22Shtator2017

FJALIMI - KONVENTA PROMOVUESE -SHKUP ( 27.03.2011)

FJALIMI I KRYETARIT TË RILINDJES DEMOKRATIKE KOMBËTARE

KONVENTA PROMOVUESE -SHKUP ( 27.03.2011)

Të nderuar miq, përfaqësues të korit diplomatik, të medieve dhe të institucioneve te tjera, të nderuar qytetar, MIRË SE ERDHËT,

Jemi mbledhur në këtë manifestim të rëndësishëm për të vazhduar një rrugë të gjatë të filluar shumë më herët nga shume idealist të gjeneratave para nesh. Po qe se kërkojmë emëruesin e përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve, do të shohim që ai është ideali jonë i kamotshëm i parealizuar për drejtësi, barazi dhe progres në vendin tonë.

RDK-ja është parti me orientim demokratik dhe kombëtar që synon afirmimin dhe ndërtimin e shoqërisë moderne dhe të sistemit demokratik sipas modelit të partive të qendrës se djathtë perëndimore.

Ideologjia e RDK-së bazohet në parimet e veprimit të rilindësve shqiptarë për liri, barazi dhe drejtësi të plotë për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë kombëtare në Maqedoni.Subjekti të cilin ne e promovojmë sonte synon të çojë përpara amanetin e njerëzve më të ndritur të kombit tonë të periudhës së Rilindjes Kombëtare duke synuar të realizojë këto objektiva në mënyrë demokratike në një kohë të sfidave të mëdha në një vend të konfliktualitetit permanent dhe te paradokseve të mëdha.

Të nderuar miq, ne në RDK synojmë që të hapim një faqe të re të angazhimit politik në Maqedoni duke ofruar një moral të ri politik të bazuar në dije, përvojë, nder, përgjegjësi dhe konsistencë për çështjet me interes të përgjithshëm.

Vitet e tranzicionit të gjatë në Maqedoni duke filluar nga viti 1991 deri më sot efektuan shumë mosmarrëveshje, konflikte institucionale dhe jashtë institucionale, diskriminim në baza etnike dhe sociale,papunësi dhe varfëri në rritje, ndërrime permanente të pushteteve politike, progres dhe bllokim të procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Pas dy dekadave të demokracisë parlamentare dhe zbatimit të ekonomisë së tregut në të gjitha drejtimet sot jemi në nivele shumë të ulëta në krahasim me vitin 1991, një fakt sa dëshpërues por edhe shumë sfidues.

Analiza objektive e dy dekadave të tranzicionit do të konstatojë se në esencë të këtyre dështimeve qëndrojnë disa ekuilibra të prishura si mosmarrëveshje fondamentale të cilat edhe sot e kësaj dite e mbajnë peng të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

- Së pari:mosmarrëveshja në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve për karakterin e shtetit dhe për statusin politik dhe juridik të kombit shqiptar në vend që efektuoi luftën e vitit 2001

- Së dyti: mosmarrëveshjet në klasën politike maqedonase për identitetin sllav ose antik të kombit maqedonas ,mos tejkalimi i kontestit me Greqinë në lidhje me emrin e shtetit pengesë kjo që ka bllokuar procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike,

- Së treti: dështimi dhe vonesa në zbatimin e reformave politike dhe ekonomike në vend, që për pasojë ka efektuar përkeqësim të ambientit demokratik në vend, politizim të skajshëm të administratës publike dhe shtetërore, korrupsion në rritje në sektorin publik, thellim të dispariteteve zhvillimore rajonale dhe rritje të varfërisë dhe papunësisë.

Mosmarrëveshjet në fjalë janë pasojë e mospasjes së kapacitetit demokratik dhe mosekzistimit të konsensusit politik dhe ndëretnik të klasave politike qeverisëse, që si pasojë ka efektuar edhe konfliktualitet permanent social dhe ndëretnik.

Një situatë e ngarkuar e kësaj natyre, ka lënë pasoja të të gjithë qytetarët e vendit dhe ne veçanti në zhvillimin e kombit shqiptar në Maqedoni si kombi i dytë sipas madhësisë, por me status te pakicës kombëtare para dhe pas marrëveshjes së Ohrit.

