22Korrik2017

Fjalimi integral i Izet Zeqiri

21.03.2013 - Të nderuar Tetovarë

I nderuar kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare 

Kam nderin që sot para jush të shpreh edhe një herë shqetësimet e mija të thella për gjendjen aktuale në Tetovë, por në të njëjtën kohë të shpreh shpresat dhe planet tona për të ardhmen e Tetovës dhe Tetovarëve.

Të nderuar vëllezër! Të nderuara motra!
Tetova, vatër e ndryshimeve të mëdha!
Qytet i vlerave kombëtare, arsimore dhe kulturore sot është e përkulur dhe e pa shpresë.
Tetova është e lënë pas dore për dekada me radhë. Qytet i resurseve të mëdha dhe mundësive të vogla. Besoni kështu nuk mundet të ecet përpara. Unë jam këtu para jush që bashkërisht të punojmë shumë për ndryshimin e Tetovës.
Unë i di hallet dhe dertet tuaja dhe tonat. Unë e di se Tetovës i mungon shumëçka.
I mungon uji për pije, i mungojnë kanalizimet fekale, i mungojnë kanalizimet atmosferike, i mungojnë rrugët, i mungojnë bulevardet, i mungojnë parqet dhe gjelbërimet, i mungojnë investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe mbi të gjitha mungojnë vendet e punës për rininë tonë.
Por gjithashtu e di se kolegët e mi që kam kundërkandidat, pas vetes kanë lënë mandate të pushtet mbajtjes dhe kanë treguar se nuk kanë mundur ti zgjedhin problemet e Tetovës dhe Tetovarëve ose shumë pak kanë punuar për Tetovën.
Unë jam njeri i projekteve e jo i llafeve, kam shkruar dhe punuar në karrierën time me mijëra projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Kam menaxhuar me qindra projekte, unë do të shkruaj dhe menaxhoj projekte për Tetovën.
Do të ofroj projekte konkrete.

Për projektin e ujit të Tetovës, ndër tokë do ti gjejë paratë dhe do të siguroj ujë të pijshëm për dy muajt e parë të qeverisjes.
Do të filloj që në muajt e parë projektet për punësimin e të rinjve dhe do të hapi:
Inkubator biznesi, parqe teknologjike me dy universitetet, edukim dhe trajnim të të papunësuarve, agjencion për investime të huaja, do angazhoj promotorë ekonomikë shqiptarë në diasporë
Këto do ti bëjë me buxhet 250 mijë euro që do ti siguroj nga zvogëlimi i shpenzimeve operative të komunës.
Do ta realizoj projektin për pastërtinë e qytetit të Tetovës, ta pastroj dhe gjelbëroj qytetin dhe fshatrat. Paratë do ti siguroj nga zvogëlimi i mëditjeve dhe udhëtimeve zyrtare të kryetarit në vlerë prej 50.000 euro sa i ka në vit. Do të realizoj projekte kapitale dhe investime infrastrukturore në vit minimum 5 milion euro, do të realizoj projekte për arsimin dhe shkollat e Tetovës, do ta depolitizoj arsimin fillor dhe të mesëm, nxënësit nuk do të mësojnë më shumë se 25 nxënës në një klasë, do të ndërtojmë laboratorë për nxënësit.
Këto do ti bëjë me buxhet 800.000 euro që do ti kursej nga furnizimet publike dhe shpenzimet e naftës në të cilat vidhet me te madhe.
Do të realizoj projekte për kulturën dhe jetën kulturore artistike, do ta bëjmë decentralizimin e objekteve të kulturës, do të përkrahi të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike.
Për këtë para do të siguroj nga dotacionet e kulturës sepse pushteti qendror nuk mund të financojë vetëm kulturën maqedone.
Projekte për sportin dhe zhvillimin e jetës sportive, do të ndërtoj salla sporti dhe meremetimin e stadiumit të qytetit, do të përkrah sportistët dhe klubet financiarisht.
Këtë do ta bëjë përmes agjencionit për rini dhe sport që vetëm këto tre vjet ka pas buxhet 22 milion euro dhe s’ka bërë asgjë për sportin në Tetovë.
Projekt për transportin urban duke themeluar ndërmarrjen komunale të transportit urban, projekte për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Do të hapim çerdhe për fëmijë në çdo pjesë të qytetit dhe fshatrat më të mëdhenj, do të zgjidh problemin e të punësuarve në çerdhe që punojnë si vullnetare dhe numrin e fëmijëve në çerdhe të Tetovës të fëmijëve shqiptarë nga 36% sa është tash, do rritim aq sa ka kërkesa. Kopshte të fëmijëve ne Reçicë të Madhe, në Poroj dhe Shipkovicë.
Projekte për ndërtimin e shtëpive të pleqve, do ti përkrah aktivitetet e pensionistëve dhe do të ndërtoj shtëpi rekreative dhe pushuese për pensionistët në kodrën e diellit. Do të përkrahim iniciativat private për shtëpi të pleqve. Projekte për ndihmë dhe edukim të të rinjve dhe mbrojtjen nga narkomania dhe punët e tjera të këqija. Do të krijoj zyrë për edukimin e të rinjve kundër drogës, alkoolit, dhe devijimeve të tjera të të rinjve.

