22Korrik2017

Fjalimi integral i kryetarit Rufi Osmani në konventën promovuese në Gostivar

Të nderuar qytetarë të Gostivarit,

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Rilindjes Demokratike Kombëtare, i nderuar z. Kenan Hasip, të nderuar deputetë të RDK-së z. Zeqiri dhe zonja Demiri, e nderuara rini e RDK -së, të nderuar kandidatë për kryetarë komunash dhe për këshilltarë të RDK-së dhe TDP -së, të nderuar miq! 

Edhe sot jemi në vendin e njëjtë, në sallën e sportit “Rinia” ngjashëm si në 2009 për të vulosur fitoren e radhës të opsionit të RDK-së “Është koha për ndryshime dhe vazhdojmë me ndryshime”.  Sot jam krenar të konfirmoj para jush se premtimet dhe objektivat që i përcaktuam së bashku në vitin 2009 i realizuam me shumë sukses.

Në platformën e vitit 2009 ne përcaktuam që Gostivari nga një komunë e bankrotuar të shndërohet në komunë model i suksesshëm i decentralizimit dhe autonomisë komunale duke zbatuar reforma si ndryshimet pozitive në të gjitha lëmit në kompetencë të komunës.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, nepotizmit, mafias urbane dhe dukurive të tjera devijuese ishte angazhimi ynë i vazhdueshëm.

Shfrytëzim produktiv i asistencës financiare të institucioneve dhe fondeve ndërkombëtare, ishte synim dhe realizim ynë shumë i suksesshëm.

Partneriteti efektiv komunë - qytetar me interes për qytetarët ishte synimi dhe suksesi ynë i radhës.

Objektivi ynë specifik ka qenë: Rehabilitimi politik i dëshmorëve të 9 korrikut të vitit 1997 dhe familjeve të tyre u realizua me përkushtim të lartë.

 Raporti i punës 4 vjeçare që do ta keni në posedim të gjithë ju, argumenton me numra, fotografi dhe fjalë sukseset tona dhe është kundërpërgjigjja më e argumentuar ndaj propagandës gebelsiane të oponentëve tanë.

Suksesin në menaxhim me komunën e Gostivarit nuk duan dhe nuk mund ta shohin vetëm daltonistët politik të cilët disa ditë më herët në këtë sallë vazhduan të derdhin lot krokodili se gjoja në këto katër vite:

Gostivari paska humbur krenarinë, se paska qenë qytet i izoluar dhe se humbja e BDI- së paska qenë humbje e Gostivarit dhe përralla të tjera të ngjashme.

Të nderuar gostivaras, ne së bashku edhe në këto zgjedhje do të mundim zullumqarin më të madh që ka pasur ndonjëherë komuna jonë, zullumqar ky që i la komunës 11 milion euro borxhe, do mundim personin që së bashku me partinë e tij bënë çmos këto katër vite të pengojnë punën e komunës duke e diskriminuar me miliona euro fonde qeveritare, do mundim partinë që si pjesë e qeverisë aktuale nuk investoi asnjë euro në Gostivar edhe pse ka obligim ligjor të investojë bazuar në ligjin për zhvillim të barabartë regjional.

Sot kjo parti kandidon sërish njeriun që ka mbetur në kujtesën e Gostivarit si shkatërruesi më i madh joligjor i barakave, ndërtesave dhe shtëpive.

Personin që manipuloi qytetarët duke u marrë miliona euro para, në mënyre joligjore me avancet për komunalie për të cilat veprime joligjore vetë qeveria e tij i ngriti aktakuza penale. Po kjo qeveri dhe kjo parti në ligjin për legalizimin e objekteve joligjore nuk definuan të drejtën e pranimit të këtyre avanceve joligjore sepse ishin veprime jashtë ligjit që kishin ndodhur vetëm në Gostivar dhe në asnjë komunë tjetër.

Ne nga këtu u themi shefave të tij që nëse shkatërruesin e quajnë arkitekt, nëse hajdutin e quajnë reformator, nëse një person pa vizion e ofrojnë si alternativë për Gostivarin, le ta mbajnë për vete dhe le ta kandidojnë në ish komunën e Zajazit ose në komunën e Çairit ku vazhdojnë të menaxhojnë njerëzit e këtij soji.

Të nderuar, lufta e pakompromis kundër korrupsionit, evazionit fiskal, mafias urbane dhe dukurive tjera negative rezultoi me kursime prej disa miliona euro dhe nga këto kursime ne investuam në tre godina shkollore, stabilizuam ngrohjen qendrore në shkolla dhe siguruam transport publik shumë cilësor për nxënësit tanë.