Te nderuar bashkëmendimtarë,

Është koha e fundit t’i emërtojmë fenomenet dhe dukuritë me emrat e vërtetë dhe krahas analizës të ofrojmë edhe alternativen e zgjedhjes se kontesteve ne funksion të stabilizimit dhe zhvillimit të vendit dhe ndërtimit të një harmonie qytetare dhe ndëretnike.

Në periudhën 1991-2001 të gjitha kërkesat politike të shqiptarëve në Maqedoni ekuilibroheshin në disa objektiva bazike: pozitë e barabartë kushtetuese me maqedonasit, përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, përdorim të lire te flamurit kombëtar, arsimim universitar në gjuhën shqipe, decentralizim të pushtetit dhe pjesëmarrje e barabartë e shqiptarëve në institucionet e shtetit.

Pushteti maqedonas i proveniencave të ndryshme politike kërkesave të drejta politike dhe demokratike te shqiptareve iu kundërpërgjigj me refuzim institucional politik dhe me dhunë jashtë institucionale si në rastin e Ladorishtës, Bitpazarit në Shkup, të ashtuquajturës aferë e armëve, ngjarjeve lidhur me themelimin eUT-së dhe ngjarjeve tragjike te flamurit kombëtar ne Gostivar.

Nga këndvështrimi historiko-politik i shqiptarëve si pasojë e këtij refuzimi politik dhe represioni permanent u efektua kryengritja e armatosur shqiptare e vitit 2001, kryengritje e cila duhej te arrijë objektivat për barabarësi që nuk i arriti dot politika me mjete demokratike politike.

Marrëveshja e Ohrit si pakt i cili ndërpreu luftën dhe solli paqen në përmbajtje, synonte të japë një përgjigje të qëndrueshme për raportet konfliktuale shqiptare-maqedonase në Maqedoninë e pavarur.

Ky synim pretencioz i saj nuk mundej t’i rezistojë kohës, sepse në brendi kishte dy defekte serioze:

Së pari, ajo nuk u jepte përgjigje të merituar aspiratave të shqiptarëve për barazi të plotë në sistem, kjo marrëveshje avanconte në doza të drejtat e shqiptareve duke i kushtëzuar këto të drejta kolektiveme20% , fakt ky sa ironik aq edhe antihistorik dhe antikombëtar, jo rastësisht çështja e regjistrimit në vend është fenomen politik dhe jo proces statistikor,

Së dyti, ishin të gjitha qeveritë e pas marrëveshjes së Ohrit të cilat në mënyrë sistematike vepruan që edhe ajo ofertë e pjesshme politike të devalvohet në masë të konsiderueshme në kuptim të cilësisë dhe dinamikës së zbatimit.

Sot pas 10 vitesh nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ne jemi dëshmitar të represionit të përsëritur, ngjashëm si edhe në periudhën e para vitit 2001, si raste më karakteristike duhet të përmenden: qindra shqiptarë të vrarë dhe të likuiduar, numër ky disa herë më i madh krahasuar me viktimat e konfliktit te viti 2001; rasti tragjik i Brodecit dhe Sopotit dhe vazhdimi i proceseve gjyqësore të lidhura me luftën e vitit 2001 vetëm për pjesëtarët shqiptarë të konfliktit të vitit 2001 duke përfshirë edhe vet udhëheqësit e kryengritjes së vitit 2011.

Të nderuar bashkëmendimtarë të RDK-së,

Me kompetencë mund të thuhet se Maqedonia e 2011 shumë pak dallon nga Maqedonia e para marrëveshjes së Ohrit edhe ato të drejta kolektive të shqiptarëve dhe jo maqedonasve janë zbehur dukshëm nën ndikimin e keqqeverisjeve të qeverive të deritashme, papërgjegjësisë së lartë dhe korrupsionit të thellë politik që karakterizon politikanët aktual.

Diskriminimet financiare dhe zhvillimore në arsim, media, kulturë dhe ekonomi, Rastet e botimit të Enciklopedisë maqedonase dhe tekstet shkollore me përmbajtje ofenduese për popullin shqiptar, projekti për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë, sllavizimi dhe antikuizimi i Shkupit, realizimi i projektit Shkupi 2014 dhe së fundi ndërtimi i kishës në kalanë e Shkupit e shoqëruar me përleshje direkte ndëretnike, argumentojnë papërgjegjësinë e lartë dhe orientimin e humbur të klasës aktuale politike në vend dhe në veçanti të përfaqësuesve shqiptarë në këtë qeveri.