Projekt për ambientin e banjës së qytetit dhe shfrytëzimin e ujërave termike, projekt për ndërtimin e bibliotekës së qytetit, projekt për rifunksionimin e radio Tetovës, Ndërtimin e një zyre për studentët dhe përkrahjen e tyre me burse dhe në aktivitetet e tyre shkencore hulumtuese, do të siguroj para dhe donacione nga organizatat financiare ndërkombëtare.
Të nderuar
Unë nuk them që do ta shndërroj Tetovën në Paris, por zotohem se do ta bëj atë një qytet si i ka hije. Një qytet të pastër, një qytet me perspektivë ekonomike dhe kulturore, një qytet të përparuar, një qytet dinjitoz, një qytet të sigurt, një qytet ku rinia do të ketë perspektivë dhe nuk do të ketë nevojë për të marrë rrugën e kurbetit.
Besoni se këtë do ta bëje me një ekip të mirë se nën gjeneralin e fort nuk ka ushtarë të dobët.
Të nderuar
Nëse Tetovarët në 2001 përkrahën njerëzit që luftuan me pushkë për të drejtat tona. Mendoj së tash 2013 duhet të përkrahni një njeri që luftoj jo me një pushkë por më të tërë arsenalin intelektual dhe dijeninë jo vetëm me një kundërshtarë por me më shumë kundërshtar për fat të keq edhe shqiptarë.
Të gjitha këto i bëra me dije, ndershmëri me profesionalizëm, me këmishë të bardhë, zemër të bardhë dhe me fytyrë të bardhë. Besoni se asnjëherë nuk më është skuqur fytyra në punën time, asnjëherë nuk më është mavijosur fytyra si të tjerëve para maqedonëve. Kam qenë i përgatitur gjithmonë dhe kam punuar me përkushtim për popullin tim.
Të nderuar besoni se natën e kam bërë ditë për të punuar dhe për ti reprezentuar shqiptarët dhe këtë e kam bërë me 99% djersë dhe 1% inteligjencë dhe nuk jam penduar aspak. Besoni se këtë do ta bëjë edhe për Tetovën.
Është koha të mos u japim mandat atyre që në pushtet në vende që të kapin lapsin dhe me dije të luftojnë për të drejtat tona, ato i kapin tenderat dhe vazhdojnë të rijnë në pushtet më besimin tuaj dhe bëjnë sefa me paratë tona. Duhet t’ju themi mjaft.
Të nderuar miq, tani jemi në kampanjë zgjedhore. Ne e dimë që oponentët tonë falë korrupsionit të skajshëm kanë krijuar fonde të mëdha të parave të pista të cilat sot i shfrytëzojnë për të bërë reklama milionëshe në kanalet televizive unë nuk e kam atë mundësi.
Ne e dimë që kërcënimet dhe premtimet bosha janë shndërruar në praktikë ditore. Por, ne gjithashtu e dimë se Tetovari dhe shqiptari ivërtetë nuk e shet nderin dhe dinjitet e tij për para. Ju bëjmë apel mos u përkulni para shantazheve dhe presioneve, mos e shitni votën, dilni në votime dhe mos lejoni që dikush të mbush kutitë. Kthejani dinjitetin Tetovës.
Të nderuar është mbushur kupa, një njeri mund ta mashtrosh për një kohë edhe një popull mund ta mashtrosh për një kohë, por kurrë nuk mundesh ta mashtrosh një njeri dhe një popull tërë jetën.
U bëjë thirrje 30.000 mijë votuesve në Tetovë që nuk dalin në zgjedhje. Të dalin tash se kanë një alternativë, kanë shpresë se dikush do të punon për ta dhe fëmijët e tyre.
Në ju bëjmë apel që në ditën e zgjedhjeve të votoni numrin 1, të votoni RDK, jo për ne, por për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e nipërve dhe mbesave tuaja, për të ardhmen e Tetovës sonë.
Na priftë e mbara!
Rroftë populli shqiptar, rroftë Rilindja Demokratike Kombëtare, rroftë Tetova heroike.

Voto 1 RILINDE TETOVEN

Ju Faleminderit