Të nderuar anëtarë të RDK-së qeverisja katërvjeçare me komunën e Gostivarit ishte një nga sfidat më të mëdha që ka shoqëruar karrierën time profesionale dhe publike.Në mandatin që e lëmë pas, u ballafaquam me probleme dhe vështirësi të jashtëzakonshme të imponuara nga pushteti qendror nga humbësit e zgjedhjeve të vitit 2009 që edhe aktualisht garojnë në këto zgjedhje. Një veprim hileqar i kësaj partie është edhe marrja joligjore e kompetencave të kësaj salle sportive nga menaxhimi komunal edhe pse është ndërtuar me mjetet e kontributit të qytetarëve të Gostivarit.

Këta kalorës të trojës politike nuk rendën duke bërë probleme në të gjitha drejtimet, bllokuan investimet kapitale në arsim dhe infrastrukturë nga fondet qeveritare, manipuluan policinë lokale për tre vite duke bërë pengesa të shumta, bënë dhe bëjnë trysni të jashtëzakonshme mbi gjykatat, dërgojnë inspekcione financiare, të tregut dhe të ndërtimit duke i detyruar të bëjnë kontrolle dhe trysni komunës, institucioneve arsimore dhe përkrahësve të RDK -së, dënuan drejtorët e shkollave pse nuk punuan ditën e Bajramit dhe çfarë nuk bënë.

Por ne ia dolëm ti mundim në të gjitha drejtimet sepse punuam me nder dhe gjithmonë dija jonë ishte shumëfish më e lartë se e këtyre personave të kyçur në korrupsion deri në fyt.      

Komuna e Gostivarit për rezultate të jashtëzakonshme në menaxhimin fiskal dhe komunal mori Rejtingun Kreditor nga Agjencioni Moody’s, pagoi në tërësi borxhet e trashëguara, realizoi 8 milion euro investime kapitale, rriti buxhetin bazë nga 3,5 milion në vitin 2009 në 7 milion euro në vitin 2013 dhe siguroi fonde shumë të volitshme financiare 12,5 milion euro për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kurorë e punës së suksesshme katërvjeçare është shpërblimi “Evropa e Bashkuar” që unë e pranova si kryetar i Gostivarit nga Assambleja Evropiane e Biznesit me qendër në Oksford të Anglisë.

Ndër investimet kapitale më të mëdha që u realizuan në mandatin 2009-2013 janë padyshim:                  

Ndërtimi i rrugës regjionale Forinë – Çegran,

Ndërtimi i bazenit për ujin për pije në Debresh,

Debreshasve ju kujtohet me siguri se si BDI e zgjidhi problemin e ujit për pije duke sjellë cisternën me ujë në fillim të kampanjës në vitin 2009)

Pagesa komplet e shkollës së Balindollit, shkollës ekonomike dhe teknike,

Ndërtimi i rrjeteve të reja të ndriçimit publik në qytet dhe fshatra,

Asfaltimi dhe shtrimi i bekatonave prej mijëra m2 të rrugëve dhe rrugicave në qytet dhe fshatra,

Ndërtimi i rrjeteve të shumta te kanalizimit dhe ujësjellësit

Ndërtimi i shëtitoreve të reja dhe shumë sipërfaqeve të reja me gjelbërim.

Dhe shumë investime të tjera të cilat i keni të prezantuara në mënyre analitike në katalogun e punës tonë 4 vjeçare.

Sot komuna e Gostivarit është simbol dhe sinonim i një komune të suksesshme me transparence të plotë, me zero korrupsion, e para në vend me legalizimin e objekteve jolegale, me tatime më të ulëta komunale dhe me sukses maksimal në shfrytëzimin e fondeve të huaja.

Programi ynë katërvjeçar 2013-2017 tashmë ka fonde financiare për investime kapitale prej 20 milion euro nga burime të jashtme 12.5 milion dhe 7,5 milion euro nga buxheti komunal.

Investimet kryesore kapitale në mandatin 2013-2017 do të zgjidhin:

Problemin me stacioni e filtrimit të ujit nga donacioni i qeverisë zvicerane, sepse kjo qeveri ka harxhuar mbi 500 milion euro për Shkupin 2014, ndërsa nuk gjente 3 milion euro ta përfundojë këtë stacion nga i cili varet shëndeti i 100 mijë banorëve.

Problemin me deponinë rajonale, procedurë e cila është në fazën finale duke ruajtur interesin e qytetarëve të Gostivarit dhe të rajonit të Pollogut.

Do të fillojmë projektin e gazifikimit të qytetit dhe shkollave në Gostivar.