E veçanta që duhet të theksohet në lidhje me këto devijime të rënda të politikëbërësve lidhet me papërgjegjësinë totale të përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, sepse asnjë zyrtar qeveritar nuk u ndëshkua politikisht përkundër gabimeve të rënda politike , një fenomen i kësaj natyre mundet të na ndodhë vetëm neve shqiptarëve, nuk haset dot në analet e politikes aktuale evropiane.

Ndaj një situate të kësaj natyre ne nuk mund te jemiindiferent dhe të luajmë rolin e analisteve dhe të komentuesve politik dhe civil. Kërkohet veprim konkret dhe ofertë konkrete politike për të ndërprerë këtë spirale të keq menaxhimit dhe të korrupsionit politik që rrezikon të metastazojë institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Raportet politike maqedonase-shqiptare janë shtylla aktuale edhe e perspektivës së vendit.

Ne në Rilindjen Demokratike Kombëtare jemi të bindur se këto dy vullnete politike që në shikim të parë janë përjashtuese,mund të harmonizohen dhe të jenë të pranueshme për të dyja palët duke respektuar standardet dhe vlerat e shoqërive dhe shteteve multietnike të BE-së.

Në esencë, oferta jone politike synon të realizojë aspiratën shqiptare për shtetformësinë Maqedoni, ndërsa kjo aspiratë respekton shqetësimin e kombit maqedonas që vendi të mos ndahet në dy tërësi etnike territoriale, thënë më ndryshe, oferta jonë politike mund të emërtohet si federalizëm jo territorial i vendit me mekanizma të demokracisë konsensuale dhe me decentralizim përmbajtjesor të pushtetit.

Realizimi i këtij objektivi politik madhor, parakupton arritjen e konsensusit politik demokratik shqiptar dhe afatizimin e realizmit te kësaj aspirate me realizmin e agjendës euro-atlantike të vendit në një periudhë kohore të arsyeshme të definuar bashkërisht nga pala politike shqiptare dhe maqedonase.

Të nderuar dashamirë,

Porositë e ditëve të fundit nga Brukseli zyrtar për rrezikimin e procesit të hapjes së negociatave të vendit me BE-në si pasojë e përkeqësimit të raporteve politike dhe kulturës së ulët demokratike në vend,janë brengosëse.

Bllokimi i procesit të integrimit të vendit në NATO dhe në BE si rezultat i dështimit në zbatimin e reformave politike dhe ekonomike dhe moszgjidhjes së kontestit me Greqinë ka pasoja tejet negative në plan politik, ekonomik dhe ndëretnik.Tejkalimi i kontestit me Greqinë është bërë sfidë të cilën klasat politike në vend dhe në Greqi, nuk kanë kapacitet për ta tejkaluar.

Historia e diplomacisë në Ballkan, në dy dekadat e fundit, na mëson se zgjidhja duhet të imponohet nga faktori relevant ndërkombëtar. Zbatimi i formulës që tejkaloi kontestin Slloveni-Kroaci është zgjidhja optimale për kontestin Maqedoni-Greqi për më tepër arsye.

Miratimi i kësaj formule do të mundësonte de-bllokimin e procesit të integrimit të vendit në NATO dhe BE, vendi në plan të jashtëm do të mbante referencën IJRM me çka plotësohet aspirate greke, ndërsa në plan të brendshëm vendi do të mbante emrin kushtetues RM me çka plotësohet aspirata e faktorit politik maqedonas.

Në shenjë të përmirësimit të klimës së komunikimit reciprok Athinë –Shkup, qeveria aktuale dhe ajo e pas zgjedhje të vitit 2011, duhet të ndërpresë realizimin e projektit Shkupi 2014 në veçanti në pjesën e vendosjes së përmendoreve nga historia antike.

Bllokimi i mëtejmë i procesit të integrimit të vendit në BE dhe NATO, në esencë e ka kuptimin e margjinalizimit të plotë të vendit nga rrjedhja e kapitalit ndërkombëtar, humbjen e fondeve financiare evropiane ne vlere prej qindra miliona euro ne vit ,thellim të krizës ekonomike dhe politike dhe eskalim të raporteve ndëretnike me tendencë të destabilizimit të mëtejmë të vendit.

