri dhe premtoi se shumë shpejt do të kthej vizitën në selinë e RDK-së. Ambasadori z. Hysa përgëzoi RDK-në për idenë e mobilizimit të diasporës shqiptare dhe theksoi se edhe Ministria e Diasporës së Kosovës është duke punuar në këtë drejtim për realizimin e kësaj ideje në Kosovë, dhe pse jo në një periudhë të caktuar kohore të gjejm pika takimi në caktimin e një takimi të përbashkët kombëtarë. Ambasadori potencoi se ideja e konferencës është ide sublime dhe të realizohet pavarsisht rrethanave se do të ngelet në analet e historisë, si dhe duhet kushtuar më shumë rëndësi arsimit sepse është në një gjendje të rëndë. Ambasadori Hysa gjithashtu theksoi se është duke punuar maksimalisht në drejtim të realizimit të autostradës Shkup-Prishtinë dhe beson fuqishëm se shumë shpejt ky projekt edhe do të realizohet.

Shërbimi për Informim – RDK,