Do të ndërtojmë urën e re që do të lidhë spitalin e qytetit me shkollat e mesme.

Do të fillojmë me ndërrimin e rrjetit të gypave të vjetruar të ujësjellësit të qytetit me fonde te siguruara nga KHW Banka Gjermane.

Do të vazhdojmë me ndërtimin e kanalizimeve, rrugëve dhe trotuareve.

Do të zbatojmë efikasitetin energjetik duke instaluar llampat LED në ndriçimin publik me fonde nga Banka Botërore.

Do të ndërtojmë salla të reja sportive në shkollat tona sepse kjo qeveri i la pa përfunduar sallat sportive në Gjimnazin e Gostivarit dhe në fshatin Debresh.

Do të zgjidhim problemin me vendparkingjet në qytet.

Do të krijojmë zona industriale dhe ekologjike me synim të hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë tanë, dhe shumë projekte konkrete të tjera.

Të nderuar miq, jemi të vetmit nga të gjitha komunat në Maqedoni kur flasim për projekte dhe investime në mandatin katër vjeçar që kemi fonde financiare të siguruara në këtë kohë të krizës së madhe financiare dhe ekonomike dhe kjo na bën të jemi shumë më të ndryshëm nga të tjerët.

Të gjitha komunat e BDI-së dhe një komunë e PDSH-së, së bashku për katër vite nuk i kanë rezultatet e Gostivarit të manifestuara me vlera financiare të sakta.

Të nderuar miq të Partisë Demokratike Turke, bashkëpunimi ynë korrekt në komunën e Gostivarit në vitet 2009-2013 tashmë rezulton me rritje dhe zgjerim të këtij bashkëpunimi edhe në komunën e Vrapçishtit.

Ky bashkëpunim synon të rrisë tolerancën ndëretnike, të afrojë politikisht dhe kombëtarisht të dy kombet dhe së bashku të bindë më shumë investitorë nga Turqia të vijnë dhe të investojnë në rajonin e Pollogut dhe në vendbanimet ku jetojnë në harmoni shqiptarët, turqit, maqedonasit dhe të tjerët. Zyrtarizimi i gjuhës turke ne Gostivar dhe investime serioze të paralajmëruara nga zyrtar të Turqisë me në krye kryetarin e Stambollit do jenë një shans serioz që duhet shfrytëzuar për të hapur perspektiva të reja për komunën e Gostivarit dhe të Vrapçishtit dhe rajonin e Pollogut në përgjithësi.

Në mandatin 2009- 2013 unë si Kryetar dhe Këshilli i komunës argumentuam se menaxhimi jonë publik është i drejtë dhe i ndershëm, ne të gjithë qytetarët si shqiptarët, maqedonasit, turqit, torbeshët, romët dhe të tjerët i trajtojmë në mënyrë të barabartë. Ky menaxhim publik e ka bazën në traditën e tolerancës ndëretnike dhe kulturore të një bashkëjetese shekullore, kështu do jetë edhe në të ardhmen.  

Të nderuar miq, në vitin 2009 unë ju kërkova mandatin e përfaqësimit që të rehabilitonim qytetin tonë nga krimi i vitit 1997, të kthenim mandatin e ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga qeveria e asaj kohe dhe të ndalnim një politikë zullumqare. Ju më besuat dhe me votuat, vota juaj u shndërrua në shumë punë, djersë dhe shumë vepra në dobinë tuaj.  

Të nderuar, sot jam krenar të kërkoj mandatin e ri për të udhëhequr Gostivarin me një ekip të ri të këshilltarëve. Kjo krenari është e bazuar në moralin, dijen dhe vizionin tonë që tashmë kur Gostivarin e nxorëm nga bankroti financiar, ta bëjmë komunën atraktive për investime dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Zhvillimi ekonomik, investimet kapitale dhe hapja e vendeve të reja të punës do të jenë prioriteti kryesor në mandatin 2013-2017.

Rilindja Demokratike Kombëtare si parti e së nesërmes në kampin politik shqiptar u ofron modelin e suksesit të verifikuar në Gostivar edhe qytetarëve të Tetovës, Vrapçishtit, Tearcës, Bogovinës, Zhelinës, Likovës, Çairit, Sarajit dhe në të gjitha komunat ku populli shqiptar është popull shumicë.

Sot një njeri i vullnetit të mirë kishte publikuar në një portal elektronik një analizë se cilin duhet të votojnë qytetarët e Gostivarit, unë do kisha shtuar vetëm se zgjedhja është ndërmjet nderit dhe drejtësisë në njërën anë dhe krimit dhe gënjeshtrës në anën tjetër.    

 

JU FALEMINDERIT