Argumenti më serioz në këtë drejtim janë investimet e huaja minore që janë realizuar në vend, përkundër reklamimit mjaft agresiv dhe shumë të shtrenjtë të qeverisë në mediet më prestigjioze të huaja dhe angazhimit të një numri të konsiderueshëm të promotorëve ekonomik.

Debllokimi i procesit të integrimit të vendit në BE dhe në NATO e ka kuptimin e realizimit të idealit të bashkimit kombëtar për shqiptaret dhe për të gjitha kombet e ndara në kuadër të Evropës te bashkuar dhe si i tillë është interes strategjik i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Organizimi i pushtetit në vendet multietnike kryesisht realizohet nëpërmjet federalizmit, rajonizimit ose decentralizimit të pushtetit. Decentralizimi i pushtetit ose demokracia lokale në Maqedoni vazhdon të jetë e nënshtruar dhe e kontrolluar në tërësi nga qeveria qendrore.

Edhe pas 10 vitesh nga zbatimi i reformave demokratike lokale,Maqedonia është sinonim i vendit më të centralizuar në Evropë me mbi 94% të financave publike të centralizuara dhe me kompetenca minimale komunale krahasuar me vendet multietnike të Bashkimit Evropian.

Rikthimi i kompetencave për komunat dhe organizimi territorial i komunave sipas Kushtetutës së vitit 1974 pa komponentin ideologjik, do të ishte zgjidhja më optimale politike dhe ekonomike e shoqëruar me decentralizim të mirëfilltë fiskal nga burimet e sigurta fiskale.Pushteti komunal që nuk ka fonde financiare për të realizuar kompetencat burimore, është ironia e vet pushtetit, rast ky aktual me komunat në Maqedoni, me përjashtim të qytetit të Shkupit.

Politikat e alokimit të drejtë të investimeve kapitale në të gjitha lëmenjtë me interes të përgjithshëm, mund të kontribuojnë shumë në tejkalimin e diskriminimit të trashëguar territorial dhe etnik.

Kompetencat e mirëfillta lokale të shoqëruara me një politikë të drejtë të zhvillimit rajonal ekonomik në funksion të eliminimit të dispariteteve të larta zhvillimore rajonale, duhet të jenë stimuluesit kryesorë të arritjes së barazisë politike dhe ekonomike si parakusht për të realizuar barazinë ndëretnike.

Politikat e politizimit të skajshëm të investimeve kapitale në baza partiake dhe etnike, si dhe injorimi i plotë i zbatimit të ligjit në fuqi për zhvillim rajonal, ku në vend se të investohen mbi 6o milion euro në vit në këto rajone investohet vetëm 10% i shumës së paraparë me ligjin në fuqi, duhet te ndërpriten menjëherë.

Të nderuar miq,

Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit politik do të jetë një nga prioritetet strategjike të të zgjedhurve politikë të Rilindjes Demokratike Kombëtare.Korrupsioni politik i shoqëruar me evazionin fiskal dhe ekonominë informate, janë duke lënë pasoja tepër negative në funksionalitetin e institucioneve publike dhe janë shkaku kryesor i humbjes së besimit të qytetarëve tek institucionet publike.

Në këtë drejtim hapi i parë shumë i rëndësishëm do të ishte transparenca dhe monitorimi në procesin e punësimit në administratën publike, duke zbatuar kriteret e meritokracisë dhe duke eliminuar kriteret e partitokracisë që është bërë sëmundje kancerogjene dhe që është duke shkatërruar administratën publike ne kontinuitet.

Financimi i partive politike është burimi kryesor i korrupsionit politik, kontrolli rigoroz nga institucione të pavarura krahas bërjes publike të pasurisë së politikanëve të niveleve më të larta menaxheriale para dhe pas përfundimit të mandatit politik do të kontribuonin në fillimin e procesit të dekriminalizimit të politikës si një dukuri e cila është duke kriminalizuar të gjitha institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Të nderuar bashkëmendimtarë,

Pa zhvillim ekonomik dhe pa institucione të reformuara publike nuk ka perspektivë ekonomike dhe zvogëlim të papunësisë dhe të varfërisë.Bartës i zhvillimit ekonomik në sistemet demokratike duhet të jetë sektori privat i ekonomisë.Nga pozicioni i politik-bërjes do të angazhohemi për zvogëlim permanent të pjesëmarrjes së sektorit publik në prodhimin kombëtar për së paku 3% në nivel vjetor me orientim që kursimet e realizuara të orientohen në investime kapitale dhe në financime direkte për bizneset e vogla dhe të mesme nëpërmjet fondeve qeveritare dhe bankave për zhvillim te biznesit.

Janë të papranueshme politikat buxhetore të qeverisë aktuale e cila në kulmin e krizës së madhe ekonomike dhe financiare botërore vazhdon me financimin e projektit Shkupi 2014 në vlerë prej 200 milion euro dhe tërheq edhe 200 milion euro të reja nga FMN në përkrahje të shpenzimeve vijuese buxhetore në kohën kur ekonomia dhe popullsia janë para bankrotit ekonomik dhe financiar.

Këto politika buxhetore duhet të ndërpriten menjëherë dhe këto mjete të lira financiare duhet të orientohen në programe për punësime dhe investime kapitale.Reformimi i sektorit publik nëpërmjet një politike të racionalizimit permanent të të punësuarve dhe mbylljes së shumë institucioneve publike joproduktive ose dhënien me koncesion sektorit privat, mund të lehtësohet barra e lartë fiskale në masë të konsiderueshme për ekonominë dhe qytetarët.

 

Zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë vazhdojnë të jenë prioritete të parealizuara për të gjitha qeveritë e vendit.Bllokimi i procesit të integrimit të vendit, investimet e huaja minore, korrupsioni politik, reformimi sipërfaqësor i administratës publike dhe ndikimi i madh i politikës në ekonomi kanë efektuar që ekonomia e vendit të humb përparësitë komparative,kompanitë vendore nuk janë të afta të plotësojnë standardet e cilësisë të kërkuara në tregun e Bashkimit Evropian.

Projektet për asistencë teknike dhe financiare që mundësojnë vetëpunësimin, punësimin në bizneset e vogla dhe punësimin në bazë të programeve sociale të personave të papunësuar janë masa te pamjaftueshme për të zbutur papunësinë në rritje, nevojitet asistencë shumë më e madhe e shtetit që të rimëkëmbet ekonomia duke shkurtuar sektorin publik në shuma prej qindra miliona eurosh në nivel vjetor.

BUJQËSIA DHE ZHVILLIMI RURAL janë një shans i pashfrytëzuar. Qytetarët e vendit tonë duhet tu rikthehen këtyre dy degëve tradicionale ekonomike. Angazhimet tona do të synojnë krijimin e një mjedisi favorizues ligjor, rregullator dhe ekonomik për përkrahje të organizimit të bujqve në organizata dhe kooperativa, për rritje të mjeteve për zhvillim rural dhe në përpilim dhe zbatim të strategjive lokale zhvillimore, duke u bazuar në LEADER qasjen, krijimin e institucioneve të mikrofinancës në fshat, duke shfrytëzuar përvojat e suksesshme ndërkombëtare për një bujqësi industrializuese intensive.

Të nderuar bashkëmendimtar,

Ne lëmin e arsimit, shkencës , kulturës , shëndetësisë , mbrojtjes sociale dhe ekologjisë RDK-ja do të angazhohet për ndarje proporcionale të mjeteve buxhetore për të gjitha bashkësitë etnike, për alokim të drejtë territorial dhe për financim bazuar në program edhe projekte konkurruese.

Në të gjitha lëmenjtë e përmendura, problemet janë të thella dhe strukturore, reformimi i mirëfilltë kërkon ndryshime serioze në menaxhim, financim, kontroll, partneritet me sektorin publik, mbyllje të institucioneve dhe njësive joproduktive, racionalizim serioz të personelit joproduktiv,investime serioze kapitale dhe humane.

Përgatitja e sektorit publik në këto lëmi, për t’i konkurruar sektorit privat në variantin e partneritetit ose konkurrimit klasik do të jetë një sfidë shumë e vështirë me kosto të lartë, por e paevitueshme.

Ne programin tonë elektoral, do të sjellim ide të reja dhe praktika të suksesshme nga ish vendet në tranzicion, si Sllovenia dhe Çekia dhe vende të përparuara perëndimore si Suedia.

Me këtë rast vlen të përmendet se projektet populiste në arsimin fillor, si projekti “kompjuter për çdo nxënës”, e të cilat janë jashtë përdorimit që me aktin e furnizimit, dhe

Politika folklorike e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë në të gjitha vendbanimet me kosto të ulet studimi që duke socializuar arsimin sipëror, dëmtojnë rëndë cilësinë e arsimit sipëror dhe krijojnë presion të lartë në tregun e punës, duhet të ndërpriten dhe të revidohen,

Reforma në sektorin e shëndetësisë dhe në sferën sociale do të jetë një nga sfidat më problematike sepse kostoja aktuale e buxhetit të shtetit e alokuar për këto dy lëmi me interes te lartë për kohezionin social, do të varet në masë të konsiderueshme nga përparimi i ekonomisë dhe procesi i integrimit të vendit.

Të nderuar bashkëkombës,

Rehabilitimi politik, ekonomik dhe moral i të përndjekurve politik të të gjitha periudhave dhe i të gjithë personave dhe familjeve të viktimave të konfliktit të vitit 2001 do të jetë angazhim serioz i agjendës sonë politike në funksion të rikthimit të besimit reciprok dhe pajtimit ndëretnik, përkundër pajtimit të klasave politike që kemi sot.

Nëse nuk rehabilitohen viktimat dhe familjet e tyre atëherë objektivi i pajtimit dhe mirëbesimit nuk është realizuar.

Të nderuar bashkëmendimtarë,

Problemi bazik i demokracisë në Maqedoni ka qenë dhe vazhdon të jetë mungesa e komunikimit normal demokratik në mes të subjekteve të ndryshme të proveniencave politike dhe etnike. Ky problem do te vazhdojë të jetë një pengesë serioze e zhvillimit të demokracisë në kuadër të partive politike dhe në nivel të vendit.

Një grup i zgjedhur i RDK-së do të vendosë komunikimin normal me të gjitha partitë politike që janë të përgatitura të bashkëbisedojnë për programin tonë dhe për tejkalimin e sfidave kryesore të vendit.

Një dilemë e cila ka mbetur pa përgjigje nga konventa jonë, janë kuadrot të cilat do ta përfaqësojnë RDK-në në nivelet menaxheriale partiake. Duke pasur parasysh se jemi në fazë të konstituimit organizativ dhe se radhët tona rriten në mënyrë permanente, këtë çështje do ta tejkalojmë në hap me përgatitjen dhe nominimin e kuadrove për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2011.

Jini të bindur se të zgjedhurit tonë do të jenë profesionistë të aftë, njerëz të ndershëm, njerëz me më shumë alternativa angazhimi dhe njerëz që politikën nuk e shohin si mjet për të realizuar interesat private në dëm të idealeve programore të RDK-së.

Debatet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare i ndjekim me shumë vëmendje, mesazhi ynë për këto zgjedhje është shumë i qartë. Në zgjedhje duhet të shkohet pasi që të harmonizohen të gjitha çështjet kontestuese ndërmjet gjithë spektrit politik në vend dhe zgjedhjet pa opozitën nuk ofrojnë zgjidhje dhe për pasoje ato nuk kanë kuptim.

Ne jemi parti politike tashmë e regjistruar pranë gjykatës kompetente dhe në këto zgjedhje do të garojmë të vetëm.

Qëndrimi ynë ndaj të gjitha partive politike do të jetë neutral, do të bashkëpunojmë për çështje për të cilat do të kemi pikëpamje identike ose të ngjashme që janë në funksion të realizimit te programit tone dhe qe do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetës ekonomike-sociale në vend dhe që i çojnë përpara proceset e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Objektivat e programit tonë janë të shumta dhe mjaft sfiduese. Kërkohet shumë punë, dije, vendosmëri, sakrificë dhe kompromise funksionale politike. Uroj që me vullnetin tonë të mirë dhe me ndihmën e Zotit, në këtë rrugë tepër të vështirë të dalim faqebardhë.

Ju faleminderit .

Shkup, 27.03